21.5.16

AH, JU SKUTHER TE VEGJEL GERMASH…


…që fshehurazi më adhuroni
aq shumë sa më imitoni
kur veten gënjeni
dhe kur s’keni sukses më shani,
më fajësoni
e kur të padukshëm s’më bëni dot
filloni të më urreni,
e di që më doni fort
e kur të vdes, edhe më fort…
©artangjyzelhasani

LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E GENJESHTRES

çfarë qënka më mirë, vallë?
një spital apo një morg?
një shtrat shërimi a një varrezë?
ëmbël plagos gënjeshtra
e vërteta hidhur vret…
gënjeshtare kjo botë e asgjë e dlirë
përpëlitesh aty ku fati të ka hedhur
e Vërteta do të të bëjë vërtet të lirë
vetëm pasi më parë të të ketë çmendur…

©artangjyzelhasani

26.4.16

ZYSH


Fjala “zonjushe”, e transformuar në “zonjush’”, pastaj “z’jush” dhe trajta përfundimtare, “zysh”.
Emërtesa "Zonjushe" përdorej edhe për mësueset.
Në vitin 1968 qeveria komuniste e hoqi përdorimin e fjalëve “zonjë”,”zonjushe” dhe “zotni” si shprehi të tejkaluara të kulturës borgjeze.
U zëvëndësuan me fjalët proletare “shok/shoqe”.
Por ndodhi ajo që nuk e kishte parashikuar Diktatura.
Fjala “zysh” jo vetëm mbijetoi, por nga një emërtesë mirësjelljeje u shndërrua në titull, pra fitoi një cilësi më të lartë duke u bërë e përjetshme. Për vetëmbrojtje fjala "zonjushe" u shndërrua, u ndryshua në formë, u maskua për të mbetur e gjallë, u mblodh në sipërfaqen më të vogël alfabetike për të qenë sa më pak e dëmtueshme...u bë njerrokeshe... u be "zysh".
Një zysh mbetet përjetësisht një zysh, siç themi Kontesha X, princesha Y dhe baronesha Z, themi Zysh Irena, zysh Kumria, zysh Jolanda, etj. Një titull unik i patrashëgueshëm.
Një titull që nuk vinte nga pasuria e mbajtëses, por nga nderimi dhe adhurimi instinktiv i nxënësit për zëdhënësin e dijes së panjohur. Një mistifikim i pavullnetshëm, por që në fakt ishte i pashmangshëm.
Sot që po shkoj drejt të gjashtëdhjetave, kur me rastis të komunikoj me ish mësueset e mia e ndjej fjalën “zysh” në tërë përmasën e saj madhështore.
“Zysh” ishte i vetmi titull aristokratik e fisnik që arriti t’i mbijetojë Diktaturës dhe që në fakt nuk u luftua nga mjetet e diktaturës, u nënvleftësua dhe u klasifikua e parrezikshme.
E kundërta ndodhi me emërtesën “zotni” për mësuesit. Mjaftonte që një mësues ta thërrisnin akoma ish nxënësit e tij “zotni” që ai të bëhëj i dyshimtë për sigurimsat vërdallë.
Fjala “zotni” kishte në rrënjë fjalën “Zot”, një nocion me të cilin Diktatura i lau hesapet në mënyrën më kriminale që në vitin 1967.
Tani që po shkruaj këto shënime, ndjej keqardhje që si nxënës nuk pata fatin t’i thoja qoftë edhe një herë të vetme “zotni Qaniu” mësuesit tim të mrekullueshëm Qani Përtafi.

©artangjyzelhasani

23.4.16

PORTRET I NJE PASTERTOREJE


e pastër në kulm, zonja McNeal,
nuk prek asgjë me duart e bardha
dyert i hap me këmbët e gjata 
në ashensor butonin e shtyp me bërryl
askujt nuk ia jep dorën kur takohen
në rrugë mban maskë higjienike,
ka frikë nga mikrobet, e pastra kristal,
dhe nga fjalët e pista që mund t’i ndotin gojën
në gjumë merr frymë veç me hundë
e ndjeshme ndaj erërave që mbushin dhomën
asgjë nuk prek me dorë, pastërtorja McNeal,
as trupin e të shoqit kur bëjnë dashuri
me doreza në duar edhe kur i bën oral
sa herë që ai kthehet nga krahët e të tjerave…

©artangjyzelhasani

26.3.16

SIXHADJA FLUTURUESE - një përsiatje fatale për destinin



Nga destini shkatërrimtar apo fati i keq mund të shpëtojnë dhe të shmangen njerëzit e vegjël. Njerëzit e mëdhenj, përkundrazi,  e kanë destinin dhe fatin e keq  pjesë të madhështisë, por  kjo gjë zakonisht kuptohet  pas vdekjes së  tyre. Ndryshe nga sa mund të mendohet, madhështia e dikujt ndonjëherë mund të jetë e lidhur edhe me fatin e sendeve personale të tij.

Kjo është një histori me sixhade.  Një histori e vërtetë për një sixhade  fluturuese dhe simotrat saj. Të krijuara nga thurje artizanale, me penj kërpi dhe ngjyra të  përgatitura në mënyrë tradicionale, ato kanë dëshmuar se i rezistojnë kohës për shumë vite. Në  Labëri mund të gjënden akoma sixhade të bëra 100 vjet më parë.  Jo pak nga lexuesit e këtyre rreshtave, miq e shokë të autorit, kanë pasur fatin të ulen mbi sixhadet e këtij rrëfimi.

Në vitin 1928, jetimja pesëmbëdhjetëvjeçare  Hatixhe H. e fshatit Dukat thuri për pajën e saj katër sixhade  shumëngjyrëshe leshi, tri nga te cilat, sipas zakonit, do shkonin për të zotin e kalit të bardhë që do merrte nusen  dhe  vetëm njëra do t’i mbeste nuses së re. Kjo e fundit, ndryshe nga  sixhadet e tjera,   do të kishte të qëndisura në cep inicialet e emrit të nuses.
Meqë në ceremoninë e martesës së Hatixhe H. (që u bë Hatixhe Sh.) kali i bardhë u ngrit kas dhe nuk donte të hynte në shtëpinë e dhëndrit, duke e rrëzuar tri  herë nusen e re para pragut të shtëpisë ( një detaj i vërtetë  i përdorur nga unë në tregimin “Hanka”),  i zoti i famshëm i kalit, fisniku  Mehmet A. e pa të udhës të mos i pranonte tri sixhadet e taksura nga nusja jetime.

Në dimrin e  vitit 1943 dezertori  italian Salvatore B. e vjedh sixhaden e nuses nga oborri i shtëpisë së  Hatixhe Sh. në Dukat  dhe bashkë me pushkën e tij e fal në fshatin Tragjas në shkëmbim të një  strehe dhe ushqimi.

Në vitin 1954 Hatixhe Sh. bashkë me të bijën dëbohet fillimisht drejt zonës së Gollobordës, në verilindje të Shqipërisë e më pas vendoset në Peshkopi.

Një pasdite korriku të vitit 1970, e bija e Hatixhe Sh.  thërritet për një urgjencë shëndetësore  në fshatin Fushë Alije të Dibrës  ku i shpëton jetën një nëne dhe foshnjës së saj të porsalindur. Kryetari i këshillit të fshatit, Shpëtim M. në shenjë  falenderimi shtron një darkë në shtëpinë vet për shpëtimtaren dhe familjarët e të shpëtuarve. Mbi minderin ku ishin ulur e bija e Hatixhe Sh. njeh sixhaden  unike të së ëmës. “Kjo sixhade  është e nënës sime, dhe ka edhe inicialet e emrit të saj të vajzërisë të qendisura në anën e poshtme.”
Udhëheqësi komunist i fshatit kthen cepin e sixhades dhe dallon inicialet H.H.
“Ia sekuestruam në vitin 1944 kriminelit dhe hajdutit Halil A. që e kish vjedhur në Tragjas”, shfajësohet i zoti i shtëpisë dhe ngre një dolli për jetën e re.

Në vitin 1980 i shoqi i mërguar në Kairo i Hatixhe Sh. nga letërkëmbimi i cunguar mëson historinë e sixhadeve dhe si një simbolikë ngushëlluese  i dërgon një qilim Persian. Pakoja arrin në qytetin Peshkopi, por nuk i jepet  Hatixhe Sh. së cilës i kërkohet të firmosë  një shkresë ku thuhej që nuk pranonte pako nga armiqtë e Atdheut, gjë që ajo nuk e bën.

Në fundvitin 1990 , autori i këtyre rreshtave , në rrethana jo edhe aq rastësore,  debaton në një dhomë me ish presidentin  në pension për pandershmërinë, nga vrastare në banale,  të  rregjimit ndër vite, dhe fjalë pas fjale,  i tregon edhe historinë e sixhades.  Ish presidenti e kundërshton fort, duke harruar, apo duke mos e ditur,  që  edhe qilimi i shtruar  në atë sallë  qeveritare pritjeje  ishte pikërisht qilimi Persian i dërguar si dhuratë për  Hatixhe Sh. nga bashkshëshorti i saj Musa.

Këtu mbaron historia reale e sixhadeve të Hatixhe Sh. por, meqë jemi në këtë temë, dhe në respekt të adhuruesve rishtarë të Borges-it,  le të hamendësojmë  për fatin e mundshëm të një sixhadeje magjike si ajo në një vend të pabesueshëm si i yni.
Kështu pra, mund të spekullojmë se në  vitin 2016 deputetit dhe matrapazit të  njohur të antikave Koço K. i dhurohet  Sixhadja  Fluturuese nga  kundërshtari i tij politik Lul B. në shkëmbim të një vote. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës  sixhadja e famshme ekspozohet në Berlin dhe aty blihet nga stërnipi etnograf i Hatixhe Sh, i cili shumë vite më vonë, në pleqëri dhe pas falimentimesh të njëpasnjëshme financiare, e përdor si mjetin e vetëm për t’u mbrojtur  nga i ftohti i Fifth Avenue ku edhe  gjëndet i vdekur si i pastrehë një natë  dimri të 2035.

Duke u kthyer përsëri në pikënisjen e këtij rrëfimi: A mund ta shkëpusim vërtet një njeri nga rrënjët e veta ashtu siç bëjmë me një pemë?
Hatixhe Sh. ia këputën rrënjët dhe e degdisën në një vend të largët të ri.
Por para saj kish mbërritur atje larg përmes udhëve të verbëra dhe kapriçioze të destinit ajo sixhade, një nga rrënjët e jetës së saj.
Vite  më vonë përsëri fati dhe destini i çuan atje ku ishte  degdisur edhe një rrënjë fikusi nga i shtëpisë ku ish bërë nuse, një histori për të cilën flitet te tregimi tjetër i imi  “Vazo të thyera”.
Sot besoj se destini i të pafatëve të mëdhenj është një alibi e shpikur nga njerëz të vegjël. Alibia e tyre në pamundësinë për t’i  shkëputur të pafatët nga rrënjët…

Dhe meqë po flasim për fate e destine: gjatë Diktaturës Hatixhe Sh. u dëbua nga vendi i saj për rreth 40 vjet. Në Demokraci u rikthye në vendlindje ku jetoi edhe 20 vjet, por kapriçiot madhështore të destinit (dhe jo të diktaturës këtë radhë) e cuan përsëri në atë qytet të vogël verilindor ku edhe u nda nga jeta në moshën 103 vjecare!

Epilog:

Në vitin 1956 Hatixhe Sh. i dërgoi një kërkesë transferimi ministrit të  Shëndetësisë së asaj kohe për rikthim në vendlindje. Kërkesa e saj u refuzua prerë  me një shkresë  në të cilën shkruhej se ai qytet i vogël verior kishte nevojë  edhe për kontributin e Hatixhe Sh.
30 vjet më vonë, në epokën kur të sapodiplomuarit flakeshin në Veri,  nipi i ministrit të dikurshëm  preferoi  të emërohej  me punë pikërisht në atë qytet të vogël, meqë  aty banonte  i vetmi mik i tij i ngushtë  në veri të vendit. Nipi i Hatixhe Sh.


26 Mars, 2016
© Artan Gjyzel Hasani

20.3.16

Intervistë për PortaliOnline.com (Janar, 2015)

intervistë e Artan Gjyzel  Hasanit  dhënë gazetarit Uran Krasniqi të PortaliOnline.com
Pse shkruani?
“Nuk shkruaj. Shkruhem”  – është një varg  nga një poemë e imja.
Çfarë motivesh kanë poezitë e juaja?
Përgjithësisht   erotike dhe  sociale. Jo rallë një ndërthurrje e të dyjave. Të zbulosh Tjetrin brenda Vetes  dhe Veten brenda  Tjetrit. Më  pëlqen të provokoj. Provokimi është një lloj bisturie që depërton me dhimbje e pa anestezi. Ndryshe nga sa mund të mendohet, kjo gjë kërkon jo vetem mungesë mëshire në raport me Veten, por edhe ndershmëri  në raport me Tjetrin.
Çfarë ndikimi mendoni se mund të ketë poezia te njerëzit?
Të shkruarit poezi është një akt individual ndaj nuk mund të flasim për një impakt social kolektiv të poezisë në përgjithësi, por mund të flasim për impakt të poetëve të  veçantë  në lexues  të veçantë. Një pakicë lexuesish ka nevojë për art elitar dhe mesazhet filozofike të Kadaresë apo ekzistencialiste të Arb Elos, por shumica ka nevojë për “bestsellers”  plot predikime patetike të Albatros  Rexhajt.
“Poezia e madhe  ka nevojë për audienca të mëdha”, thoshte Uitman, duke nënkuptuar nivel të lartë  cilësor të lexuesve. Duke perifrazuar poetin e famshëm amerikan, do të thoja  se  poezia  e dobët  ka nevojë për audiencë  të dobët,  jocilësore,  e cila  në vendin tonë, falë edhe zhvillimeve të shpejta në teknologjinë internetore , është me shumicë
Pa  dashur  të fyej e të keqpërdor dashamirësinë e rreth 15 mijë fansave të mi të deklaruar në facebook, dua të pohoj se nuk duhet konsideruar kurrë numri i madh  lexuesve si dëshmi e suksesit të një autori. Poezia ësht art i ndjesive te holla, dhe ne si popull jemi të paedukuar me leximin e poezisë.
Të shkruarit nga art është bërë sport, një sport masiv kombëtar. Kjo dukuri ka një të keqe, se bën masive letërsinë e keqe të shkruar nga një brez  “poetësh” injorantë  që nuk e dinë se poezia  është  art, madje arti më  fin. Grafomanët  janë kudo në internet sot. Ofrojnë barcoleta si poezi, mllefe personale të zakonshme si poezi, paragrafë  të tërë  llafesh të rradhitur si vargje, kuplete, fjalë të urta, ekuacione, gjëagjëza, proza apo copëza  komentesh, pra  gjithçka sot serviret nën emrin poezi. Nuk dinë asgjë  për  ritmin, imazherinë, figuracionin artistik, metaforat, rimat e brendshmë, asociacionet,  pra nuk njohin asnjë element bazë  të  ligjërimit poetik. Por arti poetik nuk mund të jetë  llomotitje grafomanësh delirantë.
Nga ana tjetër, fatkeqësisht  ky është një proces i pakthyeshëm.  Artit  Poetik po i afrohet  vdekja. Pra është krijuar ajo që në mjekësi quhet “feedback negative”  mes autorëve të dobët dhe audiencës  së dobët  që ushqejnë dhe rrisin njëra tjetrën. Kjo klimë  dekurajon ata që duan vërtet të bëjnë art.
“Pse nuk shkruan më ? ”, pyeta një poet dikur shumë premtues. “Për kë të shkruaj?”, më tha. “Për derrat?” ‘Po nuk ka veç  derra, ka edhe  sorkadhe…” ia ktheva. “Sorkadhe? Ke parë  ndonjëherë sorkadhe pranë moçalit ti?”
Cilët autorë ju pëlqejnë, ndërkombëtarë po edhe shqiptarë?
Prozatorë  të huaj të preferuar ? Tolstoi,Balzak, Hugo, Mopasan, Edgar Poe, Henry James, Remark, Cvajg, Grin, Markez, Roth, De Lilo, Bukowski, e plot të tjerë. Janë  vërtet të shumtë mjeshtrat e mëdhenj prozës botërore.
Poetët e huaj ? Përtej treshes klasike ruse Pushkin, Lermontov, Esenin, shijoj  edhe Bodler,Kavafis, D’Anuncio, dhe Neruda.
Refuzoj  të rilexoj Beat Generation (Guinsberg and co) dhe poezinë bashkëkohorë anglosaksone  të cilën nuk e gjej aspak poetike në tërësinë e vet, me ndonjë përjashtim të vogël sigurisht.
Nga autorë shqiptarë, në prozë vazhdoj të preferoj  vetëm Kadarenë, kurse në poezi  përveç Mjeda, Migjeni dhe Rreshpja, shijoj Arb Elo-n, që është emri i artit i një poeti  të jashtëzakonshëm dhe unikal  shqiptar. Pa pasur aspak frikë  se mos e teproj, mendoj  që  Arb Elo  duhet studiuar nga kritika  letrare ( ku ndodhet kjo  kritikë  vallë?)  dhe të  përfshihet  në programet  dhe antologjitë  serioze të  specializuara  të letërsisë shkollore. Së fundmi më ka tërhequr vëmendjen edhe  Alban Bala, një lirik  modern që di të krijojë metafora  të mahnitshme.
A mund të jetohet sot nga arti i poezisë?
Liriku më i mrekullueshëm  shqiptar Frederik Rreshpja  vdiq   si  varfanjak në vitin 2006. Vitet e fundit të jetës i kaloi shpesh  i pastrehë  duke fjetur në shkallët e Pallatit të Madh të Kulturës.
A shkruani vetëm poezi apo edhe zhanre të tjera?
Përveç  poezisë, unë shkruaj dhe botoj edhe në prozë, të shkurtër  dhe të gjatë, tregime e romane. Jam marrë edhe me përkthime autorësh të spikatur dhe me publicistikë, kjo e fundit  falë punës sime si gazetar për shumë vite.
Cilat janë synimet tuaja si krijuese?
Basti im si autor nuk është vënë me lexuesin, por me letërsinë. Një bast i humbur me artin  është fatal për një artist, një bast i fituar me artin është përjetësi, kurse një bast i fituar me lexuesin është diçka e përkohshme si vesa e mengjesit, dhe, nga ana tjetër, një bast i humbur me lexuesin jo gjithnjë duhet parë si humbje  artistike.
Nuk e kam fshehur kurrë  që si autor dua që në  truallin letrar shqiptar  të lë një gjurmë  unike të paimitueshme.
Ju faleminderit!


http://www.portalionline.com/artan-gjyzel-hasani-dua-qe-ne-truallin-letrar-shqiptar-te-le-nje-gjurme-unike/

Intervistë për Klosi News (Prill, 2014)

intervistoi:  Dea J Klosi


Klosi News:   Flitet gjithnjë  e më  shumë  për letërsinë, bëhen emisione mbi përkthime e dhënie çmimesh, e gjithmonë  thuhet se s'po lexohet. Cila është  analiza juaj për këtë  moslexim ? A ekziston vërtet si problem apo është  thjesht një  përshtypje e gabuar ?

Artan Gj. Hasani: Mendoj  se lexohet  shumë  nga  lexuesit e  thjeshtë  dhe  pak nga  ata  që  institucionalisht e profesionalisht e kanë  për  detyrim të  jenë  në  kontakt me letërsinë  bashkekohore  shqipe  dhe risitë e saj. Eshtë një bindje e  fortë e  imja  që në  fakt  do doja  të  ishte  ndryshe me kalimin e viteve. Por  kalimi i viteve  veç  e  përforcon  këtë . Çmimet  letrare, juritë  e tyre, bordet  e ministrisë  që  merren me  zhvillimet letrare  dhe promovimin e vlerave  letrare, studio  televizive, faqet  letrare  të  mediave  të  shkruara , dhe natyrisht edhe  botuesit  dhe sistemi  i  botimeve  në  Shqipëri, për mendimin  tim, e kanë kaluar fazën  e  të  qënurit  qesharakë  dhe  tashmë ndodhen në  stadin e neverisë. Problem nuk është  të lexuarit e librave  si një  sport masiv mbarëkombëtar, por  prania e klikave  që  prej  kohësh  kanë  vënë një  postbllok në portën që  normalisht duhet të jetë  e hapur  veç  për  letërsinë  e mirë.   Trau  i  atij postblloku ngrihet  veç  për miqtë  dhe  shokët , por kurrë  për  dikë  që ndodhet  jashtë  sektit  dhe klanit. Të  krijohet  përshtypja  që  çmimet  letrare  në Shqipëri  shpërndahen nga  llozha  të  fshehta  masonike. Por në ndryshim nga  masonët origjinalë , këta  “masonët”  tanë  të  jurive e bordeve  letrare   janë  persona  të njohur  publikë  pasi  ua lexojmë emrat  dhe ua  shohim  fytyrat  kudo, por në ndryshim nga  masonët e vërtetë  i  fshehin nga  sytë e lexuesve pazarllëqet e tyre në kurriz  të  asaj  që  duhet të  ishte  letërsi e mirë. Dhe  kështu  krijohen e prodhohen artificialisht autorë  “të mëdhenj”, poetë “të mëdhenj”, përkthyes  “të mëdhenj” dhe natyrisht,  edhe  “bestseller”-at  shqiptarë.  Kjo është njëra anë e  medaljes. Ana e dukshme  që  promovohet kudo e ngado nga  vetë klanet  që  kanë  uzurpuar  letërsinë bashkëkohore  shqiptare. Dikur  këtë  e bënte  diktatura  me çensurën e saj  ideologjike, sot e bën   klani  dhe “shoqnia” e  vet. Shqipëria mund të jetë  i vetmi vend në botë ku të  gjithë fituesit  e çmimeve  dhe  anëtarët e jurive  dhe  gazetarët e  kulturës  apo  pjestarët e bordeve  të  kulturës janë  miq e shokë mes  tyre. Nganjëherë  edhe  të  ngushtë  fare.  Ka dy gjëra këtu: ose kanë  qenë  të  gjithë  shokë fëmijërie  të  rritur në një  lagje e  qytet, gjë  që nuk më rezulton e  tillë, ose  janë bërë  miq e shokë  nga  interesa  të  pastra  abuzive  siç janë çmimet  dhe  promovimet.

Klosi News:  Gjithashtu, flitet për problemin e botimeve, se ato lenë për të  dëshiruar, janë  të  shpërndara dhe pa një  bosht. Ç'letërsi keni ndjekur së  fundi nga shtëpitë  botuese ? A përkon ajo me pritjet apo me ndjeshmërinë  tuaj letrare ?

Artan Gj. Hasani: Botimet e  librave janë  një aktivitet  tregëtar  i botuesve me qëllim  rritjen e fitimeve  të  tyre. Nuk  di ndonjë botues  shqiptar  që  “t’i digjet  xhani”  për  zhvillimet  letrare në  Shqipëri. Nuk kam ndonjë iluzion në lidhje me  dobishmërinë e  botuesve. Pronarët e  shtypshkronjave  janë  shumë më dinjitozë  se  botuesit. Të  dy  të marrin paratë kundrejt çmimit  të  vënë , por në ndryshim nga  të parët , të  dytët  shumëfishojnë  fitimet në kurriz  të  autorëve  dhe në dëm të  letërsisë  së mirë. Diku i kam quajtur  “hiena  të  librit”  dhe  i qëndroj atij mendimi.  Nuk janë botues.  Janë libraxhinj. Siç kemi  tregëtarë  sapuni, qoftesh, makinash, llamarinash, teneqesh,  kemi edhe tregtarë  librash. Kam preferuar  të  mos kem botues, por  lexues. Më mirë të  pasuroj  falas  shpirtin e dikujt  që  i pëlqen letërsia, se  sa  të  mbush  xhepat e  botuesve matrapazë shqiptarë.  Uroj  që  epoka  e internetit  t’i  çojë drejt  zhdukjes këto  specie  dhe bashkë me to edhe  institucionet letrare parazitare  si  juritë, çmimet, festivalet e panairet.  
Lexuesi  është juria  e vërtetë  dhe  çmimin  ta  jep  Koha.

Klosi News:  Duket se problemi i botimeve të  autorëve shqiptarë  ka hyrë  në  një  errësirë  thuajse të  plotë. Media nuk po i pasqyron si duhet këto botime dhe marrëdhenia mes autorit dhe lexuesit  duket se është  ndërprerë . A mendoni ju se dukshmëria e librit në  peizazhin shqiptar mund të  kryhet vetëm nëpërmjet internetit (forume, blogje, rrjete sociale, etj.) ?

Artan Gj. Hasani: Interneti  është  vitrina  më  komode e librit. Brenda  pak  çastesh  mund të lexosh  cilindo autor të  huaj apo shqiptar. Në  internet  nuk ndjehet dhuna e marketingut  të mediave  dhe botuesve, jurive  dhe panaireve. Fatmirësisht në  internet nuk  ka  bestsellers. Me pak  përkushtim  kohor  mund të gjesh  letërsi  të mirë.

Por kujdes evazionin: Facebook  gëlon nga  lloj lloj  “autorësh”.  Zakonisht  ky takëm  njerëzish  nuk është  aq  inteligjent  sa  të ndikohet natyrshëm nga  vepra e dikujt. Jo.  Ata  e  gjejnë më të  udhës  të  vjedhin vargje, metafora, figuracion,  ide  online nga autorë të  çertifikuar nga  koha dhe me  paturpësi e  arrogancë  ta paraqesin  forcërisht si  të  tyren atë që  është  karrikatura e  origjinalit të  dikujt  tjetër. Kjo  dukuri  është  sa e neveritshme, aq  edhe e pashmangshme në këtë epokë  virtuale  shqiptare, ku  çdo ditë  lind një libër kopil, bashkë  me prodhuesin e  vet  që mund të jetë  një poeteshë  e re apo  një romancier  i ri.

