29.9.10

Fundfillim (varianti i plote)

e gënjeshtërt si parathënie libri

është jeta ime

dhe ëndrra çmimi që i vure ti…

një libër që titullin ia shkruajtën të tjerët…

e numrin e fletëve askush nuk ia di…



plakem...

rrudhem…

dhe për fatin tim të keq

nuk jam djath...

as letër dashurie

e as verë…

...........................

kush më shijoi dhe me mua dje u deh

nuk e di nëse do më gjejë tjetër herë…



thonë dashuria pleqërinë kuron,

dhe zemrën që zvarritet me përtesë…

por unë cuditerisht ndjeva të plakem

kur pasioni që dashurinë gjeneron

mjerueshëm degjeneroi

në martesë…



fëmijë kur isha shumë frikë

fundin e përrallës e kisha…

më shumë se kuçedrën

që shtatë kokë kishte…

dhe nuk e dija që më i madhërishmi

i të gjithë arteve,

arti i mbarimit ishte…



kur u rrita mësova

se dëshira për dëshira

e kishte emrin mërzi...

mërzia lindte vetminë

e kjo dhimbjen….

dhimbja kalonte,

por bukuria mbetej…

trishtimi tretej…

e përsëri niste ëndrra

ku fundi më dukej fillim…

pikënisje në rrethin që mungonte…



e gënjeshtërt si parathënie libri

është jeta ime,

që s’ishte e imja në të vërtetë…

.........................................

por pjesëve të bardha

mes rreshtave të shkruar…

të bardha...

te bardha..

mermer...

vdekja me siguri e imja do të jetë…

......................................

mes rreshtave ku jetova ashtu siç isha

e jo siç më deshën njerëzit e tjerë…



(29 Shtator, 2010)

©Artan Gjyzel Hasani

23.9.10

E ngrohtë...e lagët...rënkuese... (varianti i plote)

dua ta bëjmë bashkë sonte këtë natë

mes epshit padurimit dridhur…

por ti je larg…

e unë në një tjetër shtrat

veten përkëdhel symbyllur…


më mungojnë sytë…

buzët e tua…

flokët...

të qeshurit…hareja...

inati që të bën të mos derdhësh lotët...

magjia që ti më fal,

dehja...


supet...

lëkura...

sqetullat...

gjinjtë dhe barku yt...

brenga që të rrudh vetullat...

dëshira që të ndricon sytë...


puthja dhe gjuha gjarpërushe...

prekja,

gishtërinjtë…thonjte e tu...

kafshimet...

veshtrimi yt djallushe...

jeshilja jote mbi sytë e mi blu...


aroma e trupit tënd…

djersa…

kërthiz’ e vockël që lëpija...

trupi yt triumfesh harkuar

mbi lumenjtë e pasioneve të mia…


pëshpëritjet,

ulurimat…ekstaza…

rënkimet...përkujdesjet...

pritja… ethja dhe tundimet....

netët dhe mëngjeset...


por më shumë më mungon ajo...e jotja...

djepi i nxehtë i prekjeve drithëruese...

krematoriumi i puthjes sime...

zjarr që zjarre shuan dhe hirin ndez...

netëve ku digjen epshe turbulluese...

e ngrohtë...

e lagët...

rënkuese...

Etna jote ku Vezuvi im vdes...


(2005)


©Artan Gjyzel Hasani

17.9.10

Shpjegim i Ligjeve të Mërfit një virgjëreshe…(varianti i plote)

e sjell ndërmend atë të shtunë…

(e si mund ta harroja?)

e mrekullueshme si një seks i ndyrë

me një hënë magjike…

më tërheqëse se të gjitha femrat në errësirë…

i lumtur e i qetë pranë saj

për sa kohë që nuk e dashuroja…


ia mësova i ngeshëm e plot dëshirë

që virgjëria është sëmundje e kurueshme...

që sperma nuk është rrëshirë...

që dashuria është kimi

dhe seksi fizikë…

që kur një femer fillon të kuptojë dashnorin

pason vec heshtje dhe frikë….


i shpjegova që meshkujt janë aq të ndryshëm

si udha që ndjekin përrenjtë

por shtrati i pasigurtë i dashurisë

i bashkon të mëncurit me budallenjtë…


i tregova që një grua kurrë

nuk harron ata me të cilët ka fjetur...

ndërsa të vetmet që kujton një burrë

janë femrat që ia lanë të ngrehur…


i thashë që ëndrrat e varfanjakëve

janë shpesh kështjella rëre…

kasollja e pasionit zakonisht bëhet varr…

por nëse paraja nuk e blen dot dashurinë,

përkohësisht me qira edhe mund ta marrë…


* * *

më pyeti si quhem...

"por unë s'kam emër

për sa kohë që në gjoks

rreh ajo që quhet zemer...


pa emër dashurite, pa emër urrejtjet,

pa emër kenaqesitë, pa emër qejfmbetjet,

pa emër epshi dhe sperma e derdhur,

pa emër e gjelbërta aq papritur zverdhur...


pa emër vështrimi, pa emër sytë,

pa emër gjumi kur bëhet vet' i dytë...

pa emër ëndrra, pa emër zgjimi,

pa emër përkëdhelja, pa emër pallimi...

pa emër loti që faqes rrëshket,


pa emër dhe zëri që heshtjes i flet...

pa emër fëmijët që vijnë në jetë shurruar...

pa emër të vdekurit varrezës së harruar...

pa emër dhe rruga që ti e quan jetë,

pa emër dhe turma që mua më tret...

pa emër pulëbardha dhe shkum' e valëve pa emër...

pa emër dhe gruaja që dot s'u bë femer...

pa emër e verteta që nuk doli kurrë,

pa emër mashkulli që hiqet për burrë...

pa emër përbuzja, nderi dhe poshtërimi,

pa emër piedestalet ku përmut adhurimi...


pa emër e nesërmja drejt së cilës renda...

pa emër e djeshmja që iku si ëndrra...

pa emër premtimi që unazës sime fle...

pa emër dhe balta ku gjurmën tënde le....


pa emër këto fjalë që ti dëgjon tani...

pa emër dhe emri që më vunë prindërit e mi...

pa emër buzëqeshja që nganjëherë vret,

të gjitha pa emër... e asgjë s'humbet..."


* * *

të gjitha cudirat ia thashë atë natë…

(rast më të mirë nuk kishte:

më pas do të ishte e lodhur…

ose e clodhur shumë do të ishte…)


pastaj lakuriq iu shfaqa unë...

zog' i saj dridhej nën këmishë…

u shqepëm në seks atë të shtunë

dhe të dielen u rrëfyem në kishë….


(2008)

©Artan Gjyzel Hasani 

9.9.10

Poezisë sime (kolazh)

në vargjet e tua putanat

u ndjenë zonja...

zonjat kurva...

pleqtë fëmijë...

bashkëshortët të tradhtuar,

Jezusi kopil...

mëkatarët të virtytshëm...

murgeshat lavire...

trimat frikacakë...

idhujt të rrëzuar...

vec dashuria Perëndi...

..........................

(e unë

sa herë botën e dhjerë Nevojtore e quajta

aq herë vetes i thashe "Muti je ti!")



do të ketë nga ata që si xhevahir

do të të mbajnë në duar…

do të ketë edhe nga ata që do të të

mallkojnë…

nganjëherë do gjëndesh dafinash mbuluar…

nganjëherë vargjet e tua pellgje narcistësh

do të turbullojnë…



MORALIN prej kohësh e bëre EUNUK

që lakuriqësine tende me detyrim të vështrojë,

me pahir të buzëqesh në të rralle i gjori,

ndërsa cenin e tij me mbathjet e tua

përpiqet ta mbulojë…



se ti më ngjan mua...

je pjella ime…

dhe kurrë në trupin tënd të zhveshur rrobën e huaj

s’do pranosh:

kur linde të mbështolla përgjakshëm me lëkurën time

pulsi im – gjurma jote ngado që të shkosh…



do cash mes udhëve ku ata

nuk shkuan ndonjëherë…

në gremina ku nuk guxuan

të hedhin dot as vështrimin…

mes shkretëtirës ku vec ti e di

që një lule fle…

mes brigjesh ku përrenjve

do ua ndryshosh drejtimin…



do njohësh të dëshpëruar me gurin në qafë varur…

të pashpresë që harruar i ka fat’ i keq…

do njohësh dhe njeriun...

