15.2.16

AUTOPEIZAZH



një nga një shuhen yjet në qiell
si fjalët kur japin shpirt në një varg
është ora kur errësira  bëhet hije
kësaj vjeshte  të vyshkur e të thatë
në pjerrëtinat e kalldrëmta të shpirtit
sizifët e  mallit tim mbartin  ditët
si netët  hëna jote në agim
kreshta malesh  përflak  mëngjes i artë

zgjidhur nga zinxhirët qenushët e pritjes
hop hop  tundin bishtin me padurim
hingëllijnë  kuajt e egër të epshit,
miell premtimesh në mokër të trurit
ku  mendimi bluan një thinjë
shtojzovallet lakuriqe të deshirës
në magje shpresash  zënë brumin
dhe  vetja më ngjason me një fshat
që fëmijët kanë harruar t’i vizatojnë lumin

dua të pi
të notoj
të lagem
por ngadalë  heshtem
zvarrem  
kalbem
qetësi kumbuese në  veshët e natës bëhem
dallgë  oqeani  shurdhuar  në  një guackë…


©artangjyzelhasani