30.7.09

Identiteti i nënkuptuar i vetmisë

Do vijë një tjetër. Gjithnjë vjen një tjetër.
Një tjetër e lyer më një tjetër bojë.
Të tjerat janë aq shumë kësaj bote të vjetër,
sa kanë filluar të më duken të gjitha njëlloj.

Një ditë i lodhur nga ikjeardhjet e tyre
kokën do kërkoj të mbështes mbi një tjetër “tjetër”
dhe po atë ditë hidhurazi do të besoj
se një jastëk vlen më shumë se njëmijë shtretër…

25.7.09

Një ëndërr

Ëndrra filloi e bukur. Sikur më quanin Adolf. Në vazhdim ajo u përkeqësua disi kur shkova të kërkoj punë te një çifut me emrin Wiesenthal. Por nuk ishte kjo ajo që më trembi dhe me zgjoi të llahtarisur. Ishte diçka tjetër. Wiesenthal pranoi të më punësonte dhe para se te ndaheshim më puthi e përqafoi aq fort sa mustaqet e mia të vogla mbeten në fytyrën e tij, kurse mjekra e gjatë dhe e thinjur e çifutit zuri vënd nën timen.

-fund-

21.7.09

Nata e të çmëndurit (variant poetik i tregimit me te njejtin titull)

Natë…
s’ka zhurma,
as zëra, as hapa,
as drita s’ka...
qetësi e frikëshme nga hëna ndriçuar...
as njerëz...
as qenër…
as mërmëritje…as rënkime.
fryn vetëm pak erë…
por jo mbi tokë…në qiell harruar…

Që ta kuptosh që atje lart
sidoqoftë fryn pak erë
duhet të vetmosh vetminë
mbi një krevat të vjetër shtrirë
me çarçafë të zhubrosur…
vende-vende me spermë dhe hi…
pranë dritares së hapur dy sy...
shpirtmbërdhirë…

Nëse drita e hënës do të ketë mirësinë
të ndalojë pak çaste mbi ta,
do të dallohen vetullat e mbledhura…
një rrudhë e thellë në mes
dy sy të vdekur, si t’i kenë rënë padashur
nga koka e një kufome
që bënte udhëtimin e parë
e të fundit për në qiell...

Por nëse drit’ e hënës do të qëndrojë
diçka më tepër mbi ata sy,
ti do të bindesh që i përkasin fytyrës së parruajtur
të një burri
që sonte ka nevojë për shumë errësirë dhe pak,
fare pak, dritë.
zjarrth’ i një çakmaku apo
dritëhijet davaritur pas një muri….

Në shoqërinë e pakëndëshme të myshkonjave të bezdisshme,
dhe të një lakuriqi nate që si me pahir
afrohet pak çaste në parvaz për t’u siguruar
se në atë copëz të natës
punët ende shkojnë mirë…

Mbrëmë,
kur sytë ishin prehur pa fuqi mbi dy sy të tjerë
e ata fatalisht për nga hëna drejtuar,
e kish marrë me mënd se vështrimet e ardhëshme
do t'ia falte qiellit
ashtu shkujdesur...
shpenguar…

Atje lart,
mes të zezës së natës
do të takoheshin me të tjera vështrime,
të mbetur në hapësirë si relike
të një nate të fundit
anonime.

E kish parandjerë qetësinë vetmitare,
mbi krevatin e vjetër në mesnatë
pellgjeve të vdekura të spermës,
luleve të çarçafit,
në krahët e një krijese flokëgjatë…

Flokëgjata kish mbetur e shtrirë për një çast
si gjurmë e fundit e një dashurie
të venitur,
dyzimeve turbullues dhe prezervativësh memecë
që kishin mbushur netët e tyre.
Pastaj ajo kish ikur.

Por sonte diçka e mahnitshme atje lart
po ndodh
yjet dhe miliarda vështrime njëri-tjetrin
duke ndjekur,
herë si kope të egra që qiellin e zi
lërojnë…
herë si murgj qyqarë në portën e një manastiri
të djegur…

Në qiell shfaqet një grua...
e re...
fustanzbërthyer...
gjinjtë e fryrë plot qumësht i dallohen,
dhe në qendër një boshllëk i errët qielli,
ku retë nuk e shohin të arësyeshme të ngatërrohen…

Pranë saj një siluetë
e vockël,
e bardhë,
imcake…
mund ta marrësh për një foshnjë
që papritmas eturazi nisi të pijë gji
nga gruaja prej resh që është lehonë…

"Nënë!"
pëshpërit i hipnotizuar me vështrimin e ngulur aty
ku goja prej resh bashkohet
me thithin e spikatur
"Nënë!"
dhe e ndjen veten aq të vogël...
të vogël sa dëshiron të nanuritet
gjirit qumështspërkatur…

T’ia zbulojë...
pas tij të përkëdhelë fytyrën e parruajtur
e të thithë qumështin jetëdhënës
si dikur,
jo më i ngazëllyer,
por duke qarë hidhur
me lotë të rëndë nga ata që derdh një burrë...

Formë e dashur tretet…
çbëhet…
e retë krijojnë dele…
kuaj…
anije…
imazhe të papërsëritshme…
magjike…
dy gjinj anonimë disi të varur…
(dhe një karrige e thyer
që shumë shpejt u shndërrua
në një burrë
që po dhiste.)

Përsëri shfaqen dy gjinjtë e varur
si të flokëgjatës e buzët prej resh që pëshpërisin
“jam unë”
pastaj... ekstaza e vetmisë...
dihatje…
rënkim ...
dhe orgazmash çarçafi zbukurohet
me një lule të verdhë më shumë...

Papritmas në dhomë kumbon e qeshura
e qeshura e një foshnje-përbindësh,
më pas gulçet e ngashërimit të llahtarshëm…
lotë të nxehtë…
teksa gruaja me gjinj të varur çbëhet në lëmshe të bardhë
që duke ikur mbulojnë hënën…
e herë-herë yjet e zbehtë...

16.7.09

Jetë marrakotëse

Kur në jetë të ka mbetur pak udhë për të bërë
dhe horoskopët përton t’i shohësh si më parë
kur pleqëria të ka mbështjellë të tërin butë-butë ,
por mëndafshi e saj akoma nuk të bën të ndjehesh krimb
vjen një çast kur ke dëshirë të harrosh e të harrohesh
e fjala e tjetrit për ty nuk ka më rëndësi…

Larg gjëmimeve të shkuara që u tretën pa jehonë…
larg pranverave të bujshme që gjunjve të tu vjeshtuan
larg zhurmave të drurëve që s’arritën të bëhen pyll
i dorëzohesh heshtjes si muzgu errësirës
e teksa nje yll vjedhacak nis të ndriçojë prej teje ç’ka mbetur
me një hije të panjohur zë e luan…

Është hije në dukje moskokëçarëse,
narçiste arrogante si një burrë
që Jetës si kurvës së panginjur i nënqeshi
ndërsa Hapësirave të saj u derdh
dhe nga bordelli i Kohës iku pa paguar
kur e shkërdheu pa e qirë dot kurrë…

Vallë është hija e djaloshit që kurrë s’ishte më i lartë
se sa kur para dashurisë çmëndake në gjunjë binte;
i mirë sa e lejuan…i dlirë sa mundej…
e ajo e zjarrtë sa digjte… e bukur sa guxonte…
kur frika ndjehej më e dobët se dëshira…
kur dëshira më e fortë se turpi ishte…?

Apo është hija e një fëmije të pafaj
të virgjër si vesa në agim
që pa fjalë i tregon vizatimin e tij -
një shtëpizë me derën e mbyllur-
kur e ëma e pyet plot dashuri
“Ç’do të bëhesh kur të rritesh, biri im?”

Kur në jetë të ka mbetur pak udhë për të bërë
dhe trokitjet e zemrës nuk dëgjohen si më parë,
kur pleqëria tinzare si dimër pa pranverë
të ka mbështjellë të tërin butë-butë ,
vizatimin e fëmijërisë kujton dhe me vete thua
“Mund ta kisha bërë edhe pa derë…”

(korrik, 2009)

15.7.09

Tradhëtia

Tradhëtia fle cdo natë
midis Evave dhe Adamëve
në mes të shtratit bashkëshortor.
……………………………..
Ata përkujdesen që AJO
të flejë,
të flejë,
të flejë…
dhe rrinë tërë natën zgjuar
me frikën e madhe
se zgjimi i SAJ
do t’i gjejë në gjumë…

(1996)

11.7.09

In memoriam…

Si në të gjitha fëmijëritë e botës edhe në femijerine time pati një moment kur unë pyeta tim atë se cili ishte njeriu më i fortë i qytetit. Im atë më shpjegoi që qyteti ynë nuk kishte të fortë, por kishte njerëz të kulturuar. “Po kush ështe njeriu më i kulturuar i qytetit tonë?”, kisha këmbëngulur unë ne atë fund të viteve gjashtëdhjetë. Përgjigja kish ardhur e shkurtër dhe pa ekuivok: Tefë Krroqi.
Peshkopia e asaj kohe ka qenë një oaz kulturor në shkretnajën e dëbortë të verilindjes. Në sytë e mi ky oaz kishte një përmasë të mrekullueshme shkodrane. Në kujtesën e largët mes të tjerëve më janë fiksuar në mënyrë të pashlyeshme tre imazhe shkodranësh “dibranë”; pianisti elegant me flokët e praruar Tonin Rrota, mësuesja ime e gjuhës angleze, Irena Puca, një grua goxha e bukur dhe e kulturuar, e dashur dhe e përkushtuar për nxënësit e saj dhe njeriu i heshtur dhe enigmatik i sallës së bibliotekës Tefë Krroqi. Tre rrezatime që kanë lënë gjurmët e tyre mbi mua. Muzikanti, E Bukura dhe I Kulturuari.
Pa dyshim tre njerez që jetonin përtej kohës, tre njerëz prania e të cileve e ka fisnikëruar atë qytet të vogël mes asaj epoke të ftohtë.
E mbaj mend zotni Tefën nën pallton disi të shkurtër ngjyrë kafe, gjithnje i mirësjellshëm me njerëzit dhe i kujdesshëm në hapin elegant që hidhte në dëborë, me një tufë fletësh dhe librash nën sqetull që për dekada me rradhë bënte të vetmen rrugë : shtëpi-bibliotekë-shtëpi kulture. E here- herë një shëtitje të vonët në bulevardin e paharrueshëm të Blirëve në shoqërine e miqve të paktë të tij apo të vetmisë që shoqëron gjithnjë shpirtërat e mëdhenj.
Gjithnjë i zhytur në lexime mbi libra të vjetër me kopertinat të gdhendura bukur si të qëmotit, mes fjaleve latine të fletëve të zverdhura…Të dukej se ai njeri ishte thjeshtë një arkivë lëvizëse erudicioni qetësinë e së cilës nuk mund ta cënonte asgjë, as diktatura e mediokrëve, as dhuna e “njeriut të ri” e as dimri i ashpër i Peshkopisë. E sigurisht as revolucioni kulturor i fundviteve 60-të e në vazhdim i cili vetëm sa përvijoi një buzëqeshje të hidhur e ironike më shumë në fytyrën e mençur të shkodranit të heshtur të Peshkopisë.
Autor tekstesh, perkthyes, actor, studiues i palodhur i muzikës, folklorit dhe artit. Kujtoj zërin e tij të qetë, ndërsa në fshehtësi më sugjeronte se çfarë mund të lexoja nga arkivi i rezervuar i bibliotekës.Letërsi të ndaluar, poezi të Bodler, mbaj mend me sa pasion më fliste për Danten dhe Mediçët e Firences, botime të vjetra të “Zojës së Papërlyeme” - të kësaj shtëpie botuese të përndritur të qytetit të Shkodrës gjatë viteve 30-të, polemikat e Branko Merxhanit, artikuj filozofikë te Nitches dhe Shopenhauerit, dhe një sërë artikujsh të tjerë filozofikë dhe historikë që e mbushinin botën time të adoleshentit me diçka aq të ndryshme nga surrogatot e çensuruara që na servireshin zakonisht në tekstet e politizuara shkollore të kohës. Kujtoj që në Peshkopinë e viteve gjashtëdhjetë- shtatëdhjetë këto meteorë të ndaluar dijeje ishin jo vetëm një ushqim i zgjedhur shpirtëror për mua adoleshentin dhe gjimnazistin e ardhshëm, por mbi të gjitha një herezi vrastare që shpesh paguhej me kokë nga ai që guxonte t’i servirte.
Disa javë më parë u befasova kur një miku im botues më tha që kishte në botim një dorëshkrim poetik të Tefë Krroqit.Titullohej "Xhevahire te Rreme". E përpiva me një frymë dorëshkrimin që vinte nga thellësitë e një epoke të egër ku dukej se shpirtërat e njerëzve ishin mumifikuar një herë e përgjithmonë. U befasova për të dytën herë nga ajo që lexova.Xhevahire poetike aspak te rreme. Një shpirt aq i ndjeshëm poetik zhvishej i tëri në ato vargje të një gegnishteje të mrekullueshme duke zbuluar mes fjalëformimesh brilante dhe metaforash origjinale botën shpirtërore të një njeriu padyshim fisnik dhe superior. Nuk dua të zgjatem me komente për librin, sepse tashmë ai është në duar të lexuesit.
Sot kur thinjat më kanë mbuluar edhe mua të tërin vazhdoj të mendoj se vërtet ka qenë një fat i madh për brezin tim prania e atij shkodrani të heshtur, fisnik dhe erudit në qytetin e Peshkopisë. Ndoshta sot bashkia e atij qyteti duhet të gjejë kohën e duhur për të fisnikëruar një objekt të saj kulturor me emrin e Tefë Krroqit. Nuk është thjesht një larje borxhi të vonuar ndaj një njeriu që në mënyrën e tij të pabujshme i fali shumë vlera një qyteti të huaj, por një xhest që do të dëshmojë se edhe Dibra mikpritëse nuk i ka humbur traditat e nderimit të jabanxhinjve që e konsideruan atë qytet si vendlindjen e tyre të dytë, sidomos tani që ata nuk janë më mes nesh.

Artan Gjyzel Hasani, Toronto, Kanada, korrik, 2009


Kush ishte Tefë Krroqi

U lind ne Shkoder, me 28 shtator 1924. Kreu gjimnazin e njohur te jezuiteve ne qytetin e tij te lindjes. Ne shtator te vitit 1942 shkon per studime te larta ne Itali. Me pas, ne vitin 1948 punon si Drejtor ne Biblioteken e Shkodres (sot “Marin Barleti”). Me vone si mesues e njohin Leskoviku e Vraka. Me krijimin e teatrit “Migjeni”, me 24.11.1949, Tefa eshte pjesetar i berthames formuluese, krahas Andrea Skanjetit (regjisor), Adem Kastratit, Vitore Ujkes (Nino), Ndreke Preles, Antoneta Fishtes, Paulin Lacajt, Cezarina Ciftes, Ndoc Dedes (aktore). Nga viti 1955 deri ne maj te vitit 1959 punon si llogaritar ne Spitalin e Shkodres. Me pas, per afer 20 vjet eshte regjisor i estrades profesioniste te Peshkopise qe me themelimin e saj (1959). Eshte marre, per nga natyra e punes mekrijimtari estrade si skece,monologe dhe tekste kengesh. Vecanerisht ne periudhen 1960-1970 kur drejtues muzike ishte kompozitori i njohur Tonin Rrota, ka bashkepunuar me kete te fundit ne krijimin e teksteve per kenge. Me te njohurat nder te cilat ka qene “Jepma mollen”, “Hiqen vallen”, “Hej, more, hej”, “Rapsodi dibrane” etj…., te gjitha te mbeshtetura ne muziken dhe motivet popullore dibrane. Ne Diber ai punoi e la mbresa te pashlyera, aq sa e quanin ‘dibrane”, pavaresisht se vinte nga Shkodra. Per Dibren ai punoi edhe pasi doli ne pension, e deri ne diten qe u nda, me l dhjetor 1995 ne Tirane. Qysh femije e me pas ne rini u muar me veprimtari teatrore. Kujtojme: “Te nipat e Pashko Tamizit” (komedi, vene ne skene mga Kolegji Saverian me, 22.02. 1935, me regjisor I. Zamputin), “Lundertari i mordes “(drame, regjisor H. Lacaj, vene ne skene nga Kolegji Saverian, me 19.02.1933). Po ky grup aktoresh dhane kete drame, me 20.02.1941, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko. Gjithashtu Tefen e shohim te “Shtjefen Nafaka” (komedi, regjisor: Injac Zamputi, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko, me 07.05.1935), “Keshtjella e Skifterit” (drame, regjisor Injac Zamputi, vene ne skene nga Rrethi i Don Boskos, me 24.12.1935). Kjo drame u shfaq edhe me 25.12.1936, edhe me 25.04.1944. E shohim te “Vandea” (drame, regjisor Injac Zamputi, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko, me 12.04.1936), “Perize” (komedi, regjisor Injac Zamputi, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko, me 13.04.1936), “Shjor Pllumbi me bark thate” (loje gazi, regjisor Injac Zamputi, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko, me 08.08.1937). Po ky grup aktoresh, me 15.08.1937 interpretuan ne lojen e gazit: “Divorci”, “Britaniku” (drame, regjisor Henrik Lacaj, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko, me 20.2.1939), “Filantropi mbas mode” (loje gazi, regjisor Pal Delija, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko, me 02.02.1941), “Vallja e mordes” (bocet, regjisor Tefe Krroqi, vene ne skene nga Rrethi Don Bosko, me 27.09.1941), “Napoleoni e Papa” (bocet, vene ne skene nga Seminari Papnuer, me 5.08.1942), etj. Per te vazhduar me role te tjera te spikatur ne drama me autore shqiptare e te huaj. Kujtojme “Armiku i popullit” e Ibsenit, vene ne skene nga Zef Zorba; “Mortja e mesnates” perkthyer nga A. Skanjeti, “Portreti” i A. Afinogjekov, “Ishulli i paqes” i J. P. Petrov, “Permbysja” e B. Lavraniev (26.05.1950), “Jeta fillon perseri” e V. Sobke (15.10.1952), “Agimi” e K. Jakoves (14.12.1952), “Kush e ka fajin” e G. Mdivani (komedi, 11.01.1954), “Toka jone” e K. Jakoves (27.04.1954), “Shtepia buze shkambit” e T. Shoshit (28.11. 1954), “Sherbetori i dy zotnive” e K. Goldonit (komedi, 27.02. 1955) etj. Gjithashtu ka punuar numrin e pare dhe te vetem te revistes “Ja liri, ja robin”, me pseudonimin Besim Stajka. Gjate veres se vitit 1944 shkroi dramen “Per liri”, te cilen nuk arriti ta vere ne skene. Eshte marre me perkthime. Ndonese te pabotuara, la te perkthyera ne shqip dramat madhore te Ibsenit duke filluar nga “Hijet” e duke mbaruar me “Kur ne te vdekurit zgjohemi”. Gjithashtu eshte marre edhe me perkthime poetike. Kryesisht poezi moderne te ketij shekulli, por pa harruar edhe nga Hajne, Bajron, etj Pas viteve ’90 punon redaktor i “Hyllit te Drites”. Pergatiti per botim bibliografine e plote te “Hyllit te Drites” ( 1913- 1944 ). Perktheu “Katekizmi, nje liber per Shna Ndoun e Padoves”. Mes shume perkthimeve eshte edhe drama “Vella i zotit tone” me autor Papa Gjon Pali i dyte, drame e cila para disa vitesh u vu ne skenen e teatrit “Migjeni”. Ka shkruar edhe poezi. E tille eshte dhe permbledhja ne doreshkrim “Xhevahire te rreme” (keshtu e quajti autori). Vjershat e kesaj permbledhjeje jane te shkruara midis viteve 1942- 1972.
U nga nga jeta ne vitin 1995 ne Tirane duke lene pas shume doreshkrime me vlere, perkthime dhe studime arti te cilat dashamiresit e tij po perpiqen t'i nxjerrin ne driten e botimit.

(Marre me shkurtime nga Xhahid Bushati / Koha Jone )

10.7.09

Edhe liria është ajër, biri im...

Merre ajrin, biri im!
Thithe...
mushkëritë mbushi...
jeto!
Pastaj formo tingullin...
rrokjen...
fjalën...
në frymëmarrje shpirtërash le të njohin lirinë
por kujdes
se edhe liria është ajër...
ndotet shpesh
mos harro!

(2005)

18 variante deshifrimi te fjales "martese"

Kronike e nje vdekjeje te paralajmeruar.
Kronike e nje paravdekjeje te lajmeruar.
Kronike e nje paralajmerimi te vdekur.
Kronike e nje lajmerimi te paravdekur.
Paralajmerim i nje kronike te vdekur.
Paralajmerim i vdekjes se nje kronike.
Vdekje e nje kronike te paralajmeruar.
Vdekje e nje paralajmerimi te kronikuar.
Vdekje e nje parakronike te lajmeruar.
Vdekje e nje lajmerimi te parakronikuar.
Parakronike e nje vdekjeje te lajmeruar.
Parakronike e nje lajmerimi te vdekur.
Lajmerim i nje kronike te paravdekur.
Lajmerim i nje parakronike te vdekur.
Lajmerim i nje vdekjeje te parakronikuar.
lajmerim i nje paravdekjeje te kronikuar.
Paravdekje e nje kronike te lajmeruar.
Paravdekje e nje lajmerimi te kronikuar.

( ekziston edhe varianti i 19-te : Kronike e nje vdekje te parakoheshme...bashke me 18 nenvariantet e tij....lol)

Pyetje retorike kafshëzës sime

Hej kafshëza ime mishtore që kurrë s'ishe e imja
edhe pse në qendër të trupit tim si Babilon
fsheh Historinë e Pashkruar të Rrjedhjes dhe të Rrëzimit!

Kujt ia rrëfen ato që pa syri yt i vetëm ciklopik
mes qarjes...ngashërimit...
përlotjes rënkimtare në castin magjik
mes tempujsh ku Dianat kurvërinë veshën si virtut
të një nate të vetme...?

Cila prekje të ngjall,të ringjall
e të vdekur drejt jetësh të pajetuara të flak
e flakë merr si zjarr që vetveten zhurit
pa mundur kurrë ta ngrohë?

Cila stuhi e mori tutje të vjellën tënde
dhe e bëri re në qiejt rozë ku gatuhen shkrepëtimat
e ku Apokalipset iu gjunjëzohen mëngjeseve së Rikrijimit
pas netëve të verbëra ciklopike...?

Hej kafshëza ime mishtore e pazbutur thuamë...
tregomë... andej nga ishe...
nga hyre dhe dole...
atje ku Babilonët e tu u rrëzuan pafundësisht rindërtimeve të reja...
mbete magji e panjohur apo thjesht të quajtën
bole?

(2005)

Cast

Ti me the
"Ketu ku jetoj
lulet jane te bukura,
por pa arome..."
dhe une solla ndermend
dashurite e shkuara...

(2004)

Tangoja e dashurisë

Eja vajzë të vallzojmë DASHURINË.
Është e thjeshtë si tangoja,
Dy hapa para,
një hap prapa,
dy buzëqeshje,
një lot,
dy të vërteta,
një gënjeshtër,
dy premtime,
një zhgënjim,
dy të nesërme,
një e djeshme.

Eja vajzë,
por kujdes hapat,
dy përpara,
një prapa...

(1979)

Plazhe të braktisur

Sa vështirë të rinisësh një bisedë
të lënë përgjysëm!

Në plazhin e braktisur
mes rërës së qelibartë
vende-vende lulëzojnë barëra të egra…

Përpiqem t’i shkul.

Pa prishur
gjurmët që lanë dashnorët
verën e shkuar…

(1994)

Pornografi

Në emër të Atit,
Birit
dhe Shpirtit të Shenjtë,
AMEN!
Që sot ju shpall burrë e grua!
Kjo unazë ju bashkon
P-Ë-R-J-E-T-Ë!
Amen!
Për jetë të jetëve!
Betohuni!
P-Ë-R-J-E-T-Ë!

(1996)

Iu luta vetmise

Kurrë nuk më deshe sic isha,
më dashuroje sic të dukesha,
kur unë të puthja i lumtur,
kur të buzëqeshja i kënaqur,
kur të përqafoja plot dhëmbshuri,
kur unë të flisja e të flisja,
vërtetë më doje shumë,e di…

Por shpesh unë heshtja e heshtja,
kur ti flije netëve pranë meje
e lumtur dhe pa droje,
vetmisë sa herë unë iu luta
në ëndërr heshtjen time të shikoje…

Në gjumin tënd cdo natë zbrita
duke pritur të shqetësuarin zgjim
dhe fort,shumë fort,pyetjen tënde prita
“Fol,pse hesht,i dashuri im?”…

Ah,sikur një natë të ishe zgjuar
e të heshtur të më doje,ah sikur,
heshtjen vec një herë të ma kishe kuptuar,
s’do të largoheshe ashtu,pa më njohur kurrë…

(1996)

Mësim nga tradhëtitë

Sa herë që të tradhëtoj ty grua
tri gjëra kuptoj,
të vjetra e të reja,
tri të vërteta mësoj,
tri të gënjeshtërta:
Ajo ka dicka që ty të mungon…
Ti ke dicka që asaj i mungon…
Unë kam gjithshka
që gjithmonë më mungon…

(1996)

Konkluzion

Festa mbaroi.Të ftuarit u larguan
duke sharë nëpër dhëmbë kostumin tim,
këmishën time,
gravatën time,
këpucët e mia
si dhe fustanin tënd të ri.
Mos u mërzit,e dashur!
le të zhvishemi që ata të merren më lehtë
me rrobat tona,
që ne të dy të merremi më bukur
me trupat tanë.
Po të dilnim lakuriq para tyre
ata përsëri do të na i shanin trupat joshës
dhe ne përsëri do të zhvishnim gjërat e mishta
të trupave tanë
që ata të merreshin më lehtë me trupat tanë,
që ne të merreshim më bukur me skeletët tanë.
Ne mund t’iu tregojmë atyre edhe skeletët tanë
dhe ata s’do të guxonin kurrë t’i shanin.
Vec atëherë ndoshta do të na linin të qetë.
Do të na harronin.

(1993)

Shkretëtira

Në sytë e tu lotë s’ka më.
Buzët e tharra s’t’i puth më njeri.
Nga rrugë të padukshme
lëngjet dhe sekrecionet
derdhen në qendrën e trupit tënd,
midis kofshëve të tua,
në atë oaz të harruar,
si për t’i treguar ndonjë udhëtari
të etur të rastit,
se sidoqoftë,
diku,
diku në trupin tënd,
dikush mund të shuajë etjen
pa u keqkuptuar.

(1996)

Vendlindja - (akrostish)

Puthje
Erëblirë
SHenjtëruar
Kundër
Orvatjes
Për
Ikje pa kthim.

(1991)

Misioni paranoik

Në këtë botë ku fjala peshon më pak se ëndrra,
memec le të bëhem që nga heshtja ime peshë të marrë…
Në këtë botë ku lulet dhurohen aq lehtësisht,
varr i harruar le të bëhem,ku lule nuk vë askush…
Në këtë botë ku MORALI mbretëron si travesty i konvertuar
helm le të bëhet sperma ime në “one night stand”-in tonë…
Në këtë botë ku kaq MIQËSISHT miku të bëhet armik
dhe armik origjinal nuk ka më,
c’vlerë ka lufta për të fituar miqësinë e një njeriu…?

Në këtë botë ku DASHURIA tepron aq shumë,
sa që shpesh u falet kafshëve nga njerëz që s’e njohën kurrë,
si mund t’iu fal dashuri njerëzve,unë që dashurova aq shumë…?
Në këtë botë ku edhe kukullat tashmë ndjejnë vetmi,
kush mund të më shpjegojë ndryshimin midis
një vrasësi dhe një fëmije?
………………………………………………………….
Në këtë botë ku e VËRTETA ka dhjetë FYTYRA
K-Ë-R-K-O-J
vetëm njërën,
pa sy,
pa gojë,
pa veshë,
pa emër
dhe si një copë të bardhë letre
një të porsalinduri t’ia dhuroj,
me lotë dhe urinë
pikturën e tij tronditëse të vizatojë….

Në këtë KARNAVAL shekullor,
pazar i pafund shpirtërash të kambizuar
hedh cdo cast MALLKIMIN tim :
“GËZUAR PËR SHUMË VJET,NJERUCËR !”,
duke shpresuar të mos i zërë…

(1996)

Heroizmi yne

Dy herë në jetë mund të ndjehemi heronj.
Të dy herët të dehur,
por jo nga e njëjta pije.
E para mund të jetë ndoshta vodkë,
e dyta sigurisht një maramenth lavdie…

(1996)

Eunukmoral

MORALIN prej kohësh e bëra EUNUK
që lakuriqësinë time me detyrim të vështrojë,
është eunukëzuar aq shumë i mjeri,
me lakuriqësinë time nuk mundet as të masturbojë…

MORALIN prej kohësh e bëra EUNUK
që lakuriqësine time me detyrim të vështrojë,
me pahir më buzëqesh në të rralle i gjori,
ndërsa cenin e tij me mbathjet e mia përpiqet ta mbulojë…

(1996)

Lutje e mbrëmjes për një vogëlushe

Të lutem mos u rrit!
Rritja është gabimi.
Të tjerat janë pasoja.
Vdekja...
Lindja...
Jeta...
Fundi dhe Fillimi...

Abetarja e të tjerëve

Ajo ishte kumbuese si një zanore.

Ai bashkëtingëllorja e saj e pazëshme.

Rrokje në gojën e zhuritur të fatit
nga gjuha lëpirë,
pështymash lagur,
nga dhëmbët grirë,
buzëve përgjakur.
me heshtjen rimuar
palexueshëm palluar
fletëve të çarçafta
mundimshëm pëshpëritur,
urrejtjes përqafuar
klithur dhe heshtur
gjithnjë gabimshkruar.

Ajo ishte kurvë si një zanore
dhe ai bashkëtingëllorja e saj besnike
në abetaren e të tjerëve...

5.7.09

Nga Dialogu Poetik nr.3 (fragment)

Hijet e kujtesës askush s’i trazon më,
në vetmi pasqyrash tretemi çdo ditë,
qytetërime antike që nuk vdesin kurrë,
nën blice turistësh krenarisht japin shpirt…


Mbi kalldrëme fjalësh ku edhe mund të rrëzohemi
për të tretën herë udhën drejt teje marr…
të pastrehë gjithnjë më kanë zënë muzgjet
lejlek kujtimesh mbi katedralen pa këmbanë…

U bë shumë kohë që s’jemi takuar, mike,
por tani jam këtu… eja …mos nguro…
çfarë horizontesh të panjohur panë sytë e tu…?
kush ëndrrat t’i trembi nëpër gjumë …më trego…

Kam shumë për të të folur e më shumë për të heshtur…
Shumë për të të treguar e më shumë për të fshehur…

Pjese nga dialogu poetik nr.3...

Ah mike, mos më përmend revolucionin…
bastardët e kuq…ideologjinë
bajonetat…spiunët…përndjekjet…
mashtrimin e madh…lugë e florinjtë…

Dikush urdhëroi e makina ushtarake u nis
humbëtire telagjembash… trup e shpirt i mardhur…
pas lashë rininë time…gjyshen plakë dhe shtëpinë
ku një çajnik mbi sobë akoma nxirrte avull…

Në pakt me djallin ferrin na dhuruan
e parajsa jonë fillonte aty ku këputej jeta
nga vdekjet e njëri tjetrit nuk u shuajtëm, por mbijetuam;
e vetmja e keqe që nuk përkeqësohet është vdekja.

Por sot ajo kohë ka ikur përgjithnjë
dhe kolera e kuqe nuk vjen përsëri
edhe pse mes nesh akoma kutërbon
fryma vrastare dhe Njeriu i tyre i Ri…

Gjithnjë kam besuar se qeni që leh s'kafshon…
e kush i bën gropën shokut bie vetë brënda
por çdo ditë fundosem thellë gropës që miku gërmon
dhe lehja e tij më e keqe se kafshimi qënka…

Nga njerëzit e vegjël nuk shpëtojmë dot
dyerve tona gjithnjë ata do të trokasin
por fundja le t’iu japim mjeranëve diçka
që një ditë të kenë çfarë të humbasin…

Veç një dashuri nuk mund të ketë...

Veç një dashuri nuk mund të ketë,
e përse u dashka të jetë vetëm një,
mos vallë ngaqë kemi veç një jetë
edhe vdekje vetëm një?

Veç një dashuri nuk mund të ketë,
as det veç me një dallgë,
qiellin s’mund ta ndrisë vetëm një kometë,
rrugë e jetës nuk bëhet me një hap.

Veç një dashuri nuk mund të ketë,
lumi që rrjedh nuk rrokullis veç një gur,
se edhe zemra veç një herë nuk troket,
stinët e jetës nuk pushojnë kurrë…

Veç një dashuri nuk mund të ketë,
e përse u dashka të jetë vetëm një,
mos vallë ngaqë kemi veç një jetë
edhe vdekje vetëm një?

(1979)

Tim biri

Në tre vjetorin tënd,biri im,
babi do të të dhurojë një kukull syzezë
dhe mami një kauboj-kukull do të të dhurojë,
ti me sy do na kërkosh përreth
e kaubojin me kukullën do vësh të vallzojnë…

Do të lodhen syckat e tua,por më kot,
se prindërit e tu nuk janë atje,
jetojmë larg njëri-tjetrit në botë,
për të mos u bërë kurrë më tre…

Të lodhur do të të vënë të flesh,
me dhuratat tona shtrënguar në gji,
do t’i puthësh e do t’u urosh “natën e mirë”,
siç do të na uroje po të ishim bashkë tani…

Vite më vonë në përvjetorë të tjerë,
mes miqsh e mikeshash,i rritur, zbukuruar,
buzët do të drejtosh nga e dashura jote,
kur plot naze do të të thotë “Gëzuar!”

Pranë meje do të vish për një çast,
“Sikur të ishte edhe mami!” do të thonë sytë plot shpresë
e në mëndje do të të vijnë lëkundur
kauboi i ngrysur dhe kukulla syzezë…

Do të hysh pas pak në dhomën tënde,
ku ca gjëra janë akoma si dikur,
krevati, kukulla, kauboi
dhe një fotografi e prindërve mbi mur…

Një cigare do të ndezësh përhumbur,
ndërsa lotët do të bien me dënesë
mbi kauboin e vjetëruar vetullngrysur
dhe mbi kukullën e bukur syzezë…

Nga dhoma e partit do të të thërrasin,
krahët e së dashurës në vallëzim do të të ftojnë,
sic doje dikur që vetullngrysuri
me kukullën syzezë të vallzojë…

Vonë-vonë kur miqtë të kenë ikur,
do më shohësh të përlotur e të vetmuar,
syzezën kukull do të pyesësh i tronditur,
“Nënë,ku je të më urosh “Gëzuar!”…?”

(1995)

Stinët

Gjinjtë e saj të zhveshur
i panë të gjithë...
një vogëlush kujtoi të ëmën,
një djalosh të dashurën,
një burrë gruan e vet,
një plak kurvën e bordellit pranë shtëpisë
dhe unë plakën e tij të thinjur
që shëtit nipin e saj të vogël
duke i treguar dicka për stinët...

(1996)

Dashuria në dy kohë

Shtrihem pranë teje
dhe vështroj
flokët e tu,
sytë,
buzët,
krahët,
supet,
duart,
gjinjtë dhe sqetullat e rruara,
barkun,
kërthizën,
kofshët
dhe gjënë e parruar,
pulpat,
këmbët,
gishtërinjtë e tyre,
thonjtë
dhe
fotografinë e tët shoqi mbi mur
që duket sikur më thotë:
“Mos i beso,or mik!
Harrove t’i shikosh unazën.
Ajo të tradhëton cdo natë kur flë me mua!”

(1996)

Tmerri

E tmerrshme tërë jetën me të njëjtën grua...
Të njëjtat sy...
të njëjtat buzë,
i njëjti trup...
e njëjta muzë,
e njëjta puthje...
i njëjti përqafim,
i njëjti përvjetor...
i njëjti zgjim,
të njëjtat ngërdheshje...
i njëjti zemërim.

Cdo ditë e njëjta grua,
cdo ditë e njëjta jetë,
cdo natë e njëjta “të dua”,
cdo natë e njëjta fletë.

E tmerrshme tërë jetën me të njëjtën grua,
o Zot, c’roman i mërzitshëm duhet të jetë,
dy vetë mbi një jastëk “mish e thua”
e në ëndrra gjithmonë një e tretë…

(1996)

Takim me ish të dashurën

Më erdhi mirë që ishte e lumtur,
më erdhi mirë që ishte dikushi në jetë,
më erdhi mirë që akoma ishte e bukur,
më erdhi keq që e lumtur ishte bërë aq shpejtë…


(1996)

Bashkëshortë të vjetër

Pas kaq vitesh martese jetojmë të qetë
dhe mendjen s’e kemi aq të ngarkuar
ëndrrat e dikurshme ikën vetë
e s’mbeti gjë tjetër për t’u ëndërruar…

Jetojmë të qetë,shumë të qetë,
thua se s’jemi më në jetë
e në zemra s’na ka mbetur më zjarr
për t’u dashuruar a për t’u ndarë…

Jetojmë të qetë,shumë të qetë
e më lakuriq pranë e pranë s'qëndrojmë,
një libër dashurie ku mungojnë shumë fletë,
herë unë,herë ti,pranë oxhakut lexojmë…

(1996)

Dashuri & Martesë

Të verbër,të verbër,
të përshkojmë Dashuri
deri tek një derë ku lexon
“MARTESE”,
më pas të verbërit sy
hedhin vështrimin gri
mbi zemrën e lodhur që ecën
me përtesë...

(1996)

Gjeniu

Lindi dhe jetoi mes nesh i sëmurë.
Në varrimin e tij lehtësisht ramë dakort
që ai kish vdekur nga një sëmundje e panjohur
dhe fatmirësisht jo ngjitëse.

Turma dhe Poeti

Zotat e shpërblyen turmën me gjumë
dhe gjumi i fali nga një ëndërr secilit…
Poetin e dënuan me të përjetshmen pagjumësi
por pa i hequr të drejtën e ëndërrimit…