Me atë që mbeti… me lëkurën time mbështjellë
rinisem për në udhën e gjatë pafund...
në vitin e brishtë të jetës sime…
me javët që m'i dhuruan pa të shtunë…
Përsëri në udhë të madhe…përsëri,
me ato që kisha e ato që s'thashë...
të thënat e thinjura e të vërtetat e mia
një muzgu shkujdesur në kujdes ia lashë...
Përsëri në udhë të madhe…përsëri,
hapave kjo baltë a do iu kujtohet?
Do më dridhen gjunjët e s'do më ndihë njeri
e në u rrëzofsha...le të rrëzohem...
Përsëri në udhë të madhe…përsëri,
në zemër një gur më shumë,
më fal ti udhë e përbaltur... dikur livadh...
që zemërgur kalldrëm të bëra unë...
Pas meje edhe ca rërë të lagur
për amatorë kështjellash po lë…
(në u rrëzoftë mos fajësoni veç rërën:
mes saj gjurma ime fle …)
***
Thërrimet që pyllit më ranë
të shtunave të tyre le t'i ndajnë
minj të arratisur nga gjirizet
rreth zjarrit që nis e ndizet...
kur pishës degëthyer t'i hiqen si ketra
............................................
Brigjeve të së nesërmes do thyhet
një shishe pa mesazhin brenda…
(2007)
©Artan Gjyzel Hasani