26.3.16

SIXHADJA FLUTURUESE - një përsiatje fatale për destinin



Nga destini shkatërrimtar apo fati i keq mund të shpëtojnë dhe të shmangen njerëzit e vegjël. Njerëzit e mëdhenj, përkundrazi,  e kanë destinin dhe fatin e keq  pjesë të madhështisë, por  kjo gjë zakonisht kuptohet  pas vdekjes së  tyre. Ndryshe nga sa mund të mendohet, madhështia e dikujt ndonjëherë mund të jetë e lidhur edhe me fatin e sendeve personale të tij.

Kjo është një histori me sixhade.  Një histori e vërtetë për një sixhade  fluturuese dhe simotrat saj. Të krijuara nga thurje artizanale, me penj kërpi dhe ngjyra të  përgatitura në mënyrë tradicionale, ato kanë dëshmuar se i rezistojnë kohës për shumë vite. Në  Labëri mund të gjënden akoma sixhade të bëra 100 vjet më parë.  Jo pak nga lexuesit e këtyre rreshtave, miq e shokë të autorit, kanë pasur fatin të ulen mbi sixhadet e këtij rrëfimi.

Në vitin 1928, jetimja pesëmbëdhjetëvjeçare  Hatixhe H. e fshatit Dukat thuri për pajën e saj katër sixhade  shumëngjyrëshe leshi, tri nga te cilat, sipas zakonit, do shkonin për të zotin e kalit të bardhë që do merrte nusen  dhe  vetëm njëra do t’i mbeste nuses së re. Kjo e fundit, ndryshe nga  sixhadet e tjera,   do të kishte të qëndisura në cep inicialet e emrit të nuses.
Meqë në ceremoninë e martesës së Hatixhe H. (që u bë Hatixhe Sh.) kali i bardhë u ngrit kas dhe nuk donte të hynte në shtëpinë e dhëndrit, duke e rrëzuar tri  herë nusen e re para pragut të shtëpisë ( një detaj i vërtetë  i përdorur nga unë në tregimin “Hanka”),  i zoti i famshëm i kalit, fisniku  Mehmet A. e pa të udhës të mos i pranonte tri sixhadet e taksura nga nusja jetime.

Në dimrin e  vitit 1943 dezertori  italian Salvatore B. e vjedh sixhaden e nuses nga oborri i shtëpisë së  Hatixhe Sh. në Dukat  dhe bashkë me pushkën e tij e fal në fshatin Tragjas në shkëmbim të një  strehe dhe ushqimi.

Në vitin 1954 Hatixhe Sh. bashkë me të bijën dëbohet fillimisht drejt zonës së Gollobordës, në verilindje të Shqipërisë e më pas vendoset në Peshkopi.

Një pasdite korriku të vitit 1970, e bija e Hatixhe Sh.  thërritet për një urgjencë shëndetësore  në fshatin Fushë Alije të Dibrës  ku i shpëton jetën një nëne dhe foshnjës së saj të porsalindur. Kryetari i këshillit të fshatit, Shpëtim M. në shenjë  falenderimi shtron një darkë në shtëpinë vet për shpëtimtaren dhe familjarët e të shpëtuarve. Mbi minderin ku ishin ulur e bija e Hatixhe Sh. njeh sixhaden  unike të së ëmës. “Kjo sixhade  është e nënës sime, dhe ka edhe inicialet e emrit të saj të vajzërisë të qendisura në anën e poshtme.”
Udhëheqësi komunist i fshatit kthen cepin e sixhades dhe dallon inicialet H.H.
“Ia sekuestruam në vitin 1944 kriminelit dhe hajdutit Halil A. që e kish vjedhur në Tragjas”, shfajësohet i zoti i shtëpisë dhe ngre një dolli për jetën e re.

Në vitin 1980 i shoqi i mërguar në Kairo i Hatixhe Sh. nga letërkëmbimi i cunguar mëson historinë e sixhadeve dhe si një simbolikë ngushëlluese  i dërgon një qilim Persian. Pakoja arrin në qytetin Peshkopi, por nuk i jepet  Hatixhe Sh. së cilës i kërkohet të firmosë  një shkresë ku thuhej që nuk pranonte pako nga armiqtë e Atdheut, gjë që ajo nuk e bën.

