16.5.10

Bain - marie

Ti grua që po bëhesh gati për t’u larë
të lutem mos u shtri në vaskë…
rrëkesë së dushit dorëzoja trupin tënd
si stuhia dheun shiut…

siç ua dorëzon qafën flokëve
barkun gishtërinjve…
lëre ujin e ngrohtë të lëpijë gjinjtë e tu…
t’i thithë e të dehet…
nën sqetullën tënde të rruar
në parfum gruaje të kthehet…

lëre rrëkenë të rrjedhë
nga gusha mes gjinjve
nga thithat e fortë
pikë pikë të pikojë
si vesë kërthizës tënde
e buzët t’ia lagë
tajgës mërmëritëse…

e pastaj të rrjedhë
brinjëve
ijeve
kofshëve
gjunjëve të drithëruar
lëri gishtërinjtë e avullit
mbi tastierën e trupit tënd
melodinë e ujit të luajnë…

Hej ti femër që po bëhesh gati për t’u larë
je akoma e re…
ndaj të lutem mos u shtri në vaskë…
unë një poezi të avullt pranë teje…
pleqëria jote mijëra pikëla uji larg…

( 16 maj 2010)

©Artan Gjyzel Hasani