3.9.10

KUR TE KUPTOSH...


…që jeta është një pordhë me rigon…
…që shokët janë gjithnjë shumë të zënë
dhe miqësia e artë quhet ar-miqësi…
kur të besosh që martesa është një vend i mërzitshëm pune
dhe bashkëshortësia profesion…
kur si i dashur të klasifikohesh te të papunët
dhe librezën e vjetërsisë se dashnorit viteve që shkuan
të kesh humbur…
kur të të duket se jeta të mashtroi e gënjeu…
në një cep të barit ku s’të njeh askush ulu
dhe një gote të boshatisur
rrëfeju…
tregoi se të mëncur më nuk ka…
ata që ishin u cmendën të gjithë
dhe nga bota përgjithmonë i ndau një mur…
budallenj zunë të vetequhen të cmendur
që t’i besojne se edhe ata sidoqoftë
ishin të mencur dikur…
thuaji se e luajte rolin tënd në komedi…
në atë që quhet Jetë…
të njëjtët role…
të njëjtat vende…
në qiejt të ngritën kur mes tyre ishe...
të vranë lehtësisht në mungesën tënde….
tregoi se dy herë në jetë u ndjeve hero,
të dy herët i dehur, por jo nga e njëjta pije…
(të kujtohet?
e para ishte whiskey ose vodkë…
e dyta sigurisht një maramenth lavdie…)
thuaji se askush vec teje s’e pa
anën tënde të dytë…
se ajo ndodhej gjithnjë në anën tjetër…
megjithatë ata të gjithë folën…
folën si për një monedhë…
mllefin e nxorrën derisa vollën…
(ti – pasqyra…një ditë e theve veten,
por ata t’i shanë edhe copëzat e thyera…)
tregoi se u nxitove kësaj jete të shkurtër
vrapove gjithnjë me vdekjen në garë
herë epshi të tërhoqi nga pas…
herë ëndrrën prej flokëve e zvarrite
dhe shpresa të mbeti epitaf për në varr…
dhe nëse gota nuk të përgjigjet,
copë e cikë bëje dhe
ngushëllohu:
ti humbe , por humbja jote është më e madhërishme
se fitorja e tyre që bujshëm e shpallën në cdo skaj…
ti humbe në luftë për të fituar vetveten…
ata fituan atë cka mbeti pas saj…
e pastaj ik…
ngarend në udhën tënde…
pa patur frikë se dikush mes lotësh
do të të kërkojë
e mes gulcesh emrin tënd
do pëshpërisë…
ik sa më larg kësaj bote,
sa më larg kësaj turme pa vlerë,
sa më larg kësaj gostie shekullore
ku prej kohësh dolli për ty
s’kujtohet askush të ngrejë…
ik larg...
oh... shumë larg…
atje ku s’do të të arrijë më asgjë,
as malli e kujtimet,
as urrejtjet…
as mallkimet…
dhe kurrë mos u kthe,
kurrë vështrimi yt të mos bjerë
mbi pluhurin që lë pas…
përndryshe,
në u kthefsh,
do të të kujtojnë aq shumë
sa pluhur do të bëhesh
nga kujtesa e tyre vrastare.
(1998) 
©Artan Gjyzel Hasani