10.2.11

Ftesë për Shën Valentinin nënës sime plakë


 Nënë,
e dashura  ime nënë,
mos shko  këtë mëngjes   te varri i tim eti
është  Dita e Të  Dashuruarve…
shko më vonë atje
në mbrëmje  kur  askush  s’të sheh
dhe tregoja  të gjitha…

eja , të  shkojmë në vende
që  të bënë të lumtur dikur
atij parku me shelgje ku  puthjen e parë  more
e  të vetmen  dashuri  ndjeve  gjirin të te djegë...
eja të  shkojmë atje ku  vajza u bë grua
te ajo dhomë  e varfër  ku  me tim atë
për  të parën herë bëtë  dashuri
dhe  përjetësinë  njëri  tjetrit  i  premtuat…

eja  dhe  vër  parfumin më të  mirë
dhe vec për sot hiqi  rrobat e zisë…
vishu  sic  do donte babai  të visheshe
fustanin  e kaltër  dekolte…
bizhutë dhe sandalet  që në dorë mbaje
sa herë që e dehur prej lumturisë
në krahët e tij  rrugën për në shtëpi merrje…
ndërsa e qeshura jote kumbuese
erresirës  i  prishte qetësinë…

eja të shkojmë në vende tunduese
që sot i ka mbuluar harrimi
ku xhelozinë ndjeve  të të  plagosë
dhe shtegëtimet e zogjve nise t’i dyshosh
pa e mësuar se kush e kish fajin
qielli
flatrat
apo fluturimi…

dhe natën vonë  shkoi pranë mermerit
thuaji se nga  të gjithë premtimet
që shkujdesur  të  falte  ai,
më e ëmbël ishte dhimbja…
mes mërmërimash  bëji  dashuri
falja edhe ti  të gjitha
……………………………………
mjellmës  klithmën që  askush  s’ia  dëgjoi
tradhëtoja  në mënyrën tënde  të butë…
të bardhë  dhe të urtë…
duke mbetur përjetësisht e tija…

Nënë, mos shko  këtë mëngjes   te varri i tim eti
shko më vonë atje,
në mbrëmje  kur  askush  s’të sheh
dhe tregoja  të gjitha…
është Dita e të Dashuruarve,
e të dashurve…
e dashnorëve
e  besnikëve  dhe tradhëtarëve  bashkë…
…………………………………………
është ditë e dashurive  të zhurmshme
dhe  e mjellmave që s’bëzajnë…


(10  Shkurt, 2011)

©Artan Gjyzel Hasani