20.3.16

Intervistë për Klosi News (Prill, 2014)

intervistoi:  Dea J Klosi


Klosi News:   Flitet gjithnjë  e më  shumë  për letërsinë, bëhen emisione mbi përkthime e dhënie çmimesh, e gjithmonë  thuhet se s'po lexohet. Cila është  analiza juaj për këtë  moslexim ? A ekziston vërtet si problem apo është  thjesht një  përshtypje e gabuar ?

Artan Gj. Hasani: Mendoj  se lexohet  shumë  nga  lexuesit e  thjeshtë  dhe  pak nga  ata  që  institucionalisht e profesionalisht e kanë  për  detyrim të  jenë  në  kontakt me letërsinë  bashkekohore  shqipe  dhe risitë e saj. Eshtë një bindje e  fortë e  imja  që në  fakt  do doja  të  ishte  ndryshe me kalimin e viteve. Por  kalimi i viteve  veç  e  përforcon  këtë . Çmimet  letrare, juritë  e tyre, bordet  e ministrisë  që  merren me  zhvillimet letrare  dhe promovimin e vlerave  letrare, studio  televizive, faqet  letrare  të  mediave  të  shkruara , dhe natyrisht edhe  botuesit  dhe sistemi  i  botimeve  në  Shqipëri, për mendimin  tim, e kanë kaluar fazën  e  të  qënurit  qesharakë  dhe  tashmë ndodhen në  stadin e neverisë. Problem nuk është  të lexuarit e librave  si një  sport masiv mbarëkombëtar, por  prania e klikave  që  prej  kohësh  kanë  vënë një  postbllok në portën që  normalisht duhet të jetë  e hapur  veç  për  letërsinë  e mirë.   Trau  i  atij postblloku ngrihet  veç  për miqtë  dhe  shokët , por kurrë  për  dikë  që ndodhet  jashtë  sektit  dhe klanit. Të  krijohet  përshtypja  që  çmimet  letrare  në Shqipëri  shpërndahen nga  llozha  të  fshehta  masonike. Por në ndryshim nga  masonët origjinalë , këta  “masonët”  tanë  të  jurive e bordeve  letrare   janë  persona  të njohur  publikë  pasi  ua lexojmë emrat  dhe ua  shohim  fytyrat  kudo, por në ndryshim nga  masonët e vërtetë  i  fshehin nga  sytë e lexuesve pazarllëqet e tyre në kurriz  të  asaj  që  duhet të  ishte  letërsi e mirë. Dhe  kështu  krijohen e prodhohen artificialisht autorë  “të mëdhenj”, poetë “të mëdhenj”, përkthyes  “të mëdhenj” dhe natyrisht,  edhe  “bestseller”-at  shqiptarë.  Kjo është njëra anë e  medaljes. Ana e dukshme  që  promovohet kudo e ngado nga  vetë klanet  që  kanë  uzurpuar  letërsinë bashkëkohore  shqiptare. Dikur  këtë  e bënte  diktatura  me çensurën e saj  ideologjike, sot e bën   klani  dhe “shoqnia” e  vet. Shqipëria mund të jetë  i vetmi vend në botë ku të  gjithë fituesit  e çmimeve  dhe  anëtarët e jurive  dhe  gazetarët e  kulturës  apo  pjestarët e bordeve  të  kulturës janë  miq e shokë mes  tyre. Nganjëherë  edhe  të  ngushtë  fare.  Ka dy gjëra këtu: ose kanë  qenë  të  gjithë  shokë fëmijërie  të  rritur në një  lagje e  qytet, gjë  që nuk më rezulton e  tillë, ose  janë bërë  miq e shokë  nga  interesa  të  pastra  abuzive  siç janë çmimet  dhe  promovimet.

Klosi News:  Gjithashtu, flitet për problemin e botimeve, se ato lenë për të  dëshiruar, janë  të  shpërndara dhe pa një  bosht. Ç'letërsi keni ndjekur së  fundi nga shtëpitë  botuese ? A përkon ajo me pritjet apo me ndjeshmërinë  tuaj letrare ?

Artan Gj. Hasani: Botimet e  librave janë  një aktivitet  tregëtar  i botuesve me qëllim  rritjen e fitimeve  të  tyre. Nuk  di ndonjë botues  shqiptar  që  “t’i digjet  xhani”  për  zhvillimet  letrare në  Shqipëri. Nuk kam ndonjë iluzion në lidhje me  dobishmërinë e  botuesve. Pronarët e  shtypshkronjave  janë  shumë më dinjitozë  se  botuesit. Të  dy  të marrin paratë kundrejt çmimit  të  vënë , por në ndryshim nga  të parët , të  dytët  shumëfishojnë  fitimet në kurriz  të  autorëve  dhe në dëm të  letërsisë  së mirë. Diku i kam quajtur  “hiena  të  librit”  dhe  i qëndroj atij mendimi.  Nuk janë botues.  Janë libraxhinj. Siç kemi  tregëtarë  sapuni, qoftesh, makinash, llamarinash, teneqesh,  kemi edhe tregtarë  librash. Kam preferuar  të  mos kem botues, por  lexues. Më mirë të  pasuroj  falas  shpirtin e dikujt  që  i pëlqen letërsia, se  sa  të  mbush  xhepat e  botuesve matrapazë shqiptarë.  Uroj  që  epoka  e internetit  t’i  çojë drejt  zhdukjes këto  specie  dhe bashkë me to edhe  institucionet letrare parazitare  si  juritë, çmimet, festivalet e panairet.  
Lexuesi  është juria  e vërtetë  dhe  çmimin  ta  jep  Koha.

Klosi News:  Duket se problemi i botimeve të  autorëve shqiptarë  ka hyrë  në  një  errësirë  thuajse të  plotë. Media nuk po i pasqyron si duhet këto botime dhe marrëdhenia mes autorit dhe lexuesit  duket se është  ndërprerë . A mendoni ju se dukshmëria e librit në  peizazhin shqiptar mund të  kryhet vetëm nëpërmjet internetit (forume, blogje, rrjete sociale, etj.) ?

Artan Gj. Hasani: Interneti  është  vitrina  më  komode e librit. Brenda  pak  çastesh  mund të lexosh  cilindo autor të  huaj apo shqiptar. Në  internet  nuk ndjehet dhuna e marketingut  të mediave  dhe botuesve, jurive  dhe panaireve. Fatmirësisht në  internet nuk  ka  bestsellers. Me pak  përkushtim  kohor  mund të gjesh  letërsi  të mirë.

Por kujdes evazionin: Facebook  gëlon nga  lloj lloj  “autorësh”.  Zakonisht  ky takëm  njerëzish  nuk është  aq  inteligjent  sa  të ndikohet natyrshëm nga  vepra e dikujt. Jo.  Ata  e  gjejnë më të  udhës  të  vjedhin vargje, metafora, figuracion,  ide  online nga autorë të  çertifikuar nga  koha dhe me  paturpësi e  arrogancë  ta paraqesin  forcërisht si  të  tyren atë që  është  karrikatura e  origjinalit të  dikujt  tjetër. Kjo  dukuri  është  sa e neveritshme, aq  edhe e pashmangshme në këtë epokë  virtuale  shqiptare, ku  çdo ditë  lind një libër kopil, bashkë  me prodhuesin e  vet  që mund të jetë  një poeteshë  e re apo  një romancier  i ri.

 Klosi News:  Ç'mendim keni ju mbi disa ide apo opinione që  hidhen here pas here mbi ndihmesën që  Ministria e Kulturës duhet t'i japë librit ? A duhet që  kjo të  kalojë  përmes financimesh rastësore (që  mbase mund të  keqpërdoren) apo te bëhet nëpërmjet rregullimeve ligjore për t'i dhënë frymë marrje vetë  industrisë  së  librit ?

Artan Gj. Hasani: Mendoj  se Ministria e Kulturës  mund t’i japë  ndihmë  vetëm librit  si mall  dhe botuesit/autorit  si  tregëtar i këtij malli dhe jo  librit si  letërsi, pra   industrisë  së librit  dhe jo  artit  të  të bërit  letërsi.  Ndihma e  shtetit,  jurive, botuesit, panaireve  mund të prodhojë  në rastin më të mirë  një  bestseller, por  kurrsesi një  letërsi  të mirë.  Kjo nuk është  domosdoshmërisht diçka  për të  cilën  duhet  të  trishtohemi. Jam i bindur  se  pjesa më e madhe e masës  së lexuesve  shqiptarë  preferon  më shumë  një  bestseller  fitues  çmimesh  dhe  panairesh,  se  sa  një letërsi  të mirë  të  pashpallur.  Të  bërit  letërsi është  një akt  thellësisht  individual  dhe  zhvillohet  larg  syve  të  publikut  dhe syzeve  të  qeverisë  dhe  institucioneve  apo jurive. 

 Klosi News:  Le të  kalojmë  në  pak gjëra vetjake. Cili është  botimi juaj i fundit dhe a mund të  na flisni diçka  mbi të  ? Ç'trajton, dhe nga ka marrë  fill kjo vepër ?

Artan Gj. Hasani: Libri im  më  i ri  është  vëllimi poetik “Prandaj”,  i cili  del këto ditë në qarkullim. Një  përmbledhje  poezish  të  dy  viteve  të  fundit.  Janë  poezi  që  depërtojnë  anën e panjohur të  vetvetes, por  ndryshe  nga  herët e tjera, bëhet  fjalë për  një nënshtrim të  butë të  unit rebel. 
Vetë  titulli  të shtyn të mendosh se bëhet  fjalë  për një  shfajsim  poetik  për  gjëra  që  s’i bëmë  dot  si  ç’donin të  tjerët  apo  që  duhet  t’i bënim ndryshe. 

 Klosi News: Ju falemnderit !

http://www.klosi.org/news/klosi_news_literature/6721.html