 Klosi News:  Ç'mendim keni ju mbi disa ide apo opinione që  hidhen here pas here mbi ndihmesën që  Ministria e Kulturës duhet t'i japë librit ? A duhet që  kjo të  kalojë  përmes financimesh rastësore (që  mbase mund të  keqpërdoren) apo te bëhet nëpërmjet rregullimeve ligjore për t'i dhënë frymë marrje vetë  industrisë  së  librit ?

Artan Gj. Hasani: Mendoj  se Ministria e Kulturës  mund t’i japë  ndihmë  vetëm librit  si mall  dhe botuesit/autorit  si  tregëtar i këtij malli dhe jo  librit si  letërsi, pra   industrisë  së librit  dhe jo  artit  të  të bërit  letërsi.  Ndihma e  shtetit,  jurive, botuesit, panaireve  mund të prodhojë  në rastin më të mirë  një  bestseller, por  kurrsesi një  letërsi  të mirë.  Kjo nuk është  domosdoshmërisht diçka  për të  cilën  duhet  të  trishtohemi. Jam i bindur  se  pjesa më e madhe e masës  së lexuesve  shqiptarë  preferon  më shumë  një  bestseller  fitues  çmimesh  dhe  panairesh,  se  sa  një letërsi  të mirë  të  pashpallur.  Të  bërit  letërsi është  një akt  thellësisht  individual  dhe  zhvillohet  larg  syve  të  publikut  dhe syzeve  të  qeverisë  dhe  institucioneve  apo jurive. 

 Klosi News:  Le të  kalojmë  në  pak gjëra vetjake. Cili është  botimi juaj i fundit dhe a mund të  na flisni diçka  mbi të  ? Ç'trajton, dhe nga ka marrë  fill kjo vepër ?

Artan Gj. Hasani: Libri im  më  i ri  është  vëllimi poetik “Prandaj”,  i cili  del këto ditë në qarkullim. Një  përmbledhje  poezish  të  dy  viteve  të  fundit.  Janë  poezi  që  depërtojnë  anën e panjohur të  vetvetes, por  ndryshe  nga  herët e tjera, bëhet  fjalë për  një nënshtrim të  butë të  unit rebel. 
Vetë  titulli  të shtyn të mendosh se bëhet  fjalë  për një  shfajsim  poetik  për  gjëra  që  s’i bëmë  dot  si  ç’donin të  tjerët  apo  që  duhet  t’i bënim ndryshe. 

 Klosi News: Ju falemnderit !

http://www.klosi.org/news/klosi_news_literature/6721.html

Intervistë për Gjurma.mk (Dhjetor, 2014)

Intervistoi: Blerona Jakupi

Gjurma.mkPse shkruani,çfarë është poezia për ju?
A.Gj.H Për mua poezia është një gjëndje shumë personale. Një feksje brenda qiellit të mendjes e cila nëse jemi me fat arrin të prodhojë një rrebesh a një shi të imët fjalësh.
Gjurma.mkCila është muza e Artan Gjyzel Hasanit?
A.Gj.H Duke perifrazuar një autor të hershëm anglez do të thoja që muza është ajo gjë speciale e cila më lejon që pasi të kem bredhur lule më lule, të bëj mjaltin që dua vetë me nektarin që më jep ajo.
Gjurma.mkCili është krijimi juaj i parë dhe kujt iu dedikua?
A.Gj.H Krijimi im i parë poetik nuk ka qenë një vjershë, por një vizatim. Një vizatim klasik i gjithë fëmijëve të botës.
Një shtëpizë me oxhakun me tym, buzë një lumi ku dallohej një urë.Në sfond një diell i qeshur dhe ca male. Në mes të shtëpisë vizatohej dera e cila ishte gjithnjë një derë e mbyllur.Dera në përgjithësi, dhe në veçanti dera e mbyllur gjendet shpesh si detaj në poezinë dhe prozën time.
Mendoj se gjithshka ka filluar nga vramendja për atë derë të mbyllur,për atë diell të qeshur, për oxhakun që nxjerr tym dhe për atë urë që bashkon brigje.Për mua ai vizatim universal është kryevepra e pikturës botërore, sepse ka një autor të përbashkët: femijën.
Gjurma.mkKur mbushët mendjen të botoni krijimtaritë e juaja të para dhe si u pritën nga ana e lexuesit?
A.Gj.H Në dhjetor të vitit 1996 u botua vëllimi im i parë poetik “Striptizë në shpirtin tim” një libër që nuk e di nëse arriti në duart e lexuesit, pasi gjatë vitit ’97 u dogjën e u shkrumbuan ndër të tjera edhe libraritë.
Pas rreth 20 vitesh nga botimi i tij nuk kam dëgjuar akoma ndonjë lexues që t’i referohet atij libri.
Gjurma.mkÇ’është poeti sipas jush ?
A.Gj.H  Unë mendoj dhe besoj se në mënyrë të natyrshme poet është çdo njeri.
Çdo njeri mund të prodhojë vjersha si bukët në furrë apo tullat në fabrikë. Çdo njeri nëse ulet të shkruajë, të predikojë, të bëjë lojëra fjalësh apo të nxjerrë mllefe personale do arijë në fund të prodhojë një vëllim poetik.
Sot në vendin tonë ka më shumë autorë se sa lexues, sado paradoksale të tingëllojë kjo gjë. Por këta janë poetët mediokër dhe grafomanë dhe nuk besoj se pyetja juaj ka lidhje me këtë kategori.
Sigurisht që ka edhe një pakicë e cila në ndryshim nga të parët bën art. Art të fjalës. Prodhon artin poetik, se poezia është art dhe jo zanat.
Personalisht më intrigojnë në lexim veç autorë të panjohur që bredhin në universin virtual të artit si ujqër të vetmuar.Këta janë poetët dhe kurrë nuk i gjen të tufëzuar në kolektiva e grupe…Është shtysë instinktive vetmia dhe këtë instinkt e kanë veç ata që janë të lindur poetë.
Autor librash bëhesh, kurse poet lind.
Gjurma.mk Çfarë ju ‘ngacmon’ që shkruani kaq bukur?
A.Gj.H Hipokrizia individuale e mishëruar në morale të rreme turmash kjo është një ndër objektet e preferuara të malinjitetit tim poetik. Ndërsa dashuria dhe nënproduktet e saj janë një ngacmues i pashmangshëm në udhën time krijuese. Në thelb dashuria është feja ime e vetme.
Gjurma.mkCilat detaje të përditshmërisë ju sjellin paqe e frymëzim?
A.Gj.H Qetësia. Harmonia. Dija. Jam alergjik ndaj zhurmave, rrëmujës dhe vulgaritetit të jetës.
Gjurma.mk : Me çfarë e mposhtni atë që s’ju pëlqen nga realiteti?
A.Gj.H Përpiqem ta injoroj!E kur nuk mundem dot, atëherë përballem fort me të dhe zakonisht humbas. Janë të vetmet humbje dinjitoze të miat.
Gjurma.mkTre fjalët me të cilat përshkruani veten!
A.Gj.H Do më mjaftonte një e vetme: Provokues.
Gjurma.mk : Tre lutjet që s’të janë përgjigjur kurrë ?
A.Gj.H Janë më shume se tre dhe asnjëra nuk ka lidhje me paranë.
Gjurma.mkNga çfarë bën gjithmonë kujdes Artan.Gj.Hasani?
A.Gj.H Nuk dua të lëndoj njerëz, edhe pse e kam bërë këtë gjë në disa raste.
Po ashtu nuk dua t’u krijoj njerëzve iluzione për atë që s’jam.
Si autor bëj kujdes që në truallin letrar të lë një gjurmë unike të paimitueshme.
Gjurma.mkKur shkruani më bukur,kur jeni të lumtur apo kur ndjeni trishtim?
A.Gj.H Bukuria është relative edhe në letërsi.
Besoj se dhimbja frymëzon art më të ndjerë se sa lumturia.
Por ka një paradoks interesant këtu: Shpesh gjëndjet iluzive të lumturisë e bëjnë një poet të spikatur të shkruajë poezi mediokre, ndërsa dhimbja edhe një poet mediokër nganjëherë e bën të shkruajë diçka të spikatur.
Gjurma.mkA mendoni se me poezinë tuaj arrini të njomni ashpërsinë që mbizotëron?
A.Gj.H Besoj se ata që më lexojnë mua nuk janë njerëz të ashpër, e për pasojë nuk mund t’ia atribuoj poezisë sime faktin që lexuesit e mi janë njerëz të ndjeshëm. Për më shumë, nuk është ndonjë mision që ia kam vënë unë poezisë sime “zbutjen” e njerëzve. Por nëse kjo ndodh padashur, e përse jo?
Gjurma.mkJu nuk jetoni në Shqipëri, për çfarë ndjeni mall më shumë?
A.Gj.H Ndjej mall për ato gjëra që nuk i gjej më kur kthehem në vendlindje. Veçanërisht për ato gjëra që më lidhin me fëmijërinë time.
Gjurma.mkA shkruani diçka aktualisht dhe kur do mundemi të kemi në duar librin tuaj të ardhshëm?
A.Gj.H Po merrem me disa projekte letrare njëkohësisht. Aktualisht po punoj më shumë me romanin “Funeral” të cilin besoj se lexuesi do e ketë në dorë në vazhdim të vitit 2015.
Gjurma.mk: Në fund, ç’dëshironi t’ju përcillni lexuesve tuaj?
A.Gj.H Lexuesve të mi u uroj të bëjnë një jetë sa më të vërtetë të jetë e mundur. Vetëm e vërteta të bën vërtet të lirë.
Gjurma.mk Ju falemnderit!

