Natë…
s’ka zhurma,
as zëra, as hapa,
as drita s’ka...
qetësi e frikëshme nga hëna ndriçuar...
as njerëz...
as qenër…
as mërmëritje…as rënkime.
fryn vetëm pak erë…
por jo mbi tokë…në qiell harruar…
Që ta kuptosh që atje lart
sidoqoftë fryn pak erë
duhet të vetmosh vetminë
mbi një krevat të vjetër shtrirë
me çarçafë të zhubrosur…
vende-vende me spermë dhe hi…
pranë dritares së hapur dy sy...
shpirtmbërdhirë…
Nëse drita e hënës do të ketë mirësinë
të ndalojë pak çaste mbi ta,
do të dallohen vetullat e mbledhura…
një rrudhë e thellë në mes
dy sy të vdekur, si t’i kenë rënë padashur
nga koka e një kufome
që bënte udhëtimin e parë
e të fundit për në qiell...
Por nëse drit’ e hënës do të qëndrojë
diçka më tepër mbi ata sy,
ti do të bindesh që i përkasin fytyrës së parruajtur
të një burri
që sonte ka nevojë për shumë errësirë dhe pak,
fare pak, dritë.
zjarrth’ i një çakmaku apo
dritëhijet davaritur pas një muri….
Në shoqërinë e pakëndëshme të myshkonjave të bezdisshme,
dhe të një lakuriqi nate që si me pahir
afrohet pak çaste në parvaz për t’u siguruar
se në atë copëz të natës
punët ende shkojnë mirë…
Mbrëmë,
kur sytë ishin prehur pa fuqi mbi dy sy të tjerë
e ata fatalisht për nga hëna drejtuar,
e kish marrë me mënd se vështrimet e ardhëshme
do t'ia falte qiellit
ashtu shkujdesur...
shpenguar…
Atje lart,
mes të zezës së natës
do të takoheshin me të tjera vështrime,
të mbetur në hapësirë si relike
të një nate të fundit
anonime.
E kish parandjerë qetësinë vetmitare,
mbi krevatin e vjetër në mesnatë
pellgjeve të vdekura të spermës,
luleve të çarçafit,
në krahët e një krijese flokëgjatë…
Flokëgjata kish mbetur e shtrirë për një çast
si gjurmë e fundit e një dashurie
të venitur,
dyzimeve turbullues dhe prezervativësh memecë
që kishin mbushur netët e tyre.
Pastaj ajo kish ikur.
Por sonte diçka e mahnitshme atje lart
po ndodh
yjet dhe miliarda vështrime njëri-tjetrin
duke ndjekur,
herë si kope të egra që qiellin e zi
lërojnë…
herë si murgj qyqarë në portën e një manastiri
të djegur…
Në qiell shfaqet një grua...
e re...
fustanzbërthyer...
gjinjtë e fryrë plot qumësht i dallohen,
dhe në qendër një boshllëk i errët qielli,
ku retë nuk e shohin të arësyeshme të ngatërrohen…
Pranë saj një siluetë
e vockël,
e bardhë,
imcake…
mund ta marrësh për një foshnjë
që papritmas eturazi nisi të pijë gji
nga gruaja prej resh që është lehonë…
"Nënë!"
pëshpërit i hipnotizuar me vështrimin e ngulur aty
ku goja prej resh bashkohet
me thithin e spikatur
"Nënë!"
dhe e ndjen veten aq të vogël...
të vogël sa dëshiron të nanuritet
gjirit qumështspërkatur…
T’ia zbulojë...
pas tij të përkëdhelë fytyrën e parruajtur
e të thithë qumështin jetëdhënës
si dikur,
jo më i ngazëllyer,
por duke qarë hidhur
me lotë të rëndë nga ata që derdh një burrë...
Formë e dashur tretet…
çbëhet…
e retë krijojnë dele…
kuaj…
anije…
imazhe të papërsëritshme…
magjike…
dy gjinj anonimë disi të varur…
(dhe një karrige e thyer
që shumë shpejt u shndërrua
në një burrë
që po dhiste.)
Përsëri shfaqen dy gjinjtë e varur
si të flokëgjatës e buzët prej resh që pëshpërisin
“jam unë”
pastaj... ekstaza e vetmisë...
dihatje…
rënkim ...
dhe orgazmash çarçafi zbukurohet
me një lule të verdhë më shumë...
Papritmas në dhomë kumbon e qeshura
e qeshura e një foshnje-përbindësh,
më pas gulçet e ngashërimit të llahtarshëm…
lotë të nxehtë…
teksa gruaja me gjinj të varur çbëhet në lëmshe të bardhë
që duke ikur mbulojnë hënën…
e herë-herë yjet e zbehtë...