29.9.10

Fundfillim (varianti i plote)

e gënjeshtërt si parathënie libri

është jeta ime

dhe ëndrra çmimi që i vure ti…

një libër që titullin ia shkruajtën të tjerët…

e numrin e fletëve askush nuk ia di…



plakem...

rrudhem…

dhe për fatin tim të keq

nuk jam djath...

as letër dashurie

e as verë…

...........................

kush më shijoi dhe me mua dje u deh

nuk e di nëse do më gjejë tjetër herë…



thonë dashuria pleqërinë kuron,

dhe zemrën që zvarritet me përtesë…

por unë cuditerisht ndjeva të plakem

kur pasioni që dashurinë gjeneron

mjerueshëm degjeneroi

në martesë…



fëmijë kur isha shumë frikë

fundin e përrallës e kisha…

më shumë se kuçedrën

që shtatë kokë kishte…

dhe nuk e dija që më i madhërishmi

i të gjithë arteve,

arti i mbarimit ishte…



kur u rrita mësova

se dëshira për dëshira

e kishte emrin mërzi...

mërzia lindte vetminë

e kjo dhimbjen….

dhimbja kalonte,

por bukuria mbetej…

trishtimi tretej…

e përsëri niste ëndrra

ku fundi më dukej fillim…

pikënisje në rrethin që mungonte…



e gënjeshtërt si parathënie libri

është jeta ime,

që s’ishte e imja në të vërtetë…

.........................................

por pjesëve të bardha

mes rreshtave të shkruar…

të bardha...

te bardha..

mermer...

vdekja me siguri e imja do të jetë…

......................................

mes rreshtave ku jetova ashtu siç isha

e jo siç më deshën njerëzit e tjerë…



(29 Shtator, 2010)

©Artan Gjyzel Hasani