16.5.10

Bain - marie

Ti grua që po bëhesh gati për t’u larë
të lutem mos u shtri në vaskë…
rrëkesë së dushit dorëzoja trupin tënd
si stuhia dheun shiut…

siç ua dorëzon qafën flokëve
barkun gishtërinjve…
lëre ujin e ngrohtë të lëpijë gjinjtë e tu…
t’i thithë e të dehet…
nën sqetullën tënde të rruar
në parfum gruaje të kthehet…

lëre rrëkenë të rrjedhë
nga gusha mes gjinjve
nga thithat e fortë
pikë pikë të pikojë
si vesë kërthizës tënde
e buzët t’ia lagë
tajgës mërmëritëse…

e pastaj të rrjedhë
brinjëve
ijeve
kofshëve
gjunjëve të drithëruar
lëri gishtërinjtë e avullit
mbi tastierën e trupit tënd
melodinë e ujit të luajnë…

Hej ti femër që po bëhesh gati për t’u larë
je akoma e re…
ndaj të lutem mos u shtri në vaskë…
unë një poezi të avullt pranë teje…
pleqëria jote mijëra pikëla uji larg…

( 16 maj 2010)

©Artan Gjyzel Hasani

15.5.10

Rutinë

Kështu më ndodh gjithmonë...

Fal sytë, por jo vështrimin,
fal psherëtimën, por jo ah-et,
fal gjumin, por jo ëndrrën,
fal zemrën, por jo rrahjet…

Më falën trupin, por jo ngrohtësinë,
më falën lotin, por jo ngashërimin,
më falën çastin, por jo përjetësinë,
më falën puthjen, por jo drithërimin….

Kështu do më ndodhë gjithmonë…

Sikur te falja vështrimin, ç’të bëja me sytë,
sikur të falja ah-et, psherëtimën kush ma dëgjon,
sikur të falja ëndrrën, ç’ta bëj gjumin vet’ i dytë,
sikur të falja rrahjet, kujt i duhet një zemër që pushon?

Sikur të më falnin ngrohtësinë, trupin do t’ua ngrija…
të më falnin ngashërimin, s’do të kishin më lotë…
të përjetshëm të më bënin, pa çastin do t’i lija…
të më drithëronin, do t’ua vyshkja puthjen e ngrohtë…

(Një herë, veç një herë, ndryshe ndodhi
kur fala të gjitha dhe gjithshka
e kur iku edhe shpirtin tim mori,
por vetëm për një çast pa shpirtin më la…)

(1996)

©Artan Gjyzel Hasani

10.5.10

Ne edhe mund të puthemi bashkë…

po,
ne edhe mund të puthemi bashkë
dhe askush nuk do të vdesë, grua e panjohur,
përderisa askush nuk u ringjall për sa kohë që s’u puthëm…

po,
ne edhe mund të puthemi bashkë
dhe askush s’do të vuajë, grua e panjohur,
përderisa askush s’u lumturua për sa kohë që s’u puthëm…

po,
ne edhe mund të puthemi bashkë
dhe askush s'do të na keqkuptojë, grua e panjohur,
përderisa askush nuk na kuptoi për sa kohë që s’u puthëm…


(10 maj 2010)

©Artan Gjyzel Hasani

4.5.10

Barriera

Penetrimi i paradites ish ndërprerë në mes si pasojë e një sirene alarmi që e kish detyruar të tërhiqej i zhgënjyer në birrarinë më të afërt. Gjithnjë do ndodhte diçka që do ia nderpriste. Vendosi ta provonte përsëri. Ajo gjëndej si gjithnjë gjatë këtyre dy javëve të fundit aty, e shtrirë përballë tij, e palëvizur, e gatshme dhe e pafjalë, në një nështrim të plotë ndaj dëshirës së tij të papërmbushur. Pasi e shikoi mirë e mirë me një vështrim hetues, iu afrua dhe ndaloi hapat kur ajo ishte aq pranë tij sa ai mund ta prekte. Futi veglen e tij shkaterrimtare brenda saj dhe për të dytën herë brenda asaj dite ndjeu që në të vërtet brendësia e saj ishte shumë e butë, e lagësht dhe e butë, dhe ndoshta goditjet e tij të forta mund ta dërmonin dhe shkatërronin të tërën.
Asaj i pelqente ta lodhte...ta bente te djersinte dhe ta zgjaste sa me shume te ishte e mundur penetrimin...Nuk jepej lehte...dhe sa me shume rezistonte ajo aq me shume rritej deshira e tij epshore e tij per ta nenshtruar totalisht... Gjithnje ai e perkedhelte me fjale dhe sharje te ndyra, gje qe i ndizte te dy edhe me shume...Shkatërrimi zakonisht shoqërohej edhe me gulçima të tij dhe gjëmime të thella rënkimtare të saj. Pas rënkimit erdhi prishja, kur rrëke të panjohura lagën gjithshka atyre mureve të buta ngjyrë argjili…Edhe kësaj here rrëketë ishin aq të bollshme saqë lagën kofshët e tij, duart leshatore, gishtërinjtë e stërmësuar me rreshje të tilla….
Ndjehej i keputur nga kenaqesia.
Pastaj si zakonisht ai ndezi një cigare i hodhi një vështrim sfidues asaj dhe si përherë nisi të merrej me pastrimin e veglës së tij shkatërrimtare që pas çdo ngadhënjimi dukej sikur nuk do kishte fuqi për penetrime të reja….Por ishte akoma e fortë vegla e tij e vjetër me të cilën kish nisur të punonte që në adoleshencën e hershme…
Pas disa çastesh kish ndjerë hapat e minatorëve të tjerë... Barriera nuk ishte më. Dy anët e tunelit ishin bashkuar dhe përtej shfaqej drita e shumëpritur e triumfit…

(2010)

©Artan Gjyzel Hasani