31.7.11

Një poezi e kotë si përtesa…


është verë e nxehtë  dhe kotësi e madhe sot
dhe
ndërsa moshataret e tua  në bikini
pozojnë  në ajër
me këmbë e krahë  hapur
dhe  fotografojnë
sandalet e tyre
thonjtë…
unazat…
hijet …
ti vajzë e panjohur
mbështetur  pas shezlongut  tim
diku buzë  liqenit
kërkon ta bëjmë aty…
në mes të rërës…
në zheg  të  vapës...
në pikë të diellit…

është verë e nxehtë…
mesditë
vapë
dhe kotësi e madhe
e  për seks  nuk paskam oreks…
e panjohur  që  adhuron poezitë e mia,
poetët  takohen veç në mbrëmje…

(por ka qenë një kohë
kur  isha rreth të pesëdhjetave
pushimet  i bëja  në  Meksikë
jetoja në  Toronto…
tymosja puro kubaneze
cigare të forta  “Camel”
pija  konjak të  lirë  francez...
si gjithnjë me Gabrielën i dashuruar
gra të dëshpëruara  flirtoja
në shi dhe në vapë…
rënkoja  poezi në shqip
dhe nuk isha  si sot  kaq  dembel…)

e sot ti  kërkon të  zhytesh te unë
ashtu… tradhëtisht…
si  kujtesa kur  dëshiron të  harrojë…
e  unë përtoj të të them
“është  thellë  aty
do humbësh mes vargjesh…
do mbytesh, vajzë,
e s’do ketë kush të të shpëtojë…”

është verë e nxehtë
dhe kotësi e madhe sot, vogëlushe,
shumë vapë  për  pasione  të forta
shumë  djersë  për  ndjesi delikate
por ti më puth…
më thith…
më kafshon…
eturazi më  puth prapë
…………………………..
të dorëzohem  dhe  përtoj  të të them
që një poet  nuk mund të jetë kurrsesi
më i  bukur se poezitë e tij…
sidomos në mesditë…
sidomos në vapë….


(12 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani