4.9.11

Pornografi bashkëshortësisht korrekte...


Ja…
ikën tej  dhe muzgu  gënjeshtar
me bishttundurën  mbrëmje  dorë për dore kapur…
nata  ngadalë zë të bjerë
mbi qytetin e përgjumur mëkatar
katedralen
rrugët
pemët
shtëpitë
endacakët…
makinat e parkuara
dhe mbi  këtë dhomë  gjumi  të lumtur
të ndershme
dinjitoze
të bardhë
të qelibartë
të virgjër
ku jetojnë  ajo  dhe ai…
ku gjithshka  është nën kontroll
dhe situata vazhdimisht e qetë
ku ëndrra e re  akoma pa lindur vdes
pranë shtratit të tij  të vjetër bashkeshortor
ku e njëjta dorë  femërore
prej mijëra netësh
të njëjtin  abazhurin
në  të  njëjtën   orë
besnikërisht   bindshëm  ndez…


“Në emër të Atit,
Birit
dhe Shpirtit të Shenjtë,
AMEN!
Në emër të  krushqive,
kushurinjve
miqve  dhe farefisnive
lumenjve  dhe maleve
lagjeve  dhe qyteteve
luleve  dhe  pemeve
zogjve  dhe bleteve
që sot ju shpall burrë e grua!
Kjo unazë ju bashkon
P-Ë-R-J-E-T-Ë!
Amen!
Për jetë të jetëve!
Betohuni!
P-Ë-R-J-E-T-Ë!”

kjo ndodhi  shumë vite më parë
dhe ata u betuan…
përjetësisht
që tradhëtia
që flinte  çdo natë
midis Evave dhe Adamëve
mbi shtratin bashkëshortor
mes jastëkëve  të tyre
të mos  zgjohej kurrë…
të mos guxonte të zgjohej kurrë

u  përkujdesen
sakrifikuan
herë  ai
herë  ajo
herë herë të dy bashkë
here gjithe  lagja  solidarizuar...
qyteti...
shteti...
që AJO…tradhëtia...
bastardja  e  rebeluar
të flinte,
të flinte
të  flinte...

dhe qëndruan një jetë  të  tërë zgjuar
ëndrrat e njëri tjetrit duke vigjëluar
me frikën e madhe
se zgjimi i SAJ
do t’i gjente në gjumë…


(1996)
©Artan Gjyzel Hasani