26.2.11

Të mosvdekshëm (poeme)


Hapësira  është mbushur me yje  balte, e dashur,
dhe vend  varri për ne aty s’ka…
me cigare  diellin do  ta djeg...
derën e qiellit pas vetes  do mbyll...
do zbresim poshtë e do marrim dhenë
atje poshtë  ku jetojnë ata…

Do  të  shajnë nëper dhëmbë kostumin tim
këmishën
gravatën
këpucët
si dhe fustanin tënd  të ri...
por ti mos  u mërzit e dashur
kështu i  kanë  zakonet në  k’to  anë...
le të zhvishemi që ata të merren më lehtë
me rrobat  tona...
që ne të dy  të merremi më bukur
me trupat  tanë…

Po  të  dilnim  lakuriq  para tyre
ata përsëri  do  na i shanin  trupat joshës...
do i quanin  të shëmtuar e të rrudhur
dhe ne përsëri do zhvishnim lëkurën dhe mishin
që ata  të merreshin me lehtë me trupat tanë
e ne me skeletët  tanë të bukur…

Ne mund t’iu  tregojmë  atyre edhe skeletët tane
dhe  ata nuk do guxonin  kurrë  t’i shanin
e  atëhere  ndoshta do na linin të qetë…
do na harronin  e do na sillnin lule
mes lotë  krokodilësh si vesa e mëngjesit...
por ne e dimë  nga atje lart ku ishim,
jo gjithnjë  lulja është syri i virtytit
më  shpesh  është  percja e vesit…

Po fundja  eja të vdesim
për hir të këtij  funerali  kaq të bukur...
nuk është  rradha jonë
por kjo s’ka  rëndësi…
eja…
rast tjetër më të mirë nuk do  të kemi
nuk e sheh që kanë sjellë priftin më të mirë?

Nuk e sheh që kanë sjellë buqetat më  aromëmira?
Nuk e sheh si shndrin dorëza e florinjtë e arkivolit  të praruar?
Nuk e sheh që kanë sjellë varrmihësit më me përvojë?
Nuk e sheh se cfarë  dhe i shkrifët  e i ngrohtë anës gropës avullon?
Nuk e sheh sa shumë njerëz kanë ardhur  për lamtumirën e fundit?
Nuk i shikon?

Nuk do derdhin asnjë lot për ne…
por ti mos mendo keq për ta…
E  si  do  të mundnin?
Një jetë  të tërë jetojnë  pranë varrezës
e ne një jetë  të tërë  pranë tyre  vetmojmë…

Eja  të vdesim sot
për hir  të  këtij funerali  kaq  të bukur…
e  nesërmja  është dikur…
mosvdekja  nuk është  pavdekësi…
………………………………..
eja, e dashur,
nuk është  rradha jonë…
dhe nga mallkimi i tyre  ndoshta
rradha s’na vjen kurrë…



(1993)

©Artan Gjyzel Hasani