Në fundvitin 1990 , autori i këtyre rreshtave , në rrethana jo edhe aq rastësore,  debaton në një dhomë me ish presidentin  në pension për pandershmërinë, nga vrastare në banale,  të  rregjimit ndër vite, dhe fjalë pas fjale,  i tregon edhe historinë e sixhades.  Ish presidenti e kundërshton fort, duke harruar, apo duke mos e ditur,  që  edhe qilimi i shtruar  në atë sallë  qeveritare pritjeje  ishte pikërisht qilimi Persian i dërguar si dhuratë për  Hatixhe Sh. nga bashkshëshorti i saj Musa.

Këtu mbaron historia reale e sixhadeve të Hatixhe Sh. por, meqë jemi në këtë temë, dhe në respekt të adhuruesve rishtarë të Borges-it,  le të hamendësojmë  për fatin e mundshëm të një sixhadeje magjike si ajo në një vend të pabesueshëm si i yni.
Kështu pra, mund të spekullojmë se në  vitin 2016 deputetit dhe matrapazit të  njohur të antikave Koço K. i dhurohet  Sixhadja  Fluturuese nga  kundërshtari i tij politik Lul B. në shkëmbim të një vote. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës  sixhadja e famshme ekspozohet në Berlin dhe aty blihet nga stërnipi etnograf i Hatixhe Sh, i cili shumë vite më vonë, në pleqëri dhe pas falimentimesh të njëpasnjëshme financiare, e përdor si mjetin e vetëm për t’u mbrojtur  nga i ftohti i Fifth Avenue ku edhe  gjëndet i vdekur si i pastrehë një natë  dimri të 2035.

Duke u kthyer përsëri në pikënisjen e këtij rrëfimi: A mund ta shkëpusim vërtet një njeri nga rrënjët e veta ashtu siç bëjmë me një pemë?
Hatixhe Sh. ia këputën rrënjët dhe e degdisën në një vend të largët të ri.
Por para saj kish mbërritur atje larg përmes udhëve të verbëra dhe kapriçioze të destinit ajo sixhade, një nga rrënjët e jetës së saj.
Vite  më vonë përsëri fati dhe destini i çuan atje ku ishte  degdisur edhe një rrënjë fikusi nga i shtëpisë ku ish bërë nuse, një histori për të cilën flitet te tregimi tjetër i imi  “Vazo të thyera”.
Sot besoj se destini i të pafatëve të mëdhenj është një alibi e shpikur nga njerëz të vegjël. Alibia e tyre në pamundësinë për t’i  shkëputur të pafatët nga rrënjët…

Dhe meqë po flasim për fate e destine: gjatë Diktaturës Hatixhe Sh. u dëbua nga vendi i saj për rreth 40 vjet. Në Demokraci u rikthye në vendlindje ku jetoi edhe 20 vjet, por kapriçiot madhështore të destinit (dhe jo të diktaturës këtë radhë) e cuan përsëri në atë qytet të vogël verilindor ku edhe u nda nga jeta në moshën 103 vjecare!

Epilog:

Në vitin 1956 Hatixhe Sh. i dërgoi një kërkesë transferimi ministrit të  Shëndetësisë së asaj kohe për rikthim në vendlindje. Kërkesa e saj u refuzua prerë  me një shkresë  në të cilën shkruhej se ai qytet i vogël verior kishte nevojë  edhe për kontributin e Hatixhe Sh.
30 vjet më vonë, në epokën kur të sapodiplomuarit flakeshin në Veri,  nipi i ministrit të dikurshëm  preferoi  të emërohej  me punë pikërisht në atë qytet të vogël, meqë  aty banonte  i vetmi mik i tij i ngushtë  në veri të vendit. Nipi i Hatixhe Sh.


26 Mars, 2016
© Artan Gjyzel Hasani