S’e di as vetë se si m’u kujtove,
ti, puthjet dhe orët e vona
dhe malli më mbërtheu të tërin
për gjithshka tënden…edhe për zënkat tona…
Befas doja të të shihja,
qoftë edhe si asaj pasditeje kur ike me vrap,
nga shiu i asaj kohe unë u laga,
ndërsa ti vec u spërkate pak…
Nuk e di as vetë pse m’u kujtove,
ndoshta ngaqë tani po bie shi
dhe nën dritaren time e lagur
një vajzë pret që të vijë “ai”.
S’e di as vetë se si m’u kujtove,
tani pas kaq vitesh që plaga ka zënë kore,
tani që ndoshta edhe je martuar
e fëmijën e një tjetri mban për dore…
Sa lehtë, sa lehtë gabuam...
sa gabim, sa gabim , dashuruam...
sa dashurisht, sa dashurisht, harruam...
dhe harrueshëm, harrueshëm, shkuam...
(1990)
©Artan Gjyzel Hasani