16.3.13

LEHTESIA E PAPERBALLUESHME E DASHURISE

a jemi dashur vërtet ne të dy apo ëndërr ishte?

dashuria është një aksident, përplasje,
devijim, greminë, rrëshqitje,
një autombulancë gjithmonë e vonuar
transporton viktimat...ca për në martesë
e ca për në reanimacionin apo morgun e saj
njerëz që kërkojnë provat nga vendngjarje,
kurreshtarë ngatërrestarë, dëshmitarë okularë të verbër,
është pasojë e rrugës së keqe, e rrugës së lagur, e shpejtësisë
e parkimit në vend të gabuar, e krahut të gabuar,
pasojë e motit të keq...e shiut ...stuhisë...
mjegullës a verbërisë...pasojë e një gote më shume...
në tundimin e vjeter për t'u përhumbur...

por le të themi që ne duhemi ose akoma më keq,
që ne edhe mund të duhemi , dhe pastaj
le të njihemi edhe pse pak rëndësi ka
se cilët jemi në të vërtetë për sa kohë
që ne të dy ekzistojmë veç si mirazhe përsosmërie
në sy të tulatur nga mungesa e zgjatur
e dhimbjes dhe e frikës për çka vjen më pas...

le të themi që ne nuk duhemi ose akoma më keq,
që nuk jemi dashur kurrë dhe pastaj
le të harrohemi duke kujtuar që udha ishte e pafund
të ngushëllohemi për ikanakët që nuk vinë...
dhe për gurët që kërkonin shumë mund
t’ua vinim në shpinë sizifëve që shpikëm
për t’ua bërë më të lehtë në të kuptuar
mitologjinë tonë patetikëve të ardhshëm
dhe kurreshtarëve të anës tjetër të udhës
që guxojnë të shohin edhe gjëra aspak interesante
si lumturitë e padeshifrueshme të të tjerëve

dashuria ka etjen e saj fisnike dhe privilegjin
e të çmendurve që jetojnë jashtë mureve
alkimia që gurin e rëndomtë e kthen në ar
është shpirti i thellë triumfalisht i shndrruar në sy
por hej...
si ç ‘pyet im vëlla në statuset inkurajuese të facebook-ut
a nuk është sëmundja më e përhapur e syve
dashuria me shikimin e parë?

dhe uria e saj...
më e tmerrshmja e të gjitha urive e dashurisë është...
kur s’ka tjetër për të ngrëne e vetveten tret
dashuria ha dashnorët e shndrruar në kanibalë ...
pa lotë qan fatin e vet....ashtu në heshtje ngadalë
noton...mbush...derdhet...në kupën e të tjerëve.
mbytet e vetmuar në kupën e saj

e ngopur me hiç ikën trupit e poshtë zbret...
...........................................................
aty ku dikur hutoheshin fluturat
syri shpirtit i thotë “më fal”...

gjërat janë ndryshe kur errësira bie
iluzioneve u dorëzohemi ashtu si padashur
trullosur nga tundimet e pasiguritë tona
frikërat ua lënë vendin euforive
e këto ndrojturazi kthehen në hutim
vjen çasti kur lodhemi e s’kuptojmë dot
ajo që s’shohim në syrin e të verbërit fshihet
e vështirë, e pamundur, e padukshme
hieroglife kineze me të zezë vizatuar
tatuazh për lëkurën e dirsur të negrit...

por ti do i kuptosh këto veç se në dehje...e pirë...
nga iluzioni i lehtësisë së papërballueshme të dashurisë
e mpirë nga kohët anestetike që do jetosh
kur mos të të dhëmbë asgjë në trupin tënd ...
asgjë...
asgjë veç meje…

©Artan Gjyzel Hasani