15.5.10

Rutinë

Kështu më ndodh gjithmonë...

Fal sytë, por jo vështrimin,
fal psherëtimën, por jo ah-et,
fal gjumin, por jo ëndrrën,
fal zemrën, por jo rrahjet…

Më falën trupin, por jo ngrohtësinë,
më falën lotin, por jo ngashërimin,
më falën çastin, por jo përjetësinë,
më falën puthjen, por jo drithërimin….

Kështu do më ndodhë gjithmonë…

Sikur te falja vështrimin, ç’të bëja me sytë,
sikur të falja ah-et, psherëtimën kush ma dëgjon,
sikur të falja ëndrrën, ç’ta bëj gjumin vet’ i dytë,
sikur të falja rrahjet, kujt i duhet një zemër që pushon?

Sikur të më falnin ngrohtësinë, trupin do t’ua ngrija…
të më falnin ngashërimin, s’do të kishin më lotë…
të përjetshëm të më bënin, pa çastin do t’i lija…
të më drithëronin, do t’ua vyshkja puthjen e ngrohtë…

(Një herë, veç një herë, ndryshe ndodhi
kur fala të gjitha dhe gjithshka
e kur iku edhe shpirtin tim mori,
por vetëm për një çast pa shpirtin më la…)

(1996)

©Artan Gjyzel Hasani