6.9.11

Vargje dashurie për ata…


këto janë vargje dashurie
për ata që s’dashuruan  kurrë
dhe për  ata  që kujtuan se  shumë dashuruan… 
për  ata  që kishin frikë të  rrinin  vetëm
dhe për ata që  nevojën për të pasur  dikë
me dashurinë  gjithnjë e  ngatëruan…

për ata që i jetuan vitet e gjata krenarisht
duke vrarë  çastet  më të bukur  të jetës…
dhe për ata që  i qëndruan besnikë  njëri- tjetrit
por   kurrë  vetvetes…

për  ata  që  përçmuan  çdo lule
që bahçja e tyre s’e kishte…
dhe për ata  që  s’mundën  të  kuptonin
që  edhe  tradhëtia një dashuri e re  ishte…

i  kam dashur vërtet  shumë të gjithë
dhe u kërkoj ndjesë nëse  ndonjëherë i kam lënduar
në plagët që  mendonin se  s’i  kishin…
nëse ua  kam trazuar  gjumin pa ëndrra që flinin...
kur  pengjet më të thella të  shpirtit  të tyre
shkujdesur në vargje i kam shkruar…

i  kam dashur vërtet shumë të gjithë
njerëzit që s’më deshën
lulet  pa aromë
zogjtë që  s’mund të fluturonin
burrin e femrës  që më dashuroi
dhe kurrë nuk e urreva
atë që me timen shkoi…

i  kam dashur vërtet  shumë të gjithë
siç ka  bërë  edhe një  poet  tjetër më parë,
edhe kur keq  për mua  kanë menduar…
edhe kur në turrë  të druve më kanë vënë…
edhe kur me gisht  si delen e zezë më  treguan
dhe kurrë nuk i fajësova që rastisën  aq  të bardhë…


(5 Shtator, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani