16.3.13

NJEREZ DEBORE



asgjë nuk mbaj mend
veç disa fëmijëve asgjë…

donim të bënim një njeri prej dëbore
dhe nuk na lanë
na rritën e na thinjën 
dëborën e tij na e vunë në flokë 
na bënë si ç’deshën 
një kovë në kokë
në vend të hundës një karrotë
dy gurë të zinj aty ku duheshin sy
një shkop të vockël si gojë e mbyllur…
një fshesë në dorë për të fshirë fëmijërinë
në qafë shallin e dikujt që e varën
“ donit të bënit njeri prej dëbore?
ja ku ju bëmë …njësoj me njëri tjetrin
njësoj të gjithë…tamam si ai!”
…………………………………
të çbëhemi presim
a të na çbëjnë…
njerëz dëbore në një përrallë
për veshë që s’dëgjuan
cka sytë panë…
por ndoshta është vonë
se nganjëherë vërtet vonë është
dhe diçka tjetër që s’e mbaj mend…

(18 Shkurt, 2013)
©Artan Gjyzel Hasani