16.3.13

EDHE LIRIA ESHTE AJER, BIRI IM...



Kujdes, biri im,
është botë e shkalluar
shpirtërash të shëmtuar…
pak janë njerëz të lirë
shumica janë të cliruar...
nuk dinë të ecin vetëm…
ndaj zvarriten së bashku…
i pengon ajri më shumë se hekurat…
i pengon qielli me shume se kafazi…
por ti je akoma i bukur,
ke kohë të shëmtohesh
ndaj frikë mos ki
merre ajrin…

thithe...
mushkëritë mbushi...
formo tingullin...
rrokjen...
fjalën...
jeto!
ditën që do ndjehesh burrë
në frymëmarrje shpirti ta njohësh lirinë
e liria jote prangë e tjetrit
përpiqu të mos bëhet kurrë…
por kujdes
edhe liria ajër është...
ndotet shpesh...
mos harro!

(2006)
©Artan Gjyzel Hasani