7.11.11

Doli ne qarkullim vellimi i ri poetik MEKATARI

TIRANE – te  Libri  Universitar prane ish Bllokut

DURRES -  libraria ne fund te rruges qe con per te ish Vollga  (Pranvera emri i librashiteses)

PESHKOPI  - libraria prane ish Shtepise se  Kultures.

ELBASAN - libraria e rruges se Universitetit prane ish piceri Gjembi. Person kontakti: Pellumb Zekthi, mob.068 20 97 705

KORCE  - libraria në  qendër të  qytetit (Lefteri  069 40 44 103) 

VLORE -  libraria "TOENA"  qe ndodhet prane  Teatrit "Petro  Marko".

POGRADEC   –  libraria e Raqit (069 26 93 649) 

SHKODER  - Librari "GOGA" prane  UNIVERSITETIT "LUIGJ  GURAKUQI"   Personi  i  kontaktit:  Eri  (068 20 49 827)


Ju kerkoj ndjese  atyre  lexuesve  qe kane shkuar  dhe nuk e kane gjetur  librin neper  librarite e mesiperme. Me keqardhje  shoh qe akoma menyra e shperndarjes se librit  ne rrjetin e librarive te vendit  vazhdon te jete  amatoreske.
Ju  faleminderit!

ps. libri mund te gjendet gjithashtu edhe duke kontaktuar  botuesin tim ne numrin e cel: 069 20 68 481

Per te  blere   librin  'Mekatari"  online  klikoni  poshte:







Thus spoke …Kamasutra


mmmmmmmmmmmm…
ohhhhhhhhhhhhhhhh…
sh sh sh sh sh sh sh sh……
ahhhhhhhhhhhhhhhhh….

Kështu  foli...Kamasutra
më puth
më prek
më  qi
fërkomë
lagmë
hapmë
në ke perëndi  perëndomë…
si  ç’më ndeze  fikmë…
mbaromë…

Kështu  foli  Kamasutra
në  emër  të  qirinjve
që mbi  gjinj  të djersitur  pikonin…
në emër të  fluturave  të bukura
që dritën me  zjarrin  ngatërronin…
në emër  të  syve  që mbylleshin
bashkë me ekstazën  brenda…
në  emër  të  frikës  tunduese
që  e  fshihte  aq  bukur  ëndrra….

Kështu foli  Kamasutra
me gojën  tënde vajzë...
grua...
femër...
nënë...
motër...
bijë
dhe unë-alter ego e gjithë  meshkujve të botës
plotësova  dëshirën e  saj...
si   burri që dikur ishte fëmijë
mbi  trupin  tënd  të  dridhëruar
 lojërat e tyre   të  ndaluara  lodrova…

kur me gjuhën time  tënden preka…
buzët  u  bënë  krahë   e  puthja  përqafim….
gjinjtë  u bënë  vatër  dhe thithat  prush
e  pastaj  të  përndriturës  piçkë
mes kofshëve  përpjetë
-oaz   shkretëtire   me  dy palmat   anash-
me një  puthje  emrin tënd  ia rënkova
dhe  humba…
u  përhumba
harruar  harrova
nuk di  ç’shi më lagu
nuk di ç’shi më piu
më piu… më përpiu…
nuk di kur  filloi…
por  qielli u  deh
dhe prej së largu
zëri  i  Kamasutrës  me rërën  përzjerë
stuhish  të panjohura në re më  shndrroi…


(15 tetor, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

ana "altruiste" e egoizmit


të  paqëllimtë
të  parehatshëm
si gjinjtë  në  sytiena
të  blera  lirë
hallakaten mendimet
në  dy  gjysmat e trurit
dhe ndjehem  i lodhur
ndërsa  u  zë  pritë
cdo natë…cdo ditë
në  të njëjtin  vend
në  të  njëjtën  orë
diku aty  mes  rrudhave  të mia
aty ku mungesa  jote  banon…

kam  frikë   ta vras  kujtimin tënd

nuk do kem  ku ta varros
dhe  krenarilënduar më pas
nuk  do  mundem   të  besoj
që  në  të  vërtetë
snajperi  është  i vrari
dhe varrin e ka  aty…
aty mes  ballit  tim…

(18 shtator, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

6.9.11

Vargje dashurie për ata…


këto janë vargje dashurie
për ata që s’dashuruan  kurrë
dhe për  ata  që kujtuan se  shumë dashuruan… 
për  ata  që kishin frikë të  rrinin  vetëm
dhe për ata që  nevojën për të pasur  dikë
me dashurinë  gjithnjë e  ngatëruan…

për ata që i jetuan vitet e gjata krenarisht
duke vrarë  çastet  më të bukur  të jetës…
dhe për ata që  i qëndruan besnikë  njëri- tjetrit
por   kurrë  vetvetes…

për  ata  që  përçmuan  çdo lule
që bahçja e tyre s’e kishte…
dhe për ata  që  s’mundën  të  kuptonin
që  edhe  tradhëtia një dashuri e re  ishte…

i  kam dashur vërtet  shumë të gjithë
dhe u kërkoj ndjesë nëse  ndonjëherë i kam lënduar
në plagët që  mendonin se  s’i  kishin…
nëse ua  kam trazuar  gjumin pa ëndrra që flinin...
kur  pengjet më të thella të  shpirtit  të tyre
shkujdesur në vargje i kam shkruar…

i  kam dashur vërtet shumë të gjithë
njerëzit që s’më deshën
lulet  pa aromë
zogjtë që  s’mund të fluturonin
burrin e femrës  që më dashuroi
dhe kurrë nuk e urreva
atë që me timen shkoi…

i  kam dashur vërtet  shumë të gjithë
siç ka  bërë  edhe një  poet  tjetër më parë,
edhe kur keq  për mua  kanë menduar…
edhe kur në turrë  të druve më kanë vënë…
edhe kur me gisht  si delen e zezë më  treguan
dhe kurrë nuk i fajësova që rastisën  aq  të bardhë…


(5 Shtator, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

E pashmangshme…


ti je grua  shumë e ndershme
dinjitoze
krenare
sqimatare
me një moral  shëmbullor
nga  ai  që këshillon prifti, ligji dhe mjeku
dhe ndonjë lexues  baritor…

yt shoq njeri pa vese
ruhet çdo mëngjes në  orën 6
këmishëbardhe dhe fytgravatë
thith gjithnjë ajër të pastër
dhe vrapon çdo weekend  në park

e unë imorali
veç  tym cigareje nxjerr nga goja
vetmisë suaj shëtis  casual   i veshur
dhe kafenë e pi me pak…

por kjo  s’të pengon
të më lexosh fshehurazi e të lagesh…
dhe gishtërinjtë që  shkruajnë  këto vargje
të dëshirosh  fort  t’i  prekësh…
përkëdhelësh…
t’i  lëpish si gjuha  e  flakës  qiriun
t’i thithësh një e nga një që të dhjetë…
e pastaj  ashtu  të lagur
të pikojnë
prekje të nxehta  të kullojnë
mbi   gushën tënde
gjinjtë …
thithkat e çara…
të vësh pëllëmbën e dorës sime  në barkun tënd
ta  rrëshqasësh në jugun e afërt
në tajgën e zhuritur  nga mungesa e zjarreve…
dhe pastaj siç e di vetë…
aty ku mund të  ishte  ai tjetri…
gishti im i njëmbëdhjetë…
të  vdesësh epshin që  dhëmb…

do shtrihesh pastaj  mbi shtratin  tuaj
me vështrimin drejt  asgjëkundit  tretur
sqimatare...
dinjitoze  përsëri...
e lumtur që askush s’do ta mësojë
që sonte  në zemrën  tënde zviceriane
për një cast ora ka mbetur...
…………………………….
do flesh pranë tij qetësisht  gjumin tënd
dhe do harrosh që unë e di…


(4 Shtator, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

4.9.11

Pornografi bashkëshortësisht korrekte...


Ja…
ikën tej  dhe muzgu  gënjeshtar
me bishttundurën  mbrëmje  dorë për dore kapur…
nata  ngadalë zë të bjerë
mbi qytetin e përgjumur mëkatar
katedralen
rrugët
pemët
shtëpitë
endacakët…
makinat e parkuara
dhe mbi  këtë dhomë  gjumi  të lumtur
të ndershme
dinjitoze
të bardhë
të qelibartë
të virgjër
ku jetojnë  ajo  dhe ai…
ku gjithshka  është nën kontroll
dhe situata vazhdimisht e qetë
ku ëndrra e re  akoma pa lindur vdes
pranë shtratit të tij  të vjetër bashkeshortor
ku e njëjta dorë  femërore
prej mijëra netësh
të njëjtin  abazhurin
në  të  njëjtën   orë
besnikërisht   bindshëm  ndez…


“Në emër të Atit,
Birit
dhe Shpirtit të Shenjtë,
AMEN!
Në emër të  krushqive,
kushurinjve
miqve  dhe farefisnive
lumenjve  dhe maleve
lagjeve  dhe qyteteve
luleve  dhe  pemeve
zogjve  dhe bleteve
që sot ju shpall burrë e grua!
Kjo unazë ju bashkon
P-Ë-R-J-E-T-Ë!
Amen!
Për jetë të jetëve!
Betohuni!
P-Ë-R-J-E-T-Ë!”

kjo ndodhi  shumë vite më parë
dhe ata u betuan…
përjetësisht
që tradhëtia
që flinte  çdo natë
midis Evave dhe Adamëve
mbi shtratin bashkëshortor
mes jastëkëve  të tyre
të mos  zgjohej kurrë…
të mos guxonte të zgjohej kurrë

u  përkujdesen
sakrifikuan
herë  ai
herë  ajo
herë herë të dy bashkë
here gjithe  lagja  solidarizuar...
qyteti...
shteti...
që AJO…tradhëtia...
bastardja  e  rebeluar
të flinte,
të flinte
të  flinte...

dhe qëndruan një jetë  të  tërë zgjuar
ëndrrat e njëri tjetrit duke vigjëluar
me frikën e madhe
se zgjimi i SAJ
do t’i gjente në gjumë…


(1996)
©Artan Gjyzel Hasani 

24.8.11

Një poemë bashkëshortësisht jo korrekte...


mund të  t’i puthja buzët  edhe në sy të  burrit tënd
dhe   atij  edhe mund t’i pëlqente
arti ynë i të bërit  dashuri…
kur të shihte  si  falet  ajo…
ajo që  ai  ta ka  dhënë për aq shumë vjet
e që  prej kohësh   përton  të  ta  dhurojë…
ajo ndjesi kapitulluese
rënkimtare
turbulluese
që  derdhet
këputet…
rrëzohet…
ashtu…
natyrshëm…
pa kushte…
............................
ja...mendoje  për një çast…
mendoje…
dhe lëre  dhe  atë ta mendojë…

e ç’jeni ju të dy përtej…
përtej atyre  letrave
më një vulë dhe firmë
hijshëm zbukuruar?
një mashkull
dhe një femër
ai
burri yt
ti
e tija grua...

e  unë dashnori…
i dashuri…
rivali i tij i panjohur…
delja e zezë e një livadhi të huaj
natyrisht pa letra
pa firmë
pa vulë
gjithnjë altarmunguar…
……………………………
ai të do shumë
por edhe unë jo pak  të dua…


ju lidh bashkë  zemra?
po edhe ne  të dy ajo na lidh
dashuria?
po ajo edhe ne …
fëmijët që keni bërë ?
por edhe ne mund të bëjmë  fëmijë
një natë…
një natë të pafund e të gjatë…
si  pezulli  që pason kur koha ndalon
dhe  mendimet nuk kanë më fjalë…

ju lidhin bashkë kujtimet?
e di…
vite  të tërë kujtimesh…
po edhe për ne  të dy
çdo  çast i padukshëm  i jetës
nesër mund të bëhet me  i ëmbli …
kujtim i humbur në paharrim...

ju lidh bashkë seksi…?
keni  njëqind  vjet që  shtriheni  çdo natë
mbi legjendarin...
epikun  shtrat...
e ne  të dy për fat të mirë
pa folklor e mitologji
një muaj e njëqind centimetra  kemi  bashkë…

ai  e di që janë kohë  të vështira për  qejflinjtë
apo për pidharët siç i thonë ndryshe
në modë janë  femrat  anorgazmike
të veshura si burra…
zhorzh sandë  të vonuar…
cinike
zëtrasha…
bosh…
të paafta për të gjetur dashnor …
lezbike  të rreme
që shoqërohen bareve me gay  të  turbulluar…


por ti je kaq e ëmbël…kaq  e brishtë…
nënë me tre  fëmijë
dhe akoma skuqesh kur të shohin meshkujt
si porcelan delikat  lëkura jote
dhe nazet
kapriçiot…
e trishtë  kur  të  duket se të  harroj
vezullues si thika margaritarësh
kristalet e dhëmbëve  kur puthjet kafshojnë…

dhe ah…piçka jote…
nuk është tempull besimtarësh të rremë
që  pasi u falën…si  të pabesë e  përfolën…
jo
është djepi ku burri  shndrrohet  në fëmijë
dhe jetën  përvdes rilindjesh…
dhe prandaj yt shoq  të  dëshiron  kaq shumë…
e unë jo më pak, grua e tij… femra ime…

dhe ti e di që janë kohë  të vështira edhe për gratë…
për gratë që akoma kanë mbetur  femra…
burrat me zë  kumbues  dhe vështrim të  çartur
sanguinët me gjoksin leshator e llërët  tërë qime
hamshorët  që  të qijnë  në këmbë  pa u menduar  dy herë
e  pasi  prishen përsëri  thonë “dua”
janë specie në  zhdukje  si  kastorët, zemra ime
e  ndaj  ti je  me mua…

vërtet mund të  t’i puthja buzët
edhe në sy të  burrit tënd
dhe   atij  edhe mund t’i pëlqente
arti ynë i të bërit  dashuri…
kur të shihte  si  falet  ajo…
ajo që  ai
prej kohësh përton  të  ta  dhurojë…
…………………………………..
ja..mendoje  për një çast…
mendoje…
dhe lëre  dhe  atë ta mendojë…


por natyrisht unë po bëj shaka
dhe nuk po  të puth në sy të tij, zemra ime...
por kur ai  do lexojë këto vargje
do gëlltitet kur  t’i thuash që të pëlqyen
do skuqet në fytyrë
tërë valë e dallgë
nga epshi apo inati
do pijë një gotë  tjetër
do shihet ne pasqyrë
do lirojë  gravatën
do fikë  abazhurin
do të të puthë
do të të qijë
por edhe mund  të të bëjë dashuri
vibruese
pasionante
rënkuese
shpartalluese  si vargjet e mi…

kur të mbarojë…
kur të të mbarojë…
do të të kthejë kurrizin
dhe nëse sonte nuk do   të gërhasë…
kuptoje që ka filluar të mendojë
që në të vërtetë…
në thelb…
thellë në trurin tonë 
të gjithë  jemi njësoj…
unë dhe ai…
njësoj  fucked up


(24 Gusht, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

Një poemë e pakomplikuar për natën e shtunë…


mbaroi dhe java  e lodhshme  e punës
në zyrat  e akullta  s’ka mbetur  më  njeri
tunduese  shfaqet   mbrëmja e së  shtunës
e avullt…
joshëse…
turbulluese…
si  këmbët  e një  femre kur del nga  taksia
në rrugën ku pak më parë ka rëne shi…

e ti  sonte mendjen  e ke ndarë
të zbresësh  në downtown
të marrësh duke dhënë 
kur  t’i  dhurosh  dikujt
ndonjë  kënaqësi të ndaluar
mishtore…
të ngrohtë…
rastësore…

mund të jetë një  prostitutë  gazmore ajo
shtëpiake  hallexheshë  në liridalje…
një virgjëreshë simbolike
a  studente  imcake  mosbesuese
me gjoks të hedhur e   të plotë…
apo një vejushë  ndërgjegjevrarë marinari
si katedrale  e vjetër   besimtari
ku gjinjtë   këmbana s’bëhen dot…

rrëshqit  drejt  qendrës së qytetit
bashkë me  rrëketë e shiut anash trotuarëve
dhe aty ku dritat e bareve
si  yje të abortuar qiejsh  jetimë
mbi çadrat e lagura  pikojnë  pikëllim….
dikush që do këtë  nevojë  për vetminë tënde
sonte  kësaj nate  diku aty  rrotull do të jetë…
mund të të kërkojë një çakmak a shkrepse
por  edhe mund të mos  të të kërkojë  asgjë
kur  ti  të ndalosh  hapat për të ndezur një cigare…

shëtiti me rradhë baret e rrugët
hidhe spirancën diku…
pranë  femrës së vetmuar te  banaku ulu
pi bashkë me të
dhe nxito  t’ia japësh  kënaqësinë  e ndaluar...

shihe  thellë në sy …
puthe edhe më thellë në buzë
e kur  ajo më shumë të dëshirojë
gjashtëmbëdhjetë  centimetrat e tu
(nëse ajo  do të jetë me fat)
edhe tetëmbëdhjetë   mund  të  shkojnë…

por kujdes...
mund të jetë edhe ndonjë beqare
që kurre s’di  ç’kërkon…
që i  duket se jeta  s’ka  çfarë  t’i japë më…
ndaj  kohë mos humb
me vajzat  e hutuara
nga  mosha dhe sëmundja e lirisë
ku gjithshka  u  lejohet
e  s’u  ndalohet  asgjë…

Zotit  mos i kërko më shumë
veç  lutju të jetë e martuar…
do dijë  të të falenderojë  në mënyrën e saj
për mollën e ndaluar….
edhe sikur  vetëm  në heshtje…
ashtu…
mirënjohëse…
pa  fjalë…



(13 Gusht, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

31.7.11

Prushi i fundit


me  shumë mundim e  ndezëm  dhe qymyrin
barbekjuja  është gati…jemi në piknik…
do  piqen gjërat dhe pas pak do hamë
do bëjmë shaka
do shkrihemi  së qeshuri
do pimë  dhe birrë nganjëçik…

 e pastaj do më rrëfesh  kur ishe  e  vogël
që  zjarre te  ndizje  te  pëlqente…
sypërlotur  tymit  i fryje…
flakës  i gëzoheshe… lumturoheshe
teksa  krande  mblidhje  zabeleve
hareja  bubulake   përflakte
netët  plot yje pranvere…

e unë buzën do  vë në gaz
do ndez një cigare…edhe një tjetër…
e në mendime  do bie më pas
dhe  nuk  do të  të them se
sa shumë më trishton ndezja e zjarrit…
vdekja e flakëve në përcëllim
…………………………………..
çdo zjarr  që  dikur ndizja   shkujdesur,
shuante  diçka në shpirtin tim…

dhe nuk do të të them se
s’më dëshpëron hiri i zjarreve  të shkuar
por prushi që  dimrit digjet  në mangall
teksa  e shoh  të shuhet…të shuhet
e  flakën të gëlltisë  ngadalë
zvogëlohet…plaket…rrudhet…
ashtu… dritëmekur jep shpirt…
ashtu…në heshtje…pa fjalë…
e  nxitoj të shuhem para tij…
e të shkoj  i ngrohtë në atë botë...
a ndoshta të shuhem bashkë me të…
ta  rindez  më  s'mundem dot…


(27 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

Një poezi e kotë si përtesa…


është verë e nxehtë  dhe kotësi e madhe sot
dhe
ndërsa moshataret e tua  në bikini
pozojnë  në ajër
me këmbë e krahë  hapur
dhe  fotografojnë
sandalet e tyre
thonjtë…
unazat…
hijet …
ti vajzë e panjohur
mbështetur  pas shezlongut  tim
diku buzë  liqenit
kërkon ta bëjmë aty…
në mes të rërës…
në zheg  të  vapës...
në pikë të diellit…

është verë e nxehtë…
mesditë
vapë
dhe kotësi e madhe
e  për seks  nuk paskam oreks…
e panjohur  që  adhuron poezitë e mia,
poetët  takohen veç në mbrëmje…

(por ka qenë një kohë
kur  isha rreth të pesëdhjetave
pushimet  i bëja  në  Meksikë
jetoja në  Toronto…
tymosja puro kubaneze
cigare të forta  “Camel”
pija  konjak të  lirë  francez...
si gjithnjë me Gabrielën i dashuruar
gra të dëshpëruara  flirtoja
në shi dhe në vapë…
rënkoja  poezi në shqip
dhe nuk isha  si sot  kaq  dembel…)

e sot ti  kërkon të  zhytesh te unë
ashtu… tradhëtisht…
si  kujtesa kur  dëshiron të  harrojë…
e  unë përtoj të të them
“është  thellë  aty
do humbësh mes vargjesh…
do mbytesh, vajzë,
e s’do ketë kush të të shpëtojë…”

është verë e nxehtë
dhe kotësi e madhe sot, vogëlushe,
shumë vapë  për  pasione  të forta
shumë  djersë  për  ndjesi delikate
por ti më puth…
më thith…
më kafshon…
eturazi më  puth prapë
…………………………..
të dorëzohem  dhe  përtoj  të të them
që një poet  nuk mund të jetë kurrsesi
më i  bukur se poezitë e tij…
sidomos në mesditë…
sidomos në vapë….


(12 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

17.7.11

Ndryshe nga ty, miku im...


ndryshe nga ty, miku im,
i pasur nuk u bëra kurrë…
në majë  të  piramidës
s’u ngjita dot
se nuk isha shqiponjë
e as kërmill natyrisht…
dhe nuk arrita shumë në këtë jetë
që nganjëherë  pothuajse miqësisht
për pak sa nuk më mbyti…
……………………………………..
ndryshe nga  ty, miku im,
nuk arita  shume në këtë jetë…
me vargjet e mia kam bërë   poezi
dhe  ndonjë grua  të dashurojë  për së dyti…


(3 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

12.7.11

Dashuri acide


duhet të  ishim dashur më pak,
por nuk mund të bënim dot ndryshe…

të   thërmova me pasionin tim…
rërë  të  bëra…
dhe pastaj
si deti  bregun
plot  dallgë e shkumë
baticave  të mia të  fajsova
për  kështjellën  që s’ngrihej kurrë…


(1 korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

4.7.11

Nuk ditën të shkruajnë për ty, femër...


nuk ditën të shkruajnë për ty, femër…

ata pak që  dinin i mbyti morali
etika
mirësjellja
syri i tjetrit
hipokrizia
frika…

shpikën për ty  fjalë të reja
dhe stisën  vargje që nuk i kuptonin as vetë…
kurse të tjerët  s’mund të shkruanin për ty
se s’të njohën dot kurrë edhe pse  njëri tjetrin
shanin e mallkonin në emrin tënd…

i kënduan dashurisë tënde
por jo dëshirës …
i kënduan pasionit  tënd
por jo epshit…
i kënduan puthjes,
por kurrë orgazmës…
i kënduan marramendjes,
por jo ekstazës...

u kënduan  syve të tu
e vështrimit tënd  të paharruar…
buzëve
duarve
flokëve
supeve
gjinjve
por kurrë  piçkës hyjnore
që mes kofshëve  të tua  rrotullon një botë  të tërë
vetëmohimesh  të  dyshimta  turbulluar…


i kënduan gruas  në ty
të  dashurës
motrës
bijës
shoqes
mikeshës
nënës… monumentales…
por kurrë  femrës…
asaj…
të padukshmes
të  panjohurës…
spontanes…
hormonales…

