20.3.16

Intervistë për Gjurma.mk (Dhjetor, 2014)

Intervistoi: Blerona Jakupi

Gjurma.mkPse shkruani,çfarë është poezia për ju?
A.Gj.H Për mua poezia është një gjëndje shumë personale. Një feksje brenda qiellit të mendjes e cila nëse jemi me fat arrin të prodhojë një rrebesh a një shi të imët fjalësh.
Gjurma.mkCila është muza e Artan Gjyzel Hasanit?
A.Gj.H Duke perifrazuar një autor të hershëm anglez do të thoja që muza është ajo gjë speciale e cila më lejon që pasi të kem bredhur lule më lule, të bëj mjaltin që dua vetë me nektarin që më jep ajo.
Gjurma.mkCili është krijimi juaj i parë dhe kujt iu dedikua?
A.Gj.H Krijimi im i parë poetik nuk ka qenë një vjershë, por një vizatim. Një vizatim klasik i gjithë fëmijëve të botës.
Një shtëpizë me oxhakun me tym, buzë një lumi ku dallohej një urë.Në sfond një diell i qeshur dhe ca male. Në mes të shtëpisë vizatohej dera e cila ishte gjithnjë një derë e mbyllur.Dera në përgjithësi, dhe në veçanti dera e mbyllur gjendet shpesh si detaj në poezinë dhe prozën time.
Mendoj se gjithshka ka filluar nga vramendja për atë derë të mbyllur,për atë diell të qeshur, për oxhakun që nxjerr tym dhe për atë urë që bashkon brigje.Për mua ai vizatim universal është kryevepra e pikturës botërore, sepse ka një autor të përbashkët: femijën.
Gjurma.mkKur mbushët mendjen të botoni krijimtaritë e juaja të para dhe si u pritën nga ana e lexuesit?
A.Gj.H Në dhjetor të vitit 1996 u botua vëllimi im i parë poetik “Striptizë në shpirtin tim” një libër që nuk e di nëse arriti në duart e lexuesit, pasi gjatë vitit ’97 u dogjën e u shkrumbuan ndër të tjera edhe libraritë.
Pas rreth 20 vitesh nga botimi i tij nuk kam dëgjuar akoma ndonjë lexues që t’i referohet atij libri.
Gjurma.mkÇ’është poeti sipas jush ?
A.Gj.H  Unë mendoj dhe besoj se në mënyrë të natyrshme poet është çdo njeri.
Çdo njeri mund të prodhojë vjersha si bukët në furrë apo tullat në fabrikë. Çdo njeri nëse ulet të shkruajë, të predikojë, të bëjë lojëra fjalësh apo të nxjerrë mllefe personale do arijë në fund të prodhojë një vëllim poetik.
Sot në vendin tonë ka më shumë autorë se sa lexues, sado paradoksale të tingëllojë kjo gjë. Por këta janë poetët mediokër dhe grafomanë dhe nuk besoj se pyetja juaj ka lidhje me këtë kategori.
Sigurisht që ka edhe një pakicë e cila në ndryshim nga të parët bën art. Art të fjalës. Prodhon artin poetik, se poezia është art dhe jo zanat.
Personalisht më intrigojnë në lexim veç autorë të panjohur që bredhin në universin virtual të artit si ujqër të vetmuar.Këta janë poetët dhe kurrë nuk i gjen të tufëzuar në kolektiva e grupe…Është shtysë instinktive vetmia dhe këtë instinkt e kanë veç ata që janë të lindur poetë.
Autor librash bëhesh, kurse poet lind.
Gjurma.mk Çfarë ju ‘ngacmon’ që shkruani kaq bukur?
A.Gj.H Hipokrizia individuale e mishëruar në morale të rreme turmash kjo është një ndër objektet e preferuara të malinjitetit tim poetik. Ndërsa dashuria dhe nënproduktet e saj janë një ngacmues i pashmangshëm në udhën time krijuese. Në thelb dashuria është feja ime e vetme.
Gjurma.mkCilat detaje të përditshmërisë ju sjellin paqe e frymëzim?
A.Gj.H Qetësia. Harmonia. Dija. Jam alergjik ndaj zhurmave, rrëmujës dhe vulgaritetit të jetës.
Gjurma.mk : Me çfarë e mposhtni atë që s’ju pëlqen nga realiteti?
A.Gj.H Përpiqem ta injoroj!E kur nuk mundem dot, atëherë përballem fort me të dhe zakonisht humbas. Janë të vetmet humbje dinjitoze të miat.
Gjurma.mkTre fjalët me të cilat përshkruani veten!
A.Gj.H Do më mjaftonte një e vetme: Provokues.
Gjurma.mk : Tre lutjet që s’të janë përgjigjur kurrë ?
A.Gj.H Janë më shume se tre dhe asnjëra nuk ka lidhje me paranë.
Gjurma.mkNga çfarë bën gjithmonë kujdes Artan.Gj.Hasani?
A.Gj.H Nuk dua të lëndoj njerëz, edhe pse e kam bërë këtë gjë në disa raste.
Po ashtu nuk dua t’u krijoj njerëzve iluzione për atë që s’jam.
Si autor bëj kujdes që në truallin letrar të lë një gjurmë unike të paimitueshme.
Gjurma.mkKur shkruani më bukur,kur jeni të lumtur apo kur ndjeni trishtim?
A.Gj.H Bukuria është relative edhe në letërsi.
Besoj se dhimbja frymëzon art më të ndjerë se sa lumturia.
Por ka një paradoks interesant këtu: Shpesh gjëndjet iluzive të lumturisë e bëjnë një poet të spikatur të shkruajë poezi mediokre, ndërsa dhimbja edhe një poet mediokër nganjëherë e bën të shkruajë diçka të spikatur.
Gjurma.mkA mendoni se me poezinë tuaj arrini të njomni ashpërsinë që mbizotëron?
A.Gj.H Besoj se ata që më lexojnë mua nuk janë njerëz të ashpër, e për pasojë nuk mund t’ia atribuoj poezisë sime faktin që lexuesit e mi janë njerëz të ndjeshëm. Për më shumë, nuk është ndonjë mision që ia kam vënë unë poezisë sime “zbutjen” e njerëzve. Por nëse kjo ndodh padashur, e përse jo?
Gjurma.mkJu nuk jetoni në Shqipëri, për çfarë ndjeni mall më shumë?
A.Gj.H Ndjej mall për ato gjëra që nuk i gjej më kur kthehem në vendlindje. Veçanërisht për ato gjëra që më lidhin me fëmijërinë time.
Gjurma.mkA shkruani diçka aktualisht dhe kur do mundemi të kemi në duar librin tuaj të ardhshëm?
A.Gj.H Po merrem me disa projekte letrare njëkohësisht. Aktualisht po punoj më shumë me romanin “Funeral” të cilin besoj se lexuesi do e ketë në dorë në vazhdim të vitit 2015.
Gjurma.mk: Në fund, ç’dëshironi t’ju përcillni lexuesve tuaj?
A.Gj.H Lexuesve të mi u uroj të bëjnë një jetë sa më të vërtetë të jetë e mundur. Vetëm e vërteta të bën vërtet të lirë.
Gjurma.mk Ju falemnderit!

http://gjurma.mk/artan-gjyzel-hasanikujdesem-qe-te-le-gjurme-unike-te-paimitueshme/