4.9.10

Ëndërr cigane (variant i ripunuar)

Pse o Zot nuk më linde cigan,

kur shpirtin endacak më fale?


Buzë lumit ku një qen shkelmohet e këmbana tymi lajmërojnë të dielën...

pranë kazanëve ku fustanet akoma të ngrohtë avuj gjinjsh lëshojnë…

orgjitë e mbrëmjes vesë mëngjesi djersijnë...

në çadrat e grisura lëkurat e natës epshet e ditës cigançe rënkojnë…


Përse o Zot nuk më linde cigan

kur shpirtin të tillë ma bëre?


(mes dashurish të ndaluara gjithnjë virtytin dogja...

të fshehta e të ndaluara si vetë lumturia…)

ditëve të rrihesha...

kuaj të vidhja…

kapele kashte të shisja...

netëve puthjet kafshimplote xhelozinë të më vrisnin,

kur zëri gojëndyrë i cigankës të zbukuronte dehjet e mia...


Haj diki daj diki daj haruma vaj

Haj diki daj diki daj haruma vaj


Vargan karrocash të lodhura dhe kuaj të menduar...

rraqe…

lecka...

fëmijë…

pleq… dhe një vashë syzezë...

në rrudhën mes vetullave të saj të shtrihesha e të vdisja

e pastaj i dehur nga vdekja edhe vdekjen kaçurrele ta deh

e të vyshkesha pastaj… e si jeta pastaj……

vajtimin e cigankës të prisja…të prisja…


Haj diki daj diki daj haruma vaj

Haj diki daj diki daj haruma vaj


Përse o Zot nuk më linde cigan,

kur të lirë pa liri më bëre?


rob të këtij apartamenti luksoz me orën gjithnjë të kurdisur mbi mur...

ku vizitorët si ora janë vazhdimisht të saktë…

tik-tak…

tik tak…

me zoterinjte e prangosur gravatash...

me damat sqimatare që oh sa dëshpërohen

kur fytyrave të pudrosura shiu iu pikon …

(por aq lehtë faqkat iu skuqen

e gjinjtë iu ndizen…

dhe ëndrrat si faqet e pudrosura iu lagen

kur vargjet e mi fshehurazi bashkeshortëve

në paradhomë lexojnë…)


Përse o Zot nuk më linde cigan,

kur të lirë pa liri më bëre?


Rob të kësaj bote të përpiktë pa ciganë...

botë normale pa të shkalluar...

botë e kurdisur që… oh sa shume…

sa shume dua ta vras

një ditë…

ashtu kot...

shpenguar…


Ah, botë e rreme njerëzish të përpiktë!


Më vret mirësjellja juaj dinake

më trishton mungesa hipnotike e xhelozive …

më tret kalkulimi juaj aq i përpiktë

i të dashuruarit njeriun e duhur në castin e duhur…

më tmerrojnë pasionet që një makinë llogaritëse i tërheq zvarrë

si Akili kufomën e Hektorit…

më shembin…

më dërmojnë fytyrat tuaja në formë portofoli...

vështrimet e qelqta të syve të bërë synet

dhe duart tuaja të bardha ku dielli kurrë s’ndalon…


Po gjaku…gjaku c’pësoi vallë?

Dhe gjakut i keni vënë silikon?

…………………………………

Mallkuar… mallkuar delikatja bota juaj…

dhe skërmitja që ju e quani dashuri…

i harruar tymos dhe në heshtje vuaj

si cigan që i kanë vjedhur Danubin e tij…



(2009)



©Artan Gjyzel Hasani