* * *

por le  t’i harrojmë  ata
në  moralin e tyre të bujshëm…
në etikën e tyre sqimatare…
të vonuar si  shtojcë  “korrigjim gabimesh”
në faqen e fundit  të librave të dikurshëm…
bezdisës  si era e squfurit ne stacionet balneare...

dhe lejomë të të rrëfej se
mua ma ka qejfi me ty

por  dua të ta them
jo edhe aq poetikisht mes vargjesh
dhe për të  të impresionuar sadopak
në këtë botë lustrafine  plot  varak
mund të kërkoja ndihmën  e fjalëve të  ndërlikuara
të fjalorëve
enciklopedive
të  filozofëve dhe të  perëndive
e te te mahnisja
të të  godisja
të të hutoja
me   gjerdane metaforash
karmogjeobioteknopsikoagrofilozofike,
por jo...

mund të ta thoja me  gjuhën plot  etiketë
i ndrojtur si ngjyra  rozë e lehtë
me rrokjet e kollarisura  rrokullisur
mbi gravata fjalësh
por jo…

mund të  ta  thoja me varg  hermetik
ku nënkuptimet të pashpresa
të lodhura si gratë e revolucionarëve
përgjojnë  orëve të vona  të papriturën
dhe hapjen e derës,
por jo….

jo

sepse ti e di që unë…
që unë gjithnjë jam aq çmendak sa të kuptoj
se  në  të vërtetë gjërat janë shumë më të thjeshta
për aq kohë sa  ne  të dy
jemi ti dhe unë  e asgjë më shumë
ndaj dua  të  të them  atë që ke  qejf  të shijosh…
ashtu siç  dëshiron ta  dëgjosh…
pa zbukurime patetike
pa metafora  idioteske ndërplanetare
pa aliteracione  teknologjike …
apo ekuacione erotike   ku ti  je gjithnjë X-i  fajtor
që herë  gjendet  kollaj…
e herë  s’ia vlen të  gjëndet…

me gjashtë  fjalë të zakonshme…
gjashtë
si  gërmat në fjalën dashuri
dua  të të them  thjeshtë e saktë :
“ma ka ënda  të qihemi bashkë …”
pa le  të brengoset etika globale  paskëtaj
bashkë me  ata që  s’ditën kurrë  të shkruajnë  për  ty
ata që  s’mundnin…
e ata që u përpoqën sadopak…


(19 Qershor, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

Gravitacionale


 do vijë një ditë
kur nga mungesa e peshës
shpirti do më  rëndohet
dhe asnjëra nga gratë
që në shtratin tim fjetën...
për mua s'do të ketë më rëndësi…
të ligjshme
të paligjshme...
vejusha...
virgjëresha...
të dashura
dashnore...
perëndesha...
kurva...
karakurva...
të një nate…
bashkëshorte...
të miat
të tjetrit...
të egra…
të urta...
zonja...
mantenuta...
putana...
prostituta...
që  prehjen torturuese në krahët e mi gjenin...

do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
ti GRUA  që të femërova me hijen time mbuluar...
do mbetet   mendje e cmëndur që s'mban mënd asgjë
dhe rafteve  të  harresës  kujtimesh gdhendur
vargjet  mëkatare që për ty   kam shkruar…
……………………………………
do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
dhe po atë ditë kam për të vdekur...


©Artan Gjyzel Hasani

19.6.11

Përsëri e dielë…


nën ombrella tingujsh  fluturat largohen
dhe muzgu në pëllëmbë të mbrëmjes
vetveten mbyll
aq ëmbël…
aq butë…
brengplotë …
si   melankolia
në sytë e hiroshimtë  të  japonezes
kur  me   një  amerikan  bën  dashuri…
dhe unë në në këtë orë
në  shtëpinë time kthehem…
aty ku paqja është  rutinë
dhe luftërat humbfitohen në  qetësi…

do shtrihem në  divanin tim të preferuar
përballë kolltukut të saj...
laptop…
cigare…
bajame të pjekura
natyrisht dhe ca Jack Daniel's
për të qetësuar qejfe të mbetura…
Pinkerton  pa Madamë  Butterfly…

do përkëdhel me sy  hamsterin  e ngratë
që rrotën në cdo rrotullim  zbulon…
lavjerrësin e orës  që  kurrë nuk mëson
cfarë ndodh përtej castit që mat…
freskuesen e palodhur në tavan...
qiriun erëmirë që mbi një pjatëz përflaket...
rrobat në lavatrice që vorbullës së  shkumës
i jepen plot shpresë si e premtja të shtunës
dhe ndjej te mos dua t'i dorëzohem
kësaj vdekje  aromatike
të rrumbullakët...

pastaj  do hedh vështrimin tim
mbi ketë grua te mire që  kafenë e re
të saponxjerrë nga mulliri i vjetër
ka vënë në zjarr
ndërsa  xhezven bashkëshortore
me lugën   legjendare   përzien
dhe heshturazi  kërkon të dijë
se cfarë bluaj në mendjen time
sa herë që frymë thellë marr…

por…hej…
ca gjëra  mund të jenë  vërtet ndryshe
ose ndryshe mund të kishin qenë
puthjet
qirjet
prekjet
e teksa dremitja ëmbël më nanuris
kuptoj se s’kemi fuqi të ndryshojmë
as veten…
traumat…
sikletet…
…………………………………..
arritëm aq herët  këtu ku jemi…
tashmë është vonë…
shumë vonë…
dhe gjërat nuk mund të jenë kurrë ndryshe
duke mbetur  përsëri   të njëjtët…


(29 Maj, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

Epigrami i Emigrantit

i gëzuar pa gëzim
jeton  shfaqjen  e fundit  kllouni
pa bujë...
pa fanfara…
pa spektatorë…
vetë qesh…
vetë  qan…
me duart si akrepat pa orë
vetveten duartroket
mëngjeseve shpresëdhënës
ku fati e ka hedhur...
por kur  bie mbrëmja e qetë
mbi pudrën  e faqes
që shkundet aq lehtë
lotin e humbur   kërkon
dhe  skenën e vjetër
pasqyrash të thyera vjedhur…


(maj, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

20.5.11

Shpartallimi…


 e mbaja mend  të vogël  fare
gruan që takova atë natë…
e sapomartuar  ishte ajo…
dhe unë   akoma i parritur...
pothuajse  pesëdhjetvjeçar …

si mik i vjetër  e përqafova…
nën pardesynë  e hapur ishte lakuriq…
mes petaleve të buzëve nën shiun që binte
trëndafila të  egër papritmas çelën
kur e putha thellë…
jo edhe aq miqësisht…

buzë trotuarit  e  qiva  fort
ndërsa ajo më bëri dashuri
mes shiut  qe binte litar...
nuk ishte shi...
por  ishte zjarr...
pas çdo rrufeje një rënkim…
pas  çdo rënkimi një  gjëmim i ri…
ndërsa njerëz me çadra kalonin rrugës…
na shihnin…
largoheshin…
supet mblidhnin
dhe nën  feksje vetëtimash
syve  s’u besonin…

ajo
me të dy duart pas një shtylle  elektrike kapur
unë
nga pas saj…
fort…
oh sa fort…
si   dy shenja pikëpyetjesh
në chatet virtuale të padurimit
pas njëri tjetrit   puthitur…
ndërsa  flokët e lagur ia  tërhiqja nga pas
gishtërinjtë  në gojën e shqyer
të tjerë mbi gjinjtë…
thithat e rebeluar…
sytë  e  vakur…
midriazë..
ekstazë…
puthjet  kafshueshëm  në ijen e  majtë…
përgjërim…
zëfikur…
“të lutem…zemër…
më dëshiron vërtet?
më thuaj…
vdismë…
mbaromë…
nuk jam vogëlushja që njohe dikur…
më ngop  dhe më bëj të ndjehem femër
dhe pastaj…
ashtu si më ndeze
më shuaj…”

u shpartalluam per vdekje atë natë
përdhe të dy  ramë…
njësoj të  mbaruar…
me duart akoma rreth shtylles ajo
dhe unë mbi të…
penguar...
rrezuar...
……………………………
si për të mbrojtur  lotët e saj
nga  qielli që zbrazej  pa lagur më…

pastaj u ndamë…
secili në udhë të vet…
e  sapomartuar  ajo
e unë djalosh i plakur  pesëdhjetëvjeçar…
mes rrëkesë së shiut  që rrëmbente gjethe
dhe  derdhej perlotur  në  një pusetë
nje salamandër pikëverdhë ndërmënd më solli
sandalen  e humbur  të  fëmijërisë së saj…


(15 Maj, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

4.5.11

OSBAMA

u tha…
u ba…
më  s’ka…

e vrau  terroristin…
e pastaj
sipas riteve moderne anti-terror
në det e hodhi
dhe pa varr e la

e që bota e tij  të ishte
më e qetë
më e fisme
dhe që odisea arabike
si ato homerike
që  zgjati dhjetë vjet
të mos bëhej legjendë
fotografitë ia varrosi
një herë e mirë të  vdiste

i paterrorizuar
me gruan
fëmijët
dhe me të ngjajshmit e tij
në ekstazë gëzoi
me Coca Cola dhe flamuj
harboi
festoi
i lumtur që armiku nr 1 nuk ishtë më
ashtu si edhe armiku nr 1.000.000 më parë
ndonjë iraken fatkeq apo afgan i rrëgjuar…
burrë…
fëmijë…
grua…
plak apo i porsalindur
kjo s’ka  shumë rëndësi

dhe  pastaj
kur nata ra
dhe terrori u terr
për në shtëpinë bardhoshe
rendi  shend’ e ver’
mbylli  dyer e dritare…
pas portave të blinduara
nën kamerat e sigurisë
një frikë të re përgjoi...
për të shmangur hijet mureve
dritat i fiku...
për t’u mbrojtur nga fantazma e njeriut pa varr
me një lëvizje të gishtit
televizorin shoi
dhe në mendime të thella ra
i shqetësuar për popullin  e tij
në befasi të kapur
nga mungesa e gogolit...


(4 Maj, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

2.5.11

Kameleonët (një poemë e sforcuar prozaike jo për Fridën)

 e kisha njohur në një periudhë të papërshtatshme të jetës sime…
ndoshta fillimi i kësaj epoke që jetojmë sot
epokë me prapashtesë  fjalën “digital”
kish qenë pranverë dhe filozofimet e mia të atëhershme
kishin patur një karakter më social…

kanalet televizive gëlonin nga modele anemike
që të jepnin mënd për gjithshka…
kundër ndotjes së mjedisit  protestonin
yje të perënduar të kinemasë…
politikanët akoma pozonin me fëmijë ne duar
si edhe më parë gazetarët vazhdonin të ishin
të pacipë  dhe  gënjeshtarë…
në ekran lavatriçe reklamonin
meshkuj me fytyrë katrore  dhe dhëmbë të bardhë…

lakuriqësia nuk ishte më tabu,
por ishte një detyrë e shenjtë
gjithshka  kish dalë në shesh
asgjë e trupit femëror nuk ishte më e paekspozuar
dhe e panjohur për publikun mashkullor
që gjithnjë e më shumë shtonte vizitat te psikologu
dhe  te psikiatri  më shpesh...

farmacive ishte shfaqur Viagra
dhuratë për penisët e lodhur
ereksion i sigurtë paskëtaj…
dashnori i gruas  konsiderohej publikisht
miku  më i mirë i familjes
e nganjëherë  edhe  mjek i saj…

bisnezmenët visheshin me xhinse të grisura,
muratorët me kostume dhe gravata,
gjykatëset me mini dhe gjokslëshuara,
putanat të mbuluara deri në grykë.
të sapomartuarat gjithnjë e më shumë
nën pushtetin  absolut  të “ex”-it…
çantat shkollore shiteshin të shoqëruara
edhe me nga një prezervativ
dhe prezervativët me ngjyra nga më të çuditshmet
duke përfshirë edhe ngjyrën e zezë
që e kish ulur vlerën e zezakëve
në tregun e hamshorëve  të  seksit…

qentë qarkullonin me pantallona të shkurtëra,
ndërsa zonjat e tyre pothuajse lakuriq...
në Filipine një burrë pretendonte se ishte shtatzënë,
ndërkohë që në Holandë dy gay fotografoheshin
me dy binjakë bullafiqë…
pas pak ishte shfaqur edhe delja Dolly
si mishërimi më i qartë i tabuthyerjes
ndërkohë që priftërinjtë  kapeshin në flagrancë
duke vjedhur proteza penisësh artificialë …
gjeneralë në pension pohonin lidhjet e fshehta me armikun
dhe studentë të plakur para kohe
të pashpresë në kërkim të ndonjë revolucioni të ri
që mesa dukej nuk ekzistonte…

* * *

njerëzimi kish pasur mbifuqinë e duhur për të rrënuar tabutë e fundit,
por edhe dobësinë e tij  për të administruar gërmadhat e tyre…
shkaterrimi kish qenë  kaq  i lehtë...
qytetërimi më në fund kish arritur të kuptonte
pashërueshmërinë e sëmundjes së tij të fshehtë…

nën moton “ Njih vetveten!“
njeriu  kuptoi që thellë  tij  fshihej
një krijesë e paskrupullt,
në  dukje  e pafaj...
një kafshëz e rrezikshme
vrastare
egoiste
që shpesh në mungesë të viktimës
gëlltiste veten e saj …

Era e Ndryshimeve i bëri njerëzit kameleonë
por duke dashur të tregohen origjinalë,
njerëzit u tjetërsuan aq shumë
filluan të ringjanin me të tjerët
dhe kameleonët  u bënë majmunë…

“Kush i bën gropën shokut, bie shoku në gropë!“
- filozofia e saktë e epokës…
paraja si edhe më parë vazhdonte të lëvizte botën
dhe në bursën e vlerave njerëzore
një thes mut kushtonte më shtrenjtë
se sa një kokteil  lotësh…

* * *

në fillim të kësaj epoke kisha njohur Fridën,
tek e cila Era e Ndryshimeve
kish lënë shenja tepër të pazakonta:
kish mbetur e pandryshuar
si një simbol  përkushtimi dhe sinqeriteti…
model mirësie aq i ndryshëm
nga nënproduktet e Çlirimit dhe të Emancipimit…

i pëlqenin lulet  dhe ngjyra e kaltër…
skuqej kur lexonte ditarin tim…
dhe vargun tim epshpërndritur
me dënesë qante  kur shikonte
“Gone with the wind”…
shkonte në kishë çdo të dielë
dhe me mua bënte dashuri me dritën fikur…

luante në piano hymne fetare…
ballada rock-u  të viteve shtatëdhjetë
dhe besonte se në vitin dymijë
kjo botë e dhjerë   do të shkonte  tatëpjetë…
…………………………………
kish ardhur me mua thjeshtë për të mëkatuar…
mëkati më i vogël që mund të bënte
dhe unë i jepja të drejtë…

 (por isha  larguar nga ajo dy javë më pas...
më  dërmonte  pafajësi’ e  Fridës
kur  veten  pyesja  orë e ças’
sa kohë mund të jetojë i lumtur një burrë
i mbyllur në një dhomë me një pikturë,
qoftë kjo edhe e MonaLizës…)


(2000 - 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

19.4.11

Kurvat siameze


ndodhi në perëndim…bash në zemër të  Torontos…
diku pranë   statujës së Çurçillit…
në atë sheshin me  pëllumba të bardhë…
aty  në  Freedom  Arches…
plakun  me swastikën në xhup të stampuar
zvarrë e tërhoqi…
zvarrë…
dhe policëve të zellshëm ia  dorëzoi
turma  që në delir   duartrokiti  
djaloshin  trendy me  sy të zgurdulluar
e me drapër e çekan  në stemën  e  kokores së  tij
kur turfulloi  dhe shau me një anglishte të kulluar
"damn you nazi bastard
damn you fucken nazi!”
…………………………………………….
pëllumbat  të trembur fluturuan…
fluturuan larg e  s’më panë
ndërsa  largohesha  më i kthjellët se kurrë…
ashtu…me një iluzion më pak…


(19, Prill, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

6.4.11

Andërranda


sa shum’ andrruem n’jetën ton’
dhe jetën e bam'  andërr,
sa shum’ andrruem…sa shum’,
dhe jetën e bam' gjum’…


jeta qeka nji andërr e madhe,
andrra  qeka nji gjum’ i gjat’…
lum’  i pazashëm nan  qepalla strukun…
dhe padashtun  n’gjum’  bim’  qi t’shofim nji andërr…
e tan jetës flejm’ n’arrati  prej vetes
boll qi andrrën ta shofim t’bukur...

* * *

kët bot’  gjumashësh sa fort du  ta zgjoj…
ndaj  kam nji andërr
qi t’mos kem ma andërr
e nji bot’  pa andrra  t’arnoj…

por

ty  veç n’andërr t’kam pa
për jet’ e mot
e  s’di a je…
e s’di si je…
veç di qi je…
atje…
n’andrrat  bardhezi   ku  m’endet  anda
n’vegime  agimesh qi ata s’i  shofin dot
…………………………………………
kam nji andërr  t’mos kem ma andërr
e nji bot’  pa andrra  t’arnoj…
po ata  flejn'
flejn'   edhe kur  s'kan'  andrra
e mu rilindjesh  m’vdes   andërranda
n’kët botën time  ku  pa gjum’  rrnoj…



(1996 - 2011)
©Artan Gjyzel Hasani



edhe ne shqipen standarde:

Endërrënda


sa shumë ëndërruam në jetën tonë
dhe jetën e bëmë  ëndërr,
sa shumë  ëndërruam…sa shumë,
dhe jetën e bëmë  gjumë…


jeta qënka një ëndërr e madhe,
ëndrra  qënka një gjumë i gjatë…
lumë  i pazëshëm nën  qepalla strukur…
dhe padashur  në gjumë  biem që t’shohim një ëndërr…
e tërë jetës flejmë në arrati  prej vetes
mjaft që ëndrrën ta shohim të  bukur...

* * *

këtë botë  gjumashësh sa fort dua  ta zgjoj…
ndaj  kam një ëndërr
që t’mos kem më ëndërr
e një  botë  pa ëndrra  t’arnoj…

por

ty  veç në ëndërr të kam parë
për jetë e mot
e  s’di a je…
e s’di si je…
veç di që je…
atje…
në ëndrrat  bardhezi   ku  më endet  ënda
në vegime  agimesh që ata s’i  shohin dot
…………………………………………
kam një ëndërr  t’mos kem më ëndërr
e një  botë   pa ëndrra  t’arnoj…
po ata  flejne
flejne   edhe kur  s'kane  endrra
e mua  rilindjesh  më vdes   ëndërrënda
në këtë  botën time  ku  pa gjumë  rroj…

(1996 - 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

1.4.11

Ballada e gjakut


në një hotel kurvash  shumë vite më parë
në lagjen "Plakë"  të  Athinës së vjetër
mes gjinjve  të rumunes  Adrianë  kalova
të ftohtin e një dimri  në  zjarrmi dhe epshe…

* * *

mbaj mend një  ditë në dhomën e saj
ndërsa  hyra  si gjithnjë i turbulluar
dy femra lakuriq mbi të njëjtin  shtrat  gjeta…
dy flutura nga i  njëjti zjarr përvëluar…

një vashë e panjohur…e ndrojtur  shtrirë…
strukur nën sqetullën e rumunes Adrianë
e zbehtë si nje re… me sytë  si dy rubinë
mbi jastëkun  e bardhe të verdhët flokët e saj…

dhe mendova atë që  do mendonte  çdo burrë
dhe gjakun  ndjeva  të më  buçasë
deri në mengjes  do t’iu bëja dashuri
rumunes Adrianë  dhe  të panjohurës vashë…

por ndërsa u zhvesha dhe mbathjet hoqa
Adriana  çarçafin nga trupi i vashës  largoi..
përgjakur  ajo gjë e bukur mes kofshëve të saj
buçimën  e gjakut papritmas  ma ndaloi…
dhe  me zerin e trashe qetesisht me tha:
“i kanë ardhur  “ato” për të parën herë
ndaj sot do kënaqesh veç me mua
dhe e vogla   në heshtje do  të mësojë
si bëjnë  dashuri një burrë e një grua”

vetëm me Adrianën bëra dashuri  atë natë
ndërsa vetëm  me sy vashën e re shijova
në ikje  i putha veç buzët  e saj
e veç me qershi  të kuqe  ia mbolla…

nuk ia trazova ullishtën e syve…
as gjinjtë  si  limonë  nuk e ndjenë  prekjen time…
as  format tunduese si dunat në shkretëtirë...
pjeshka pushverdhë mes kofshëve   të njoma
një herë në  muaj do çelte  luleshtrydhe…
një herë në muaj veten do pyeste
“më mire të jesh grua...apo fëmijë më mirë...?"

e ndërsa  paratë  po lija mbi  komodinën e vjetër
Adriana  luleshtrydhen me sy  kish  përpirë
duart e dridhura vuri te barku...
të përgjakej edhe vetë   pati  dëshirë...
dhe me gjakun e vashës  gjinjtë e vet përflaku...


* * *

vite më vonë  nga  lagja “Plakë”  kalova
e ndërmënd më erdhi rumunja Adrianë
në  tavernën e  Jorgos   rastësisht mësova
se  vasha e panjohur  kish qenë  bija e saj…


(31 Mars, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

18.3.11

Mos qaj…(variant i ripunuar)


 në shtratin tim  mund të të jap veç seks,
por  ti me ngulm  kërkon dashuri…
dhe s’e kupton që unë nuk mundem  të të fal
magjinë që  deri dje ta jepte ai…
…………………………………
oh…perëndi…kjo  histori e vjetër...
sa shpesh zhgënjimi nga dashuria
e bën  një grua të  shkojë me  një tjetër…

* * *
nuk është gjak lëkurës sime derdhur
ajo që thithin buzët e tua,
është mirazh i kafshimeve të dikurshme
në syte e tu të skuqur...
është dhimbje...
gërryerje...
thonjgërvishtje...
epsh mollëkafshuar evash
padrejtësisht të  adamizuara...
……………………….
s’është prush,  por hi…
ështe plaga ime  pa gjak
sa herë më afrohet një femër
si ti.


* * *

kam qenë edhe unë këtu ku je ti tani
kur  veten e përhumba   jetëve  të të tjerëve
e ajo  çdo ditë e më shumë më harronte…
hieroglife  kineze  të ngatërruar
besime dhe premtime
fjalë të pathëna kurrë
dhe unë i verberi që   donte  t’i deshifronte
mes   turmës hokatare
që shpallte vetmine time…
……………………………
ka qenë një kohë kur qiej  të panjohur
fluturimet shkujdesur m’i tradhëtuan…
si gruaja kur  braktis një burrë…

* * *

njësoj të braktisur, por në kohë  të ndryshme…
prandaj  kaq të ndryshëm…
dhe ja ku jemi  sot
……………………………..
ti me të  freskëtën  të lagurën plagë
unë  burri që  asgjë s’e plagos dot……

* * *

e ti tashmë je e vdekur për atë?
nuk të do më?
për ty s’ka mall?
mos qaj!
që të shkosh në parajsë më parë duhet të vdesësh…
por ti vdis e re
sa më vonë të jetë e mundur…
……………………………….
në ferr shkohet edhe i gjallë…

* * *

nuk të do më?
për ty s’ka mall?
të  paska harruar?
dashuria nuk prenotohet
si në një hotel me parapagim:
"ju lutem më mbani një vend DASHURI bosh
për korrikun e ardhshëm!"....
dashuria thjeshtë...NDODH ,
pavarësisht kohës apo njeriut të gabuar...
ndaj mos qaj!
dje dashuria e bënte të mos e ndjente kohën...
sot koha e bën të mos ndjejë dashurinë…
por ti mos derdh lotë të rinj  mbi brenga të vjetra…
brenga të tjera më pas do të vinë…


* * *

eja pra  vogëlushe…
të lutem mos qaj…
kujto vullkanin që të harrosh tërmetin…
që të blesh lumturi duhet të shesësh shpirt…
jo gjithnjë dashuria është ajër...
nganjëherë frymëmarrja eshtë e dëmshme për shëndetin…


(2008  & 2011)

©Artan Gjyzel Hasani

5.3.11

Tolerancë

gjarpërin e vrava dhe helmin ia piva
që t’mos më helmonin të tjerët…
gëlltita  krokodilin
dhe lotët  e tij  atyre ua  fala…
shpërblim për funeralin tim…

©Artan Gjyzel Hasani

26.2.11

Të mosvdekshëm (poeme)


Hapësira  është mbushur me yje  balte, e dashur,
dhe vend  varri për ne aty s’ka…
me cigare  diellin do  ta djeg...
derën e qiellit pas vetes  do mbyll...
do zbresim poshtë e do marrim dhenë
atje poshtë  ku jetojnë ata…

Do  të  shajnë nëper dhëmbë kostumin tim
këmishën
gravatën
këpucët
si dhe fustanin tënd  të ri...
por ti mos  u mërzit e dashur
kështu i  kanë  zakonet në  k’to  anë...
le të zhvishemi që ata të merren më lehtë
me rrobat  tona...
që ne të dy  të merremi më bukur
me trupat  tanë…

Po  të  dilnim  lakuriq  para tyre
ata përsëri  do  na i shanin  trupat joshës...
do i quanin  të shëmtuar e të rrudhur
dhe ne përsëri do zhvishnim lëkurën dhe mishin
që ata  të merreshin me lehtë me trupat tanë
e ne me skeletët  tanë të bukur…

Ne mund t’iu  tregojmë  atyre edhe skeletët tane
dhe  ata nuk do guxonin  kurrë  t’i shanin
e  atëhere  ndoshta do na linin të qetë…
do na harronin  e do na sillnin lule
mes lotë  krokodilësh si vesa e mëngjesit...
por ne e dimë  nga atje lart ku ishim,
jo gjithnjë  lulja është syri i virtytit
më  shpesh  është  percja e vesit…

Po fundja  eja të vdesim
për hir të këtij  funerali  kaq të bukur...
nuk është  rradha jonë
por kjo s’ka  rëndësi…
eja…
rast tjetër më të mirë nuk do  të kemi
nuk e sheh që kanë sjellë priftin më të mirë?

Nuk e sheh që kanë sjellë buqetat më  aromëmira?
Nuk e sheh si shndrin dorëza e florinjtë e arkivolit  të praruar?
Nuk e sheh që kanë sjellë varrmihësit më me përvojë?
Nuk e sheh se cfarë  dhe i shkrifët  e i ngrohtë anës gropës avullon?
Nuk e sheh sa shumë njerëz kanë ardhur  për lamtumirën e fundit?
Nuk i shikon?

Nuk do derdhin asnjë lot për ne…
por ti mos mendo keq për ta…
E  si  do  të mundnin?
Një jetë  të tërë jetojnë  pranë varrezës
e ne një jetë  të tërë  pranë tyre  vetmojmë…

Eja  të vdesim sot
për hir  të  këtij funerali  kaq  të bukur…
e  nesërmja  është dikur…
mosvdekja  nuk është  pavdekësi…
………………………………..
eja, e dashur,
nuk është  rradha jonë…
dhe nga mallkimi i tyre  ndoshta
rradha s’na vjen kurrë…



(1993)

©Artan Gjyzel Hasani

19.2.11

Requiem (ose The same shit in a different night...


grua, ti nuk e di,
por ndoshta edhe e di

që më neverit ky burg…
kjo qeli bashkëshortore
ku asgjë më s’më ndjell
kësaj ore të vonë
dhe shtrati ynë epik
legjendaro- heroik
së fundmi  më bën të vjell
pavarësisht stoicizmit tonë…

më janë neveritur abazhurët…
kuvertat e mëndafshta…
perdet…
qirinjtë aromatikë…
carcafët që ndrrohen cdo ditë
nudoja e Rubensit mbi kokë…
kolltuku pranë pasqyrës
ku tangat e tua  hidhen pa kujdes…
librat e Danielle Steel mbi komodinën tënde
Bukowsk e  Miller pranë telefonit…
puthjet e ‘natën e mirë”-s dhe puthitjet…
pordhët aksidentale  në gjumë…
gërhitjet
dhe mbathjet e mia  mbi parket  cdo mëngjes…

më janë mërzitur ornamentet
tavanet  e varura dhe muret…
një jetë të tërë bashkë, grua,
jemi njohur më shumë se c’duhet…
më është mërzitur seksi që bëjmë
më janë mërzitur “herët”
dhe cigaret që shkujdesur ndezim
me hi na i pagëzojnë mëngjeset…

cdo ditë e njëjta grua...
cdo dite i njejti burre...
cdo ditë e njëjta jetë...
cdo natë e njëjta “të dua”...
cdo natë e njëjta fletë...

e tmerrshme  dhe per  ty, grua,
tërë jetën me të njëjtin burre:
të njëjtet sy te veshtrojne...
të puthin të njëjtat buzë...
i njëjti trup  mbi tëndin...
frymëzim pa muzë...
i njëjti përqafim...i njëjti përvjetor...
të njëjtat ngërdheshje...
i njëjti zemërim...

e  tmerrshme edhe për mua
tërë jetën me të njëjtën grua,
në  të vetmen...
të vetmen  jetë...
dy vetë mbi një jastëk “mish e thua”
e në ëndrra gjithmonë një e tretë…
……………………………..
e megjithatë  duhemi si më parë
dhe si dikur duam të bëjmë dashuri,
por në fakt vec  qihemi  sipas programit
në rutinën që na shkërdhen të dy…


(19 Shkurt, 2011)

©Artan Gjyzel Hasani

14.2.11

Për ne të dy


ikën  dhe kjo ditë  në të njëjtën orë…
e zakonshme…
normale…
pa ngjarje   horizontale…
me dinjitetin vertikal zvarrisur në punë të vet…
ikën pa i rënë në sy askujt
si një grua pa dashnor...

vjen mbrëmja  e më pas bëhet natë…
e vetmja  që na bën bashkë…
turbulluar sytë  e  tu
të papriturën  duke pritur…
gjurmë  të gjelbërta  kapronjsh të  kaltër
ne lotin e  drenushes mbytur
pengojnë sytë e mi  që  të shohin qartë…

dhe nesër  do vijë mëngjesi
dhe  pjesë e botës së tyre  do jemi  përsëri
kur shfaqja e tyre do fillojë
këtij muaji  të  shkurtër  të  paharruar
Karnavale e  Valentin  klonuar
me lule
fanfara
dedikime
predikime
idhuj të  dashurisë
dishepuj
……………………..
shfaqja  do vazhdoje me prestidigjatorë të lodhur…
nën  kapelet e   vjetëruara  që dje nxirrnin pëllumba…
tashmë  fshehin  veç  lepuj…

është ora ekzakte e  harlekinëve...
ora  kur ata s’mund të jenë  vonë
…………………………………
loti  faqes së  tyre  ngrirë-
ajsbergu i shpirtit tonë …

por le  t’iu japim  atyre një puthje ngushëlluese
teksa malin e akullt   përpjetë ngjisin,
ndërsa ne të dy  në krahët e njëri tjetrit
thellësive  tona të padukshme   zbresim
per të   bërë dashuri
horizontale
vertikale
diagonale
murale
pas murit që përjetësisht na ndan nga ata
………………………………………
dashuri pa  statuja dhe piedestale
nëse  vërtet një  të tillë  ka…


 (13  Shkurt, 2011)

©Artan Gjyzel Hasani

10.2.11

Ftesë për Shën Valentinin nënës sime plakë


 Nënë,
e dashura  ime nënë,
mos shko  këtë mëngjes   te varri i tim eti
është  Dita e Të  Dashuruarve…
shko më vonë atje
në mbrëmje  kur  askush  s’të sheh
dhe tregoja  të gjitha…

eja , të  shkojmë në vende
që  të bënë të lumtur dikur
atij parku me shelgje ku  puthjen e parë  more
e  të vetmen  dashuri  ndjeve  gjirin të te djegë...
eja të  shkojmë atje ku  vajza u bë grua
te ajo dhomë  e varfër  ku  me tim atë
për  të parën herë bëtë  dashuri
dhe  përjetësinë  njëri  tjetrit  i  premtuat…

eja  dhe  vër  parfumin më të  mirë
dhe vec për sot hiqi  rrobat e zisë…
vishu  sic  do donte babai  të visheshe
fustanin  e kaltër  dekolte…
bizhutë dhe sandalet  që në dorë mbaje
sa herë që e dehur prej lumturisë
në krahët e tij  rrugën për në shtëpi merrje…
ndërsa e qeshura jote kumbuese
erresirës  i  prishte qetësinë…

eja të shkojmë në vende tunduese
që sot i ka mbuluar harrimi
ku xhelozinë ndjeve  të të  plagosë
dhe shtegëtimet e zogjve nise t’i dyshosh
pa e mësuar se kush e kish fajin
qielli
flatrat
apo fluturimi…

dhe natën vonë  shkoi pranë mermerit
thuaji se nga  të gjithë premtimet
që shkujdesur  të  falte  ai,
më e ëmbël ishte dhimbja…
mes mërmërimash  bëji  dashuri
falja edhe ti  të gjitha
……………………………………
mjellmës  klithmën që  askush  s’ia  dëgjoi
tradhëtoja  në mënyrën tënde  të butë…
të bardhë  dhe të urtë…
duke mbetur përjetësisht e tija…

Nënë, mos shko  këtë mëngjes   te varri i tim eti
shko më vonë atje,
në mbrëmje  kur  askush  s’të sheh
dhe tregoja  të gjitha…
është Dita e të Dashuruarve,
e të dashurve…
e dashnorëve
e  besnikëve  dhe tradhëtarëve  bashkë…
…………………………………………
është ditë e dashurive  të zhurmshme
dhe  e mjellmave që s’bëzajnë…


(10  Shkurt, 2011)

©Artan Gjyzel Hasani

29.1.11

Etnoblasfemi

e dua shumë Atdheun,
o  heronj  pa heroizëm  të  vendit tim,
por preferoj më tepër  ngrohtësinë e një   femre…

këmbana  paqeje janë  gjinjtë e saj
e unë  këmbanari  i tyre orgazmik
nga politika juaj i shkërdhyer
nga  internacionalizmi  juaj i  neveritur...
nga globalizmi juaj  i  fyer…
nga patriotizmi juaj i rremë i lodhur...
jam  bashkëqytetari  juaj tragjikomik
që nesër shesheve do të vendosë
në vend të  statujës së  Heroit  Kombëtar
Monumentin e Dashnores  së Panjohur…


(29 Janar, 2011)

©Artan Gjyzel Hasani

13.1.11

Domosdo…


une s’të kam takuar  kurrë ty…
nuk të kam parë…
nuk të njoh…

por  kur në një  banket  tajlandezësh
një pjatancë  me midhje  të gjalla  më servirën
me  banane  dhe orkide  anash zbukuruar
e diku pranë tyre  ca  briosh
kofshët e tua  që nuk i kam parë kurrë  përfytyrova
e  atë  gjënë tjetër  domosdo…
domosdo të bukura  e aromëmira,
përderisa  dëshiron  të  m’i tregosh...

dhe  ndërsa  alkooli  përtej gurmazit tim
niagarë  viagre mbi gjoksin  leshator  rrodhi
peceta  që kisha mbi  prehër përdhe  u rrëzua...
e bardhë sic ishte  më nuk ishte
kur  vera  e derdhur me lulëkuqe e mbolli…
e  teksa kamarierja kineze  u përkul  ta merrte
e dy gjinj  të hatashëm  zbuloi
dora  e ndrojtur e  eskimezes  që kisha pranë
ekuadorin tim  fërkoi…

por nuk doja me asnje  femër nga ato ta bëja,
vecse me dorën time që orkidet  kish prekur…
ndërsa kofshët e tua që nuk i  kam parë  kurrë
ndjeva të mos doja t’i tradhëtoja…
.......................................
u ngrita  e në banjë  hyra...
pas derës së saj  të mbyllur
të gjitha gratë e botës i harrova…

ja të gjitha këto ndodhën  mbrëmë
kur  një  pjatancë me midhje të gjalla më ofruan...
mes orkidesh  të bananta  i avullti  briosh...
dhe në mendje më erdhën
domosdo kofshët e tua…
kofshët e tua  që  kurrë  s’i kam  parë….
……………………….
të bukura  domosdo
përderisa  ke qejf  të m’i  tregosh…


(12  Janar, 2011)

©Artan Gjyzel Hasani

7.1.11

Eppur si muove...



e megjithatë  ajo  lëviz…

lëviz  brenda teje
në  gjinjtë që ti  prek
në barkun  që përkëdhel
në  venusin  tënd  ku  jugë  e ngrohtë  fryn
të turbullon…
të huton…
dhe e imja bëhesh pa e ditur as vetë…

e megjithatë  ajo  lëviz…

lëviz brenda  teje
ëmbël  të trullos
nektar…
dehje…
dritë në sy bëhet…
regëtimë…
buzëqeshje…
dridhje e buzëve…
vështrimi im që qerpikëve të  tu digjet
si heretiku mbi turrën e druve…

e megjithatë  ajo  lëviz…

lëviz  brenda teje
të përflak…
epshet  t’i  përndez  si  natë  gushti…
edhe kur  eklipset  e  diellit  tim
me hënat e heshtjes tënde vallëzojnë
melodi  Kopernikësh të lodhur...
mbi  Udhë të kalldrëmta Qumështi...

e megjithatë  ajo lëviz

lëviz brenda teje
në  ata sy qe nuk i shoh...
në  akujt  që  kanë zënë të të shkrijne sqetullave ...
gjinjve të brishtë ku  manushaqet e puthjes sime
vesë  malli pikojnë …
nën ata flokë ku dimërojnë pranverat e tua...
lëndinë për këmbën e vockël  dhe
hapat e fshehtë të vështrimit tënd
mendimi im bëhet
e ti
përditshmëria e një malli të paralajmëruar...

e megjithatë ajo lëviz

mëngjeseve  të tua  kur ndërsa dhëmbet lan
në pasqyrë kërkon sytë e mi...
mesditës  tënde  kur në tryezën e drekës
vë gabimisht një pjatë më shumë...
mbrëmjes  tënde  kur  muzgun e heshtur për mua pyet ti...
të gjitha netëve  të tua  kur
mëngjesi...
mesdita...
mbrëmja....
pashmangshmërisht bëhen  unë…

e megjithatë  ajo  lëviz

lëviz  brenda teje
edhe kur  të duket  sikur më harron
e neveritur nga zemërimet  dhe mëritë
nga  dyshimet dhe mosbesimet…
edhe kur buzëqeshjen ngrin buzëve të mia
ndërsa me pinguinët e  kokëfortësisë tënde
padashur më shndëron në  Anktarktidë...

e megjithatë  ajo  lëviz

lëviz  brenda teje
edhe pse mengjeset tona tashmë nuk takohen…
as netët...
as muzgjet që pikojnë  pikëlllim…
leviz  brenda  teje kur  me  spërkatje  vargjesh
ëndrrën që kam parë  të pëshpëris
dhe ti magjishëm si mbrëmja
atje larg  fle zgjimin tim...


(7 Janar, 2011)

©Artan Gjyzel Hasani