4.7.11

Nuk ditën të shkruajnë për ty, femër...


nuk ditën të shkruajnë për ty, femër…

ata pak që  dinin i mbyti morali
etika
mirësjellja
syri i tjetrit
hipokrizia
frika…

shpikën për ty  fjalë të reja
dhe stisën  vargje që nuk i kuptonin as vetë…
kurse të tjerët  s’mund të shkruanin për ty
se s’të njohën dot kurrë edhe pse  njëri tjetrin
shanin e mallkonin në emrin tënd…

i kënduan dashurisë tënde
por jo dëshirës …
i kënduan pasionit  tënd
por jo epshit…
i kënduan puthjes,
por kurrë orgazmës…
i kënduan marramendjes,
por jo ekstazës...

u kënduan  syve të tu
e vështrimit tënd  të paharruar…
buzëve
duarve
flokëve
supeve
gjinjve
por kurrë  piçkës hyjnore
që mes kofshëve  të tua  rrotullon një botë  të tërë
vetëmohimesh  të  dyshimta  turbulluar…


i kënduan gruas  në ty
të  dashurës
motrës
bijës
shoqes
mikeshës
nënës… monumentales…
por kurrë  femrës…
asaj…
të padukshmes
të  panjohurës…
spontanes…
hormonales…

* * *

por le  t’i harrojmë  ata
në  moralin e tyre të bujshëm…
në etikën e tyre sqimatare…
të vonuar si  shtojcë  “korrigjim gabimesh”
në faqen e fundit  të librave të dikurshëm…
bezdisës  si era e squfurit ne stacionet balneare...

dhe lejomë të të rrëfej se
mua ma ka qejfi me ty

por  dua të ta them
jo edhe aq poetikisht mes vargjesh
dhe për të  të impresionuar sadopak
në këtë botë lustrafine  plot  varak
mund të kërkoja ndihmën  e fjalëve të  ndërlikuara
të fjalorëve
enciklopedive
të  filozofëve dhe të  perëndive
e te te mahnisja
të të  godisja
të të hutoja
me   gjerdane metaforash
karmogjeobioteknopsikoagrofilozofike,
por jo...

mund të ta thoja me  gjuhën plot  etiketë
i ndrojtur si ngjyra  rozë e lehtë
me rrokjet e kollarisura  rrokullisur
mbi gravata fjalësh
por jo…

mund të  ta  thoja me varg  hermetik
ku nënkuptimet të pashpresa
të lodhura si gratë e revolucionarëve
përgjojnë  orëve të vona  të papriturën
dhe hapjen e derës,
por jo….

jo

sepse ti e di që unë…
që unë gjithnjë jam aq çmendak sa të kuptoj
se  në  të vërtetë gjërat janë shumë më të thjeshta
për aq kohë sa  ne  të dy
jemi ti dhe unë  e asgjë më shumë
ndaj dua  të  të them  atë që ke  qejf  të shijosh…
ashtu siç  dëshiron ta  dëgjosh…
pa zbukurime patetike
pa metafora  idioteske ndërplanetare
pa aliteracione  teknologjike …
apo ekuacione erotike   ku ti  je gjithnjë X-i  fajtor
që herë  gjendet  kollaj…
e herë  s’ia vlen të  gjëndet…

me gjashtë  fjalë të zakonshme…
gjashtë
si  gërmat në fjalën dashuri
dua  të të them  thjeshtë e saktë :
“ma ka ënda  të qihemi bashkë …”
pa le  të brengoset etika globale  paskëtaj
bashkë me  ata që  s’ditën kurrë  të shkruajnë  për  ty
ata që  s’mundnin…
e ata që u përpoqën sadopak…


(19 Qershor, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani