16.3.13
POEMA E PERCMIMIT
o ajër i pastinë i mbrëmjes
hidh sytë përreth dhe më trego për idiotët
dhe skizofrenët e jashtë mureve
për budallenjtë e lirë që shëtisin rrugës
për maskarenjtë, injorantët, dallkaukët, matrapazët,
pisanjosët dhe pisat, mashtruesit, delenxhinjtë,
hajdutët, zhvatësit, gënjeshtarët rreth e rrotull,
kafshët me fytyrë njeriu dhe bishat kostumveshura
ti e di sa të egër janë, pa dallim seksi dhe IQ-je...
a nuk u bënë pak si shumë? shumë u bënë
dhe më shumë janë...quhen turmë ose popull...
të gjithë njësoj vrastarë...të gatshëm të të këpusin fytin
të të hanë shpretkë e mëlçi…gjallë të të djegin…
njerëzit...o Zot… sa të egër janë
sa kohë që për ata ti je ai tjetri...
çka prindërit na dhanë dhe ajo që s’mundën...
morali dhe predikimet harruar janë,
humbur kanë si kënd i lojrave të fëmijërisë
ku s’çojmë më veten, por veç kujtimet...
kam njohur njerëz dikur të padëmshëm
që në xhungël të jetës u tjetërsuan
me ligësi, urrejtje dhe vrer u mbushën
keqardhje ndjeva që gjatë jetuan
kam njohur dhe të tjerë që veten vranë
kur e ndjenë se vrasës s’bëheshin dot...
një plumb vetes a një litar...
duhen zhdukur të gjithë, por janë shumë
s’i vras dot e as veten jo,
ah ti ajër i padurueshëm i mbrëmjes,
lermë …hiqmu sysh edhe ti…
ndryshe nga vdekjet e trishta të Rreshpjes
erdhi ora të më vrasin përsëri...
(13 Mars, 2013)
©Artan Gjyzel Hasani