14.2.08

Alkimite e vonuara (tregim)

U zgjova nga një ëndërr e tmerrshme. Më e tmerrshmja që mund të shohë një burrë: sikur ma kishin prerë deri në rrëzë. Hapa sytë dhe instinktivisht vura dorën aty. Gjithshka në rregull. Madje i erektuar në maksimum edhe pse fare pranë meje shtrihet trupi i deformuar i sime shoqeje. Ishalla nuk zgjohet dhe nuk m’a kap në flagrancë atë. Çdo ereksion i tij përbën një tradhëti bashkëshortore tashmë që ajo e di që nuk ma ngreh më si dikur. Madje shpesh, ndërsa unë fle ajo tinëz fut dorën e saj aty ku dikur vinte buzët dhe bën kontrollin e rradhës. Indirekt në këtë mënyrë ajo përpiqet të përgjojë ëndrrat e mia. Aq shumë është specializuar në këtë zeje të re saqë mendon se në një të ardhme të afërt do arrijë të përcaktojë jo vetëm moshën, por edhe emrin e shemrës së saj në ëndërrat e mia
.“Ty burrë të ngrihet veç kur je ne gjumë!”. Ky është konkluzioni i eksperimenteve të saja në vitin e fundit.Laboratori ku ajo kryen këto eksperimente është dhoma jonë e gjumit dhe krevati ynë bashkëshortor. Sigurisht që kavia e saj eksperimentale jam unë dhe pjesa mashkullore e trupit tim.Qëllimi i eksperimmenteve ka ndyshuar me kalimin e kohës. Dikur ai ishte asgjë më shumë se sa përpjekja që një grua në menopauzë bën për të rifituar vendin e saj femëror në zonat mashkullore të bashkëshortit të saj shekullor.Eksperimentet e saj të paradokohëshme përfshinin një gamë shumë të gjërë provash cfilitëse. Mjetet laboratorike që ajo përdorte varionin nga sutienat transparente e aromat afrodiziake e deri te tangat dhe spangot që ajo ia dhuronte vetvetes për çdo Shën Valentin. Por pa sukses. Dilte lakuriq para meje gjoja si padashje dhe me xheste të një lolite të vonuar mbulonte seksin e saj duke shpresuar që kjo gjë do më eksitonte, siç thuhej edhe në një manual të vjetër kinez. Por më kot. Ai rrinte kokëulur dhe indiferent nga shfaqja e rradhës.
