19.6.11

Përsëri e dielë…


nën ombrella tingujsh  fluturat largohen
dhe muzgu në pëllëmbë të mbrëmjes
vetveten mbyll
aq ëmbël…
aq butë…
brengplotë …
si   melankolia
në sytë e hiroshimtë  të  japonezes
kur  me   një  amerikan  bën  dashuri…
dhe unë në në këtë orë
në  shtëpinë time kthehem…
aty ku paqja është  rutinë
dhe luftërat humbfitohen në  qetësi…

do shtrihem në  divanin tim të preferuar
përballë kolltukut të saj...
laptop…
cigare…
bajame të pjekura
natyrisht dhe ca Jack Daniel's
për të qetësuar qejfe të mbetura…
Pinkerton  pa Madamë  Butterfly…

do përkëdhel me sy  hamsterin  e ngratë
që rrotën në cdo rrotullim  zbulon…
lavjerrësin e orës  që  kurrë nuk mëson
cfarë ndodh përtej castit që mat…
freskuesen e palodhur në tavan...
qiriun erëmirë që mbi një pjatëz përflaket...
rrobat në lavatrice që vorbullës së  shkumës
i jepen plot shpresë si e premtja të shtunës
dhe ndjej te mos dua t'i dorëzohem
kësaj vdekje  aromatike
të rrumbullakët...

pastaj  do hedh vështrimin tim
mbi ketë grua te mire që  kafenë e re
të saponxjerrë nga mulliri i vjetër
ka vënë në zjarr
ndërsa  xhezven bashkëshortore
me lugën   legjendare   përzien
dhe heshturazi  kërkon të dijë
se cfarë bluaj në mendjen time
sa herë që frymë thellë marr…

por…hej…
ca gjëra  mund të jenë  vërtet ndryshe
ose ndryshe mund të kishin qenë
puthjet
qirjet
prekjet
e teksa dremitja ëmbël më nanuris
kuptoj se s’kemi fuqi të ndryshojmë
as veten…
traumat…
sikletet…
…………………………………..
arritëm aq herët  këtu ku jemi…
tashmë është vonë…
shumë vonë…
dhe gjërat nuk mund të jenë kurrë ndryshe
duke mbetur  përsëri   të njëjtët…


(29 Maj, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani