5.7.09

Pjese nga dialogu poetik nr.3...

Ah mike, mos më përmend revolucionin…
bastardët e kuq…ideologjinë
bajonetat…spiunët…përndjekjet…
mashtrimin e madh…lugë e florinjtë…

Dikush urdhëroi e makina ushtarake u nis
humbëtire telagjembash… trup e shpirt i mardhur…
pas lashë rininë time…gjyshen plakë dhe shtëpinë
ku një çajnik mbi sobë akoma nxirrte avull…

Në pakt me djallin ferrin na dhuruan
e parajsa jonë fillonte aty ku këputej jeta
nga vdekjet e njëri tjetrit nuk u shuajtëm, por mbijetuam;
e vetmja e keqe që nuk përkeqësohet është vdekja.

Por sot ajo kohë ka ikur përgjithnjë
dhe kolera e kuqe nuk vjen përsëri
edhe pse mes nesh akoma kutërbon
fryma vrastare dhe Njeriu i tyre i Ri…

Gjithnjë kam besuar se qeni që leh s'kafshon…
e kush i bën gropën shokut bie vetë brënda
por çdo ditë fundosem thellë gropës që miku gërmon
dhe lehja e tij më e keqe se kafshimi qënka…

Nga njerëzit e vegjël nuk shpëtojmë dot
dyerve tona gjithnjë ata do të trokasin
por fundja le t’iu japim mjeranëve diçka
që një ditë të kenë çfarë të humbasin…