atë që akoma s’ka ardhur…

atë që nga pas turmat zvarrë tërheq…



në shpirtëra njerëzish që nga vetvetja

kanë frikë…

mes atyre që nuk njohin as besën

e as nderin…

kufomat që do ndeshësh mëshiroi

cdo ditë…

dhuroju parajsën

kur njohin vec ferrin…



nganjëherë do ngjash me të dlirën vashë

që skuqet para një pike vese që pikon…

nganjëherë do jesh e ëmbël

si një përrallë

pranë oxhakut kur nata heshtjen përgjon…



nganjëherë kapricioze...

rebele si yt atë…

stuhi zemëratash që buzëqeshja në cast shuan

por zemrën…

zemrën…mbaje të zjarrtë…

të ringjallësh atë që për pak zjarr vuan…



pra ec..poezia ime...ec…

këmbëzbathur…

e zhveshur...

askush nuk do mund të të ndalojë...

................................................

(edhe ai qe lakuriqësinë tënde ditën

e përbuz,

natën me imazhin tënd

vetmisë do të masturbojë…) 



(2006)



©Artan Gjyzel Hasani



Bookmark and Share

5.9.10

Per vajzen qe buzeqesh dhe skuqet lehte…

Kur bie mbremja ti ulesh e me lexon…

buzeqesh dhe skuqesh lehte…

fluturat turbullohen…

dhe une e di qe per nje cast…

vetem per ate cast heshturazi…

pa fjale…

me jepesh ashtu…

ne menyren tende…

buzeqeshur…

faqet skuqur lehte…


Pastaj ti largohesh ashtu…

ne menyren tende…

heshturazi…

pa fjale…

duke me lene sperkatur me buzeqeshjen tende…

.............................

Ah ajo buzeqeshja jote-

-parfumi im në shishen e huaj...


(2010)

©Artan Gjyzel Hasani

4.9.10

Ëndërr cigane (variant i ripunuar)

Pse o Zot nuk më linde cigan,

kur shpirtin endacak më fale?


Buzë lumit ku një qen shkelmohet e këmbana tymi lajmërojnë të dielën...

pranë kazanëve ku fustanet akoma të ngrohtë avuj gjinjsh lëshojnë…

orgjitë e mbrëmjes vesë mëngjesi djersijnë...

në çadrat e grisura lëkurat e natës epshet e ditës cigançe rënkojnë…


Përse o Zot nuk më linde cigan

kur shpirtin të tillë ma bëre?


(mes dashurish të ndaluara gjithnjë virtytin dogja...

të fshehta e të ndaluara si vetë lumturia…)

ditëve të rrihesha...

kuaj të vidhja…

kapele kashte të shisja...

netëve puthjet kafshimplote xhelozinë të më vrisnin,

kur zëri gojëndyrë i cigankës të zbukuronte dehjet e mia...


Haj diki daj diki daj haruma vaj

Haj diki daj diki daj haruma vaj


Vargan karrocash të lodhura dhe kuaj të menduar...

rraqe…

lecka...

fëmijë…

pleq… dhe një vashë syzezë...

në rrudhën mes vetullave të saj të shtrihesha e të vdisja

e pastaj i dehur nga vdekja edhe vdekjen kaçurrele ta deh

e të vyshkesha pastaj… e si jeta pastaj……

vajtimin e cigankës të prisja…të prisja…


Haj diki daj diki daj haruma vaj

Haj diki daj diki daj haruma vaj


Përse o Zot nuk më linde cigan,

kur të lirë pa liri më bëre?


rob të këtij apartamenti luksoz me orën gjithnjë të kurdisur mbi mur...

ku vizitorët si ora janë vazhdimisht të saktë…

tik-tak…

tik tak…

me zoterinjte e prangosur gravatash...

me damat sqimatare që oh sa dëshpërohen

kur fytyrave të pudrosura shiu iu pikon …

(por aq lehtë faqkat iu skuqen

e gjinjtë iu ndizen…

dhe ëndrrat si faqet e pudrosura iu lagen

kur vargjet e mi fshehurazi bashkeshortëve

në paradhomë lexojnë…)


Përse o Zot nuk më linde cigan,

kur të lirë pa liri më bëre?


Rob të kësaj bote të përpiktë pa ciganë...

botë normale pa të shkalluar...

botë e kurdisur që… oh sa shume…

sa shume dua ta vras

një ditë…

ashtu kot...

shpenguar…


Ah, botë e rreme njerëzish të përpiktë!


Më vret mirësjellja juaj dinake

më trishton mungesa hipnotike e xhelozive …

më tret kalkulimi juaj aq i përpiktë

i të dashuruarit njeriun e duhur në castin e duhur…

më tmerrojnë pasionet që një makinë llogaritëse i tërheq zvarrë

si Akili kufomën e Hektorit…

më shembin…

më dërmojnë fytyrat tuaja në formë portofoli...

vështrimet e qelqta të syve të bërë synet

dhe duart tuaja të bardha ku dielli kurrë s’ndalon…


Po gjaku…gjaku c’pësoi vallë?

Dhe gjakut i keni vënë silikon?

…………………………………

Mallkuar… mallkuar delikatja bota juaj…

dhe skërmitja që ju e quani dashuri…

i harruar tymos dhe në heshtje vuaj

si cigan që i kanë vjedhur Danubin e tij…



(2009)



©Artan Gjyzel Hasani

3.9.10

KUR TE KUPTOSH...


…që jeta është një pordhë me rigon…
…që shokët janë gjithnjë shumë të zënë
dhe miqësia e artë quhet ar-miqësi…
kur të besosh që martesa është një vend i mërzitshëm pune
dhe bashkëshortësia profesion…
kur si i dashur të klasifikohesh te të papunët
dhe librezën e vjetërsisë se dashnorit viteve që shkuan
të kesh humbur…
kur të të duket se jeta të mashtroi e gënjeu…
në një cep të barit ku s’të njeh askush ulu
dhe një gote të boshatisur
rrëfeju…
tregoi se të mëncur më nuk ka…
ata që ishin u cmendën të gjithë
dhe nga bota përgjithmonë i ndau një mur…
budallenj zunë të vetequhen të cmendur
që t’i besojne se edhe ata sidoqoftë
ishin të mencur dikur…
thuaji se e luajte rolin tënd në komedi…
në atë që quhet Jetë…
të njëjtët role…
të njëjtat vende…
në qiejt të ngritën kur mes tyre ishe...
të vranë lehtësisht në mungesën tënde….
tregoi se dy herë në jetë u ndjeve hero,
të dy herët i dehur, por jo nga e njëjta pije…
(të kujtohet?
e para ishte whiskey ose vodkë…
e dyta sigurisht një maramenth lavdie…)
thuaji se askush vec teje s’e pa
anën tënde të dytë…
se ajo ndodhej gjithnjë në anën tjetër…
megjithatë ata të gjithë folën…
folën si për një monedhë…
mllefin e nxorrën derisa vollën…
(ti – pasqyra…një ditë e theve veten,
por ata t’i shanë edhe copëzat e thyera…)
tregoi se u nxitove kësaj jete të shkurtër
vrapove gjithnjë me vdekjen në garë
herë epshi të tërhoqi nga pas…
herë ëndrrën prej flokëve e zvarrite
dhe shpresa të mbeti epitaf për në varr…
dhe nëse gota nuk të përgjigjet,
copë e cikë bëje dhe
ngushëllohu:
ti humbe , por humbja jote është më e madhërishme
se fitorja e tyre që bujshëm e shpallën në cdo skaj…
ti humbe në luftë për të fituar vetveten…
ata fituan atë cka mbeti pas saj…
e pastaj ik…
ngarend në udhën tënde…
pa patur frikë se dikush mes lotësh
do të të kërkojë
e mes gulcesh emrin tënd
do pëshpërisë…
ik sa më larg kësaj bote,
sa më larg kësaj turme pa vlerë,
sa më larg kësaj gostie shekullore
ku prej kohësh dolli për ty
s’kujtohet askush të ngrejë…
ik larg...
oh... shumë larg…
atje ku s’do të të arrijë më asgjë,
as malli e kujtimet,
as urrejtjet…
as mallkimet…
dhe kurrë mos u kthe,
kurrë vështrimi yt të mos bjerë
mbi pluhurin që lë pas…
përndryshe,
në u kthefsh,
do të të kujtojnë aq shumë
sa pluhur do të bëhesh
nga kujtesa e tyre vrastare.
(1998) 
©Artan Gjyzel Hasani