31.7.11

Prushi i fundit


me  shumë mundim e  ndezëm  dhe qymyrin
barbekjuja  është gati…jemi në piknik…
do  piqen gjërat dhe pas pak do hamë
do bëjmë shaka
do shkrihemi  së qeshuri
do pimë  dhe birrë nganjëçik…

 e pastaj do më rrëfesh  kur ishe  e  vogël
që  zjarre te  ndizje  te  pëlqente…
sypërlotur  tymit  i fryje…
flakës  i gëzoheshe… lumturoheshe
teksa  krande  mblidhje  zabeleve
hareja  bubulake   përflakte
netët  plot yje pranvere…

e unë buzën do  vë në gaz
do ndez një cigare…edhe një tjetër…
e në mendime  do bie më pas
dhe  nuk  do të  të them se
sa shumë më trishton ndezja e zjarrit…
vdekja e flakëve në përcëllim
…………………………………..
çdo zjarr  që  dikur ndizja   shkujdesur,
shuante  diçka në shpirtin tim…

dhe nuk do të të them se
s’më dëshpëron hiri i zjarreve  të shkuar
por prushi që  dimrit digjet  në mangall
teksa  e shoh  të shuhet…të shuhet
e  flakën të gëlltisë  ngadalë
zvogëlohet…plaket…rrudhet…
ashtu… dritëmekur jep shpirt…
ashtu…në heshtje…pa fjalë…
e  nxitoj të shuhem para tij…
e të shkoj  i ngrohtë në atë botë...
a ndoshta të shuhem bashkë me të…
ta  rindez  më  s'mundem dot…


(27 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani