16.3.13

LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E GUREVE



ndërsa vrull’ i ujit me vete merr 
gurët e tjerë të lakmuar për ndërtime muresh…
urash, 
rrugësh 
a qytetesh
të pazakontë janë gurët anash lumenjve
ata që s’i binden rrjedhës
të lëmuar… 
hollakë…
me rrembat shumëngjyrësh
lodër në duart e fëmijëve që i flakin
tangent me sipërfaqen
a me paqen e rreme …

nuk zhyten...
nuk i rrëmben kurrë vala
as vorbulla

përplasen mbi ujë një herë...
dy a tri ...
dhe dalin gjithnjë në breg...
ashtu të parëndësishëm
të harruar
deri sa mbi ta vjen e ulet dikush
që mund të shkruante këto vargje...

(3 Tetor, 2012)
©Artan Gjyzel Hasani