Nga destini shkatërrimtar apo fati i keq mund të shpëtojnë
dhe të shmangen njerëzit e vegjël. Njerëzit e mëdhenj, përkundrazi, e kanë destinin dhe fatin e keq pjesë të madhështisë, por kjo gjë zakonisht kuptohet pas vdekjes së tyre. Ndryshe nga sa mund të mendohet, madhështia
e dikujt ndonjëherë mund të jetë e lidhur edhe me fatin e sendeve personale të
tij.
Kjo është një histori me sixhade. Një histori e vërtetë për një sixhade fluturuese dhe simotrat saj. Të krijuara nga
thurje artizanale, me penj kërpi dhe ngjyra të
përgatitura në mënyrë tradicionale, ato kanë dëshmuar se i rezistojnë
kohës për shumë vite. Në Labëri mund të
gjënden akoma sixhade të bëra 100 vjet më parë. Jo pak nga lexuesit e këtyre rreshtave, miq e
shokë të autorit, kanë pasur fatin të ulen mbi sixhadet e këtij rrëfimi.
Në vitin 1928, jetimja pesëmbëdhjetëvjeçare Hatixhe H. e fshatit Dukat thuri për pajën e
saj katër sixhade shumëngjyrëshe leshi, tri nga te cilat, sipas zakonit, do
shkonin për të zotin e kalit të bardhë që do merrte nusen dhe vetëm njëra do t’i mbeste nuses së re. Kjo e
fundit, ndryshe nga sixhadet e tjera, do të
kishte të qëndisura në cep inicialet e emrit të nuses.
Meqë në ceremoninë e martesës së Hatixhe H. (që u bë Hatixhe
Sh.) kali i bardhë u ngrit kas dhe nuk donte të hynte në shtëpinë e dhëndrit, duke
e rrëzuar tri herë nusen e re para
pragut të shtëpisë ( një detaj i vërtetë
i përdorur nga unë në tregimin “Hanka”),
i zoti i famshëm i kalit, fisniku Mehmet A. e pa të udhës të mos i pranonte tri sixhadet e taksura nga nusja jetime.
Në dimrin e vitit
1943 dezertori italian Salvatore B. e
vjedh sixhaden e nuses nga oborri i shtëpisë së Hatixhe Sh. në Dukat dhe bashkë me pushkën e tij e fal në fshatin
Tragjas në shkëmbim të një strehe dhe
ushqimi.
Në vitin 1954 Hatixhe Sh. bashkë me të bijën dëbohet fillimisht
drejt zonës së Gollobordës, në verilindje të Shqipërisë e më pas vendoset në
Peshkopi.
Një pasdite korriku të vitit 1970, e bija e Hatixhe Sh. thërritet për një urgjencë shëndetësore në fshatin Fushë Alije të Dibrës ku i shpëton jetën një nëne dhe foshnjës së
saj të porsalindur. Kryetari i këshillit të fshatit, Shpëtim M. në shenjë falenderimi shtron një darkë në shtëpinë vet
për shpëtimtaren dhe familjarët e të shpëtuarve. Mbi minderin ku ishin ulur e
bija e Hatixhe Sh. njeh sixhaden unike të së ëmës. “Kjo sixhade është e nënës sime, dhe ka edhe inicialet e
emrit të saj të vajzërisë të qendisura në anën e poshtme.”
Udhëheqësi komunist i fshatit kthen cepin e sixhades dhe
dallon inicialet H.H.
“Ia sekuestruam në vitin 1944 kriminelit dhe hajdutit Halil
A. që e kish vjedhur në Tragjas”, shfajësohet i zoti i shtëpisë dhe ngre një
dolli për jetën e re.
Në vitin 1980 i shoqi i mërguar në Kairo i Hatixhe Sh. nga
letërkëmbimi i cunguar mëson historinë e sixhadeve dhe si një simbolikë ngushëlluese
i dërgon një qilim Persian. Pakoja arrin
në qytetin Peshkopi, por nuk i jepet
Hatixhe Sh. së cilës i kërkohet të firmosë një shkresë ku thuhej që nuk pranonte pako
nga armiqtë e Atdheut, gjë që ajo nuk e bën.
Në fundvitin 1990 , autori i këtyre rreshtave , në rrethana
jo edhe aq rastësore, debaton në një
dhomë me ish presidentin në pension për
pandershmërinë, nga vrastare në banale,
të rregjimit ndër vite, dhe fjalë
pas fjale, i tregon edhe historinë e sixhades. Ish presidenti e kundërshton
fort, duke harruar, apo duke mos e ditur, që edhe
qilimi i shtruar në atë sallë qeveritare pritjeje ishte pikërisht qilimi Persian i dërguar si
dhuratë për Hatixhe Sh. nga bashkshëshorti
i saj Musa.
Këtu mbaron historia reale e sixhadeve të Hatixhe Sh. por,
meqë jemi në këtë temë, dhe në respekt të adhuruesve rishtarë të Borges-it, le të hamendësojmë për fatin e mundshëm të një sixhadeje magjike si
ajo në një vend të pabesueshëm si i yni.
Kështu pra, mund të spekullojmë se në vitin 2016 deputetit dhe matrapazit të njohur të antikave Koço K. i dhurohet Sixhadja Fluturuese nga kundërshtari i tij politik Lul B. në shkëmbim
të një vote. Nën kujdesin e Ministrisë së Kulturës sixhadja e famshme ekspozohet në Berlin dhe
aty blihet nga stërnipi etnograf i Hatixhe Sh, i cili shumë vite më vonë, në
pleqëri dhe pas falimentimesh të njëpasnjëshme financiare, e përdor si mjetin e
vetëm për t’u mbrojtur nga i ftohti i
Fifth Avenue ku edhe gjëndet i vdekur si
i pastrehë një natë dimri të 2035.
Duke u kthyer përsëri në pikënisjen e këtij rrëfimi: A mund
ta shkëpusim vërtet një njeri nga rrënjët e veta ashtu siç bëjmë me një pemë?
Hatixhe Sh. ia këputën rrënjët dhe e degdisën në një vend të
largët të ri.
Por para saj kish mbërritur atje larg përmes udhëve të verbëra
dhe kapriçioze të destinit ajo sixhade, një nga rrënjët e jetës së saj.
Vite më vonë përsëri fati
dhe destini i çuan atje ku ishte
degdisur edhe një rrënjë fikusi nga i shtëpisë ku ish bërë nuse, një
histori për të cilën flitet te tregimi tjetër i imi “Vazo të thyera”.
Sot besoj se destini i të pafatëve të mëdhenj është një
alibi e shpikur nga njerëz të vegjël. Alibia e tyre në pamundësinë për t’i shkëputur të pafatët nga rrënjët…
Dhe meqë po flasim për fate e destine: gjatë Diktaturës Hatixhe
Sh. u dëbua nga vendi i saj për rreth 40 vjet. Në Demokraci u rikthye në
vendlindje ku jetoi edhe 20 vjet, por kapriçiot madhështore të destinit (dhe jo
të diktaturës këtë radhë) e cuan përsëri në atë qytet të vogël verilindor ku
edhe u nda nga jeta në moshën 103 vjecare!
Epilog:
Në vitin 1956 Hatixhe Sh. i dërgoi një kërkesë transferimi
ministrit të Shëndetësisë së asaj kohe për
rikthim në vendlindje. Kërkesa e saj u refuzua prerë me një shkresë në të cilën shkruhej se ai qytet i vogël
verior kishte nevojë edhe për
kontributin e Hatixhe Sh.
30 vjet më vonë, në epokën kur të sapodiplomuarit
flakeshin në Veri, nipi i ministrit të
dikurshëm preferoi të emërohej
me punë pikërisht në atë qytet të vogël, meqë aty banonte
i vetmi mik i tij i ngushtë në
veri të vendit. Nipi i Hatixhe Sh.26 Mars, 2016
© Artan Gjyzel Hasani