Vra
Vrit
Vrau
Vranë
Vrit se të Vrau
Vdekje Vill...
Viktima e Vrasës
Vorbull Varresh Vajtojnë...
Victory...Victory
i Varrosëm të Vrarët
luft’ e re le t’fillojë.......
E ç’rëndësi paskan sistemet,
demokracitë e diktaturat
ideologjitë, filozofitë,
fetë dhe qytetërimet
të drejtat e njeriut dhe torturat
e dokrra të tjera si këto
për sa kohë që në drit’ të diellit
e njerëzimit më e vjetra lojë është lufta
e fëmijës arma më e dashura lodër….
..............................
nga gishtërinjtë tanë V-në rrëmbejnë patat e egra
fitoren e Vdekjes për të vizatuar
pafajsisht në prehërin e qiellit...
***
kur linde një revolver lodër të dhuruan
kukulla shënjestra jote e parë
pastaj me rradhë
nëna
motra…
në shkollë mësove se prindërit e tu ishin të pazotë
të qifsha robt, baba!
të mbron shteti të thanë…
se shteti është më i fortë…
dashuria është shpikje e humbarakëve
të lexuarit humbje kohe
drogë , seks dhe hip hop të rekomanduan
kukullën pa brekë të lirisë në vitrin’ të Kohës
atdheun në versionin gay
dhe trushplarje arrogante në ekran….
***
të njëzetat të gjetën duke luajtur videogames
ku njerëz kokërruar vrisnin njerëz me mjekër
një jetë të tërë nuk dashurove dot asgjë
kurrë s’ të dhanë dashuri
ndaj nuk munde kurrë të jepje…
kurrë nuk të folën për miqësinë
por se kush është armiku ta mësuan fort mirë…
të testuan nëse kishe mjaftueshëm urrejtje
të dhanë një lodër të vërtetë plot tym e zjarr
një armë dhe një armik
në avionët e mëdhenj të hypën
dhe larg…shumë larg të çuan
të gatshëm plot dëshirë
për të mbrojtur interesat e atdheut të tyre
në atdheun e një tjetri…
***
ka nevojë vërtet për një revolucion
pa barrikada
pa ideologë
pa teori konspiracioni
pa banka e bankierë
pa ushtri dhe drones
pa iluminitati dhe globalizëm
pa sheikë dhe shejlokë
pa kapitale dhe marksizëm
pa napoleonë dhe leninë
pa stalinë dhe enverë,
çurçillër dhe hitlerë
bushër e masonë
Obama e Osama
hossana…osbama…
të së djeshmes e së tashmes…
***
ka nevojë vërtet për një revolucion
pa gjak dhe pa armë
pa bibla e kuranë
por veç me një abetare
që fillon te gërma D
dhe me Fjalën e Dashurisë
në familjen tënde
në emër të fëmijës tënd
për fëmijën tënd
me fëmijën tënd
filloje që sonte
me aq dije sa ke
dhe për të parën herë
lutju një Zoti
nje Zoti të ndryshëm…
një Zoti të pafe…
janar, 2013
©Artan Gjyzel Hasani