18.3.11

Mos qaj…(variant i ripunuar)


 në shtratin tim  mund të të jap veç seks,
por  ti me ngulm  kërkon dashuri…
dhe s’e kupton që unë nuk mundem  të të fal
magjinë që  deri dje ta jepte ai…
…………………………………
oh…perëndi…kjo  histori e vjetër...
sa shpesh zhgënjimi nga dashuria
e bën  një grua të  shkojë me  një tjetër…

* * *
nuk është gjak lëkurës sime derdhur
ajo që thithin buzët e tua,
është mirazh i kafshimeve të dikurshme
në syte e tu të skuqur...
është dhimbje...
gërryerje...
thonjgërvishtje...
epsh mollëkafshuar evash
padrejtësisht të  adamizuara...
……………………….
s’është prush,  por hi…
ështe plaga ime  pa gjak
sa herë më afrohet një femër
si ti.


* * *

kam qenë edhe unë këtu ku je ti tani
kur  veten e përhumba   jetëve  të të tjerëve
e ajo  çdo ditë e më shumë më harronte…
hieroglife  kineze  të ngatërruar
besime dhe premtime
fjalë të pathëna kurrë
dhe unë i verberi që   donte  t’i deshifronte
mes   turmës hokatare
që shpallte vetmine time…
……………………………
ka qenë një kohë kur qiej  të panjohur
fluturimet shkujdesur m’i tradhëtuan…
si gruaja kur  braktis një burrë…

* * *

njësoj të braktisur, por në kohë  të ndryshme…
prandaj  kaq të ndryshëm…
dhe ja ku jemi  sot
……………………………..
ti me të  freskëtën  të lagurën plagë
unë  burri që  asgjë s’e plagos dot……

* * *

e ti tashmë je e vdekur për atë?
nuk të do më?
për ty s’ka mall?
mos qaj!
që të shkosh në parajsë më parë duhet të vdesësh…
por ti vdis e re
sa më vonë të jetë e mundur…
……………………………….
në ferr shkohet edhe i gjallë…

* * *

nuk të do më?
për ty s’ka mall?
të  paska harruar?
dashuria nuk prenotohet
si në një hotel me parapagim:
"ju lutem më mbani një vend DASHURI bosh
për korrikun e ardhshëm!"....
dashuria thjeshtë...NDODH ,
pavarësisht kohës apo njeriut të gabuar...
ndaj mos qaj!
dje dashuria e bënte të mos e ndjente kohën...
sot koha e bën të mos ndjejë dashurinë…
por ti mos derdh lotë të rinj  mbi brenga të vjetra…
brenga të tjera më pas do të vinë…


* * *

eja pra  vogëlushe…
të lutem mos qaj…
kujto vullkanin që të harrosh tërmetin…
që të blesh lumturi duhet të shesësh shpirt…
jo gjithnjë dashuria është ajër...
nganjëherë frymëmarrja eshtë e dëmshme për shëndetin…


(2008  & 2011)

©Artan Gjyzel Hasani