10.7.09

Konkluzion

Festa mbaroi.Të ftuarit u larguan
duke sharë nëpër dhëmbë kostumin tim,
këmishën time,
gravatën time,
këpucët e mia
si dhe fustanin tënd të ri.
Mos u mërzit,e dashur!
le të zhvishemi që ata të merren më lehtë
me rrobat tona,
që ne të dy të merremi më bukur
me trupat tanë.
Po të dilnim lakuriq para tyre
ata përsëri do të na i shanin trupat joshës
dhe ne përsëri do të zhvishnim gjërat e mishta
të trupave tanë
që ata të merreshin më lehtë me trupat tanë,
që ne të merreshim më bukur me skeletët tanë.
Ne mund t’iu tregojmë atyre edhe skeletët tanë
dhe ata s’do të guxonin kurrë t’i shanin.
Vec atëherë ndoshta do të na linin të qetë.
Do të na harronin.

(1993)