26.4.16

ZYSH


Fjala “zonjushe”, e transformuar në “zonjush’”, pastaj “z’jush” dhe trajta përfundimtare, “zysh”.
Emërtesa "Zonjushe" përdorej edhe për mësueset.
Në vitin 1968 qeveria komuniste e hoqi përdorimin e fjalëve “zonjë”,”zonjushe” dhe “zotni” si shprehi të tejkaluara të kulturës borgjeze.
U zëvëndësuan me fjalët proletare “shok/shoqe”.
Por ndodhi ajo që nuk e kishte parashikuar Diktatura.
Fjala “zysh” jo vetëm mbijetoi, por nga një emërtesë mirësjelljeje u shndërrua në titull, pra fitoi një cilësi më të lartë duke u bërë e përjetshme. Për vetëmbrojtje fjala "zonjushe" u shndërrua, u ndryshua në formë, u maskua për të mbetur e gjallë, u mblodh në sipërfaqen më të vogël alfabetike për të qenë sa më pak e dëmtueshme...u bë njerrokeshe... u be "zysh".
Një zysh mbetet përjetësisht një zysh, siç themi Kontesha X, princesha Y dhe baronesha Z, themi Zysh Irena, zysh Kumria, zysh Jolanda, etj. Një titull unik i patrashëgueshëm.
Një titull që nuk vinte nga pasuria e mbajtëses, por nga nderimi dhe adhurimi instinktiv i nxënësit për zëdhënësin e dijes së panjohur. Një mistifikim i pavullnetshëm, por që në fakt ishte i pashmangshëm.
Sot që po shkoj drejt të gjashtëdhjetave, kur me rastis të komunikoj me ish mësueset e mia e ndjej fjalën “zysh” në tërë përmasën e saj madhështore.
“Zysh” ishte i vetmi titull aristokratik e fisnik që arriti t’i mbijetojë Diktaturës dhe që në fakt nuk u luftua nga mjetet e diktaturës, u nënvleftësua dhe u klasifikua e parrezikshme.
E kundërta ndodhi me emërtesën “zotni” për mësuesit. Mjaftonte që një mësues ta thërrisnin akoma ish nxënësit e tij “zotni” që ai të bëhëj i dyshimtë për sigurimsat vërdallë.
Fjala “zotni” kishte në rrënjë fjalën “Zot”, një nocion me të cilin Diktatura i lau hesapet në mënyrën më kriminale që në vitin 1967.
Tani që po shkruaj këto shënime, ndjej keqardhje që si nxënës nuk pata fatin t’i thoja qoftë edhe një herë të vetme “zotni Qaniu” mësuesit tim të mrekullueshëm Qani Përtafi.

©artangjyzelhasani