2.5.11

Kameleonët (një poemë e sforcuar prozaike jo për Fridën)

 e kisha njohur në një periudhë të papërshtatshme të jetës sime…
ndoshta fillimi i kësaj epoke që jetojmë sot
epokë me prapashtesë  fjalën “digital”
kish qenë pranverë dhe filozofimet e mia të atëhershme
kishin patur një karakter më social…

kanalet televizive gëlonin nga modele anemike
që të jepnin mënd për gjithshka…
kundër ndotjes së mjedisit  protestonin
yje të perënduar të kinemasë…
politikanët akoma pozonin me fëmijë ne duar
si edhe më parë gazetarët vazhdonin të ishin
të pacipë  dhe  gënjeshtarë…
në ekran lavatriçe reklamonin
meshkuj me fytyrë katrore  dhe dhëmbë të bardhë…

lakuriqësia nuk ishte më tabu,
por ishte një detyrë e shenjtë
gjithshka  kish dalë në shesh
asgjë e trupit femëror nuk ishte më e paekspozuar
dhe e panjohur për publikun mashkullor
që gjithnjë e më shumë shtonte vizitat te psikologu
dhe  te psikiatri  më shpesh...

farmacive ishte shfaqur Viagra
dhuratë për penisët e lodhur
ereksion i sigurtë paskëtaj…
dashnori i gruas  konsiderohej publikisht
miku  më i mirë i familjes
e nganjëherë  edhe  mjek i saj…

bisnezmenët visheshin me xhinse të grisura,
muratorët me kostume dhe gravata,
gjykatëset me mini dhe gjokslëshuara,
putanat të mbuluara deri në grykë.
të sapomartuarat gjithnjë e më shumë
nën pushtetin  absolut  të “ex”-it…
çantat shkollore shiteshin të shoqëruara
edhe me nga një prezervativ
dhe prezervativët me ngjyra nga më të çuditshmet
duke përfshirë edhe ngjyrën e zezë
që e kish ulur vlerën e zezakëve
në tregun e hamshorëve  të  seksit…

qentë qarkullonin me pantallona të shkurtëra,
ndërsa zonjat e tyre pothuajse lakuriq...
në Filipine një burrë pretendonte se ishte shtatzënë,
ndërkohë që në Holandë dy gay fotografoheshin
me dy binjakë bullafiqë…
pas pak ishte shfaqur edhe delja Dolly
si mishërimi më i qartë i tabuthyerjes
ndërkohë që priftërinjtë  kapeshin në flagrancë
duke vjedhur proteza penisësh artificialë …
gjeneralë në pension pohonin lidhjet e fshehta me armikun
dhe studentë të plakur para kohe
të pashpresë në kërkim të ndonjë revolucioni të ri
që mesa dukej nuk ekzistonte…

* * *

njerëzimi kish pasur mbifuqinë e duhur për të rrënuar tabutë e fundit,
por edhe dobësinë e tij  për të administruar gërmadhat e tyre…
shkaterrimi kish qenë  kaq  i lehtë...
qytetërimi më në fund kish arritur të kuptonte
pashërueshmërinë e sëmundjes së tij të fshehtë…

nën moton “ Njih vetveten!“
njeriu  kuptoi që thellë  tij  fshihej
një krijesë e paskrupullt,
në  dukje  e pafaj...
një kafshëz e rrezikshme
vrastare
egoiste
që shpesh në mungesë të viktimës
gëlltiste veten e saj …

Era e Ndryshimeve i bëri njerëzit kameleonë
por duke dashur të tregohen origjinalë,
njerëzit u tjetërsuan aq shumë
filluan të ringjanin me të tjerët
dhe kameleonët  u bënë majmunë…

“Kush i bën gropën shokut, bie shoku në gropë!“
- filozofia e saktë e epokës…
paraja si edhe më parë vazhdonte të lëvizte botën
dhe në bursën e vlerave njerëzore
një thes mut kushtonte më shtrenjtë
se sa një kokteil  lotësh…

* * *

në fillim të kësaj epoke kisha njohur Fridën,
tek e cila Era e Ndryshimeve
kish lënë shenja tepër të pazakonta:
kish mbetur e pandryshuar
si një simbol  përkushtimi dhe sinqeriteti…
model mirësie aq i ndryshëm
nga nënproduktet e Çlirimit dhe të Emancipimit…

i pëlqenin lulet  dhe ngjyra e kaltër…
skuqej kur lexonte ditarin tim…
dhe vargun tim epshpërndritur
me dënesë qante  kur shikonte
“Gone with the wind”…
shkonte në kishë çdo të dielë
dhe me mua bënte dashuri me dritën fikur…

luante në piano hymne fetare…
ballada rock-u  të viteve shtatëdhjetë
dhe besonte se në vitin dymijë
kjo botë e dhjerë   do të shkonte  tatëpjetë…
…………………………………
kish ardhur me mua thjeshtë për të mëkatuar…
mëkati më i vogël që mund të bënte
dhe unë i jepja të drejtë…

 (por isha  larguar nga ajo dy javë më pas...
më  dërmonte  pafajësi’ e  Fridës
kur  veten  pyesja  orë e ças’
sa kohë mund të jetojë i lumtur një burrë
i mbyllur në një dhomë me një pikturë,
qoftë kjo edhe e MonaLizës…)


(2000 - 2011)
©Artan Gjyzel Hasani