http://gjurma.mk/artan-gjyzel-hasanikujdesem-qe-te-le-gjurme-unike-te-paimitueshme/


13.3.16

LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E ORES 2 PASMESNATE



i errët ky bar ku me vetminë time jam ulur
boshatisur salla, e thënë ndryshe, vetëm meshkuj,
2 e pasmesnatës
ora kur vetëkënaqen poetët…
denjësisht largohen  dhe dy gjinjtë e fundit
dhe whisky  nuk më duket më si qumësht…

më vjen keq që  nuk jemi në vitin dymijë
kur në banak  mund të tymosja një cigare
por të paktën më lejohet të mendoj për ty
për sa kohë që dhe kjo nuk është ndaluar
për arësye shëndeti a sigurie publike
apo edhe më keq akoma ,
higjienike…

se tekanjoze shumë kjo botë
disa ankohen  se  dashuritë e pastra 
i bëjnë pis…
të tjerë  se u prishen flokët
nga një përqafim…

po nejse…

le të shpikim një sëmundje të re
për dy pacientë  të shëndetshëm si ne
një diagnozë unike

“overdozë dashurie”  është e vjetër
“mungesë  dashurie” akoma më e vjetër
epidemike që në Romën antike
ku në orgji servirej vetja
dy Nubiane tekja…

“doni edhe një Johnnie, zotëri?”
“jo, nuk dua tjetër…”

hedh sytë në mur dhe ora prapë 2
nuk më bëjnë sytë
2 pasmesnate
dhe nuk jam çmendur

“është ndërruar ora, zotëri
gjashtëdhjetë minuta  para!”

oh, ç’fat!

gjashtëdhjetë minuta zgjat një jetë
po aq  edhe një funeral
e mjaftueshme për të  vdekur i gjallë
por jo për të  lindur i vdekur…

oh ç’ngushëllim!
gjinjtë e fundit  do shfaqen prapë!

dhe

kur me qumësht të dehet fëmija brenda meje
ty, e vogla ime, atje larg
në gjumin e trazuar që zgjon liqenin
do të të dhëmbin thithkat e forta
do  të të ndizen buzët e etura
fikur në agoni orgazmat
dhe për të mijtën herë
brenda një çasti
do mbarsesh nga unë
për të më lindur...


©artangjyzelhasani

12.3.16

MADHESHTORES


Dje vdiq një legjendë
me shami të bardhë në kokë
me duart dhe faqet tërë rrudha
në sytë e saj të verbër
e tërë bota bëhej thërrime…
ndryshe nga Frida Kahlo
që në sytë e dashnorëve vizatonte veten,
i mbeti besnike një burri të ikur
që në 103 vjet jetë
e njohu veç 3 muaj…
Madhështorja gjyshja ime…
“Eshtë armik, burri yt!
Firmos divorcin të shpëtosh lëkurën,
ndryshe do dëbohesh nga vendlindja
drejt një humbëtire të huaj!”
“ E pamundur, zotërinj!
Ai armiku është babai i vajzës së vogël që sot mbaj për dore!
Le të nisemi pra, për ku e paska thënë Zoti juaj! “
I vogël shumë qyteti i largët
atij viti të ftohtë ‘54
ku jabanxheshat i quanin putana
dhe kokëzbuluarat i qëllonin me patate
“Duhet të më siguroni një strehë
ju që më morët shtëpi e katandi!
Jam nënë e një vajze dhe grua pa burrë ”
“S’ka shtëpi per ty, grua e armikut! Jeto në hotel!
U treguam zemërgjërë,
dhe nuk ta morëm makinën qepëse,
që të punosh e të mos bëhesh kurvë!”
Ai qytet kishte një hotel me gjashtë dhoma
ku kapardiseshin oficerë fitimtarë
hetues sarhoshë dhe kriminelë
shoferë të dehur pas rrugës së gjatë
spiunë intrigantë, zyrtarë kodoshë…
“Hotelxhi, sa kushton një dhomë?
Po i tërë hoteli për një vit?”
E paguajti me florinj të shpëtuar,
me të zeza u vesh
dhe vetes e bijës i bëri fole…
“Nxirri përjashta tani ata të gjithë!
Dorëzomë çelsat dhe për një vit
mos të duket rrotull as ti e asnjeri!"
Kjo ishte gjyshja ime, labja Hatixhe…
5 Mars, 2016
© Artan Gjyzel Hasani

28.2.16

In Memoriam: Mika Yamamoto

Gjatë ngjarjeve të  vitit 1997 për  rreth 3 muaj  punova  si përkthyes me një grup  gazetarësh japonezë të  Japan Press International, reporteri Sato Kazutaka (qe ishte njekohesisht edhe bashkepronar i atij network-u  televiziv  te Tokios  me 12 milion shikues !), e dashura  e tij, gazetarja televizive Mika Yamamoto, dhe  fotografi Keixhi qe punonte per revisten Asia Press International.
Mbuluam ngjarjet e dhunshme  dhe luftën civile në Vlorë, Sarandë, Delvinë, Himarë, Dhermi, intervistuam  Prodin e  protagonistët e  atyre ngjarjeve, e më vonë në  Tiranë konferencën për shtyp  të  general  Forlanit, më pas në  teatrin e Shkodrës një intervistë me  Leka  Zogun  dhe më pas  për rreth  një muaj e gjysem në  malësinë e  Dukagjinit, në  Shalë, duke  xhiruar  një  dokumentar të  paparashikuar për  Kanunin  dhe   virgjinat  e  malesisë. Për  tre muaj me rradhë kemi ndarë bashkë  cdo  orë e minutë, cdo kafshatë  dhe  cdo rrezik  jete. Pas  punës së lodhshme në mbrëmje  luanim  letra, bisedonim  dhe kur  ndjenim se nuk kishim fuqi  të  flisnim na  shplodhnin tingujt  e  muzikës japoneze  që luante  në organo bukuroshja Mika.
Kujtoj nje moment kur po u tregoja per  Ulpianen, qytezen romake ne zemer te Kosoves. Sapo degjoi emrin e qytezes se lashte  Mika bertiti "Ulpiana....oh sa emer i bukur.." dhe iu kthye te dashurit  "Sato, kur te bejme femije, nese do jete vajze,  do ia veme Ulpiana!"
Mika e  imët, delikate, e embël… Dukej një paradoks i madh prania e asaj  gazetareje  trupvogël e ngarkuar ne  qafe me disa kamera e aparate  fotografikë, e në shpinë  brenda  cantës një  organo e vogël  elektronike, me mikrofon në dorë  duke intervistuar banditë e vrasës, rebelë e ministra, monstra  të  krimit  dhe  oficerë  të  coroditur…Mika e  imtë  mes  turmave  të  cartura e të dëshpëruara  të  viktimave  të  piramidave  të manipuluar në  dhimbjen e tyre  nga  politika. Më  kish lënë pa  gojë guximi  dhe profesionalizmi  i asaj japonezeje që  së bashku me bashkepunetorin e te dashurin  e saj  Sato – një reporter  i vjetër lufte ai - ishin në kërkim të  lajmit  të  dorës  së parë  kudo ne bote, me kamerën e tyre  si dëshmitarë  okularë në ngjarje  nga  më të dhunshmet, përfshi edhe sulmin me  diagac  ndaj bankës  në  Vlorë, sulmin mbi bazën e Porto  Palermos..etj..etj…
Sot pra i solla ndërmënd  miqtë e mi  dhe bëra një  kërkim në internet. Ajo  që mësova  më tronditi pa masë dhe sytë m'u përlotën. Mika  nuk ishte më.  Mikën e kishin  vrarë. Mika  ishte  gazetarja japoneze  që  ishte vrarë  ne  Aleppo  të  Sirisë  më  20  Gusht  të  vitit të  shkuar, përkrah Satos, nga një shkëmbim zjarri mes  palëve  ndërluftuese. Koka e saj e bukur ishte  bërë  copë cope nga  predhat. U  shtanga, pasi e dija si lajm që një  gazetare japoneze  ishte  vrarë në  Siri, por  kurrë nuk e kisha menduar  që  ajo  ishte pikërisht Mika Yamamoto, mikja  dhe bashkëpunëtorja ime e 3  muajve  më  të  vështirë të jetës sime, vajza japoneze që  u hyri në zemër  të  gjithë  shqiptarëve  që e njohën dhe familjeve që  e strehuan  në  atë  periudhë  të  vitit 97, që nga  Cekodhimat e  Vlorës (familja e dr  Altinit që  atehere ishte  akoma student), familja e dajës  së  dr  Ardian Halilit (Ymeraj) në Shkodër, apo  edhe në shtëpinë (ish bibliotekë)  e  dy motrave Carku në mos gaboj,( Maria njëra nga  ato ) në  Shalë  të  Dukagjinit. Kudo  u hyri në zemër njerëzve  me thjeshtësinë  dhe mirësinë  që rrezatonte. Duke lexuar  lajmin për vdekjen e saj  u befasova kur pashë  që  paska qenë një nga gazetarët më të njohur të  Japonisë  fituese e  cmimeve  më të mëdha  të gazetarisë  në Japoni  dhe  gjatë 4  viteve të  fundit jepte  mësime  gazetarie në universitetet  e  Tokios.
T’u  prehtë  shpirti në parajsë  mikja ime, Mika! Nuk do e harroj kurre  te qeshuren tende, miresine e syve  dhe embelsine e zerit  tend ...

Artan Gjyzel Hasani, Toronto, 2013

Me shume per jeten dhe vdekjen e Mika  Yamamotos mund te gjeni ne lidhjet e meposhtme:

https://en.wikipedia.org/wiki/Mika_Yamamoto

http://japandailypress.com/tag/kazutaka-sato/

23.2.16

PERTHITHUR


të duhen thithka  të  forta, vajzë,
thithë dhimbjedhëmbëduruese
në kudhër  të gojës  zjarrmuar
nga  gjuhë e paduruar  lagur
tharë  nga  buzët …

do palosen shumë në ata gjinj
djelmosha të çartur për seks,
foshnje të etura për jetën,
burra këmbëngulës  në dashuri
mbase  edhe ndonjë grua kureshtare
që përgjigjen akoma  s’e di
dhe prapë burra
burra
burra…
të një jete 
të një nate
do vdesin
do ngjallen
do japin shpirtin e tyre mbi ata gjinj
duke ta marrë   ngadalë  ty
sa herë u jep  dashuri e jetë …
………………………………………………….
të duhen thithka të forta, vajzë,
kur  mbi trupin  lakuriq
si kanotierë të lagur  vesh  botën e grisur…

të forta
si tani që lexove këto vargje...



©artangjyzelhasani


15.2.16

AUTOPEIZAZH



një nga një shuhen yjet në qiell
si fjalët kur japin shpirt në një varg
është ora kur errësira  bëhet hije
kësaj vjeshte  të vyshkur e të thatë
në pjerrëtinat e kalldrëmta të shpirtit
sizifët e  mallit tim mbartin  ditët
si netët  hëna jote në agim
kreshta malesh  përflak  mëngjes i artë

zgjidhur nga zinxhirët qenushët e pritjes
hop hop  tundin bishtin me padurim
hingëllijnë  kuajt e egër të epshit,
miell premtimesh në mokër të trurit
ku  mendimi bluan një thinjë
shtojzovallet lakuriqe të deshirës
në magje shpresash  zënë brumin
dhe  vetja më ngjason me një fshat
që fëmijët kanë harruar t’i vizatojnë lumin

dua të pi
të notoj
të lagem
por ngadalë  heshtem
zvarrem  
kalbem
qetësi kumbuese në  veshët e natës bëhem
dallgë  oqeani  shurdhuar  në  një guackë…


©artangjyzelhasani

10.2.16

PER LEXUESIT


Info & porosi për shitjet e librave të  mi në numrin e kontaktit: 069 20 68 481


Për  porosi online, vizitoni  ShtëpiaeLibrit.com  
 http://www.shtepiaelibrit.com/store/sq/  



8.2.16

TE RRITUR TE MITUR


Lodra nuk është më…
Na e vodhën…
Tani luajmë me njëri tjetrin…


©Artan Gjyzel Hasani

ZGJIMET E NJE GRUAJE TE JASHTEZAKONSHME DHE TE TE DASHURIT TE SAJ


Ty të del gjumi gjithmonë para meje, grua e jashtëzakonshme…

pas shpinës ndjej ngrohtësinë që veç ti di ta japësh…
gjinjtë e tu të vegjël e të ngrohtë…
duart e tua delikate nën sqetullat e mia…
gishtërinjtë e tyre mes gjoksit tim leshator ku digjen
rrufepritëse
rrëzë veshit puthja e butë mërmëritëse…
prangë e kofshëzës tënde mbi timen keqazi përdredhur…
Bibl’ e Kur’an në zjarr të ferrit hedhur…
oh ekstazë kapitulluese...
medet…
falmë o Zot
ç’ rrënqethje kapitëse...
rënkim…

goja jote…
e avullt…
e ngrohtë…
e nxehta goja jote…
(hënë që lëpin honet e plagë greminash diku mbi qafen time drakulon,
aty ku sipas grekërve të lashtë kalojnë të gjithë pasionet)
më bën prenë më të dëshirueshme të dhëmbëve të mprehtë
kafshim që më bën të ndjehem çdo ditë i porsalindur…
demonët e mi të tundimit -skllevërit e tu…
skllevërit e tu të bindur;

pas meje puthitur ti kafshëz e zjarrtë
me gulçet epshore lëkurën më rrënqeth
spazmat e barkut mesit tim lëshuar,
Venusi yt dritëhijesh pyllëzuar
pas kofshëve të mia rënkueshëm ngjitur,
njëra dorë -
fallxhore mbi fallus fallin hedh,
tjetra …
me ndihmën e thonjve-kthetra
pasi shëtit fytyrën
gushën,
hundën,
sytë e mi të mbyllur,
lehtë...lehtë ndalon te mjekra
e parruara mjekra ime…e paharruara…
dhe… me një lëvizje energjike
e kthen nga vetja
dhe pastaj
ah pastaj…
ventuza e llahtarshme e gruas në zgjim
etshëm,
papërballueshmërisht ëmbël,
ëmbëlsisht pa kthim…
lëshon në trajtën e një gjuhe
të butë...
të lagët...
të thellë...
tërë magjinë në gojën time gjysëm të hapur
në gojën time që veç arrin të lëshojë një rënkim
dhe
t'ia falë pafundësisht tërë hapësirën e saj
zjarreve të tua, grua e jashtëzakonshme,
syve të tu që në atë orë tunduese më ngjasojnë me dy liqene jeshile
kaltërsisht jeshilë
ku dy rrathë të zjarrtë ngjyrë portokalli
mbrojnë besnikërisht dy rubinë të zinj
në të cilët pasqyrohet prej kohësh
oh sa vendosmërisht
përgjumja,
zgjimi
dhe
imazhi im.

Pastaj… kthehem nga ty…

pastaj…
dreq o punë…
zilja e orës dhe unë…
vazhdimisht unë dhe i njëjti unë
nga gjumi i gabuar zgjuar
diçka nëpër dhëmbë mërmëris
tërë orëndreqësit e kësaj bote duke mallkuar,
Zvicrën,
akrepat
të madhin
të voglin
dymbëdhjetë numrat
gjashtëdhjetë vizat
dhe veçanërisht atë gjënë e vockël që orët kurdis…


(2010)
©Artan Gjyzel Hasani


ME FAL

e shkruajta emrin tënd në qiell
e fshiu era...

e shkruajta në rërë
e fshiu dallga...

e shkruajta në zemër
e fshiu... gjaku.

(2007)
©Artan Gjyzel Hasani

ITAKAT E MIA

Nganjëherë nuk ia vlen as qëllimi;
Itakat jo gjithnjë e meritojnë
lundrimin e guximshëm që aq larg i coi
lundërtarët që pa Itakat dot s'jetojnë...

I pashë Itakat...të gjitha i pashë...
mes dallgësh në të gjatat lundrime
i preka e në ikje të gjithave u thashë:
"Ti ishte Itaka, por jo Itaka ime"...

Nganjëherë nuk ia vlen as qëllimi;
të bëhesh Odise i ishullit që ëndërron...
veç kur këmba të të shkelë mbi Itakë
do kuptosh që Itaka vërtet s'ekziston...

(2007)
©Artan Gjyzel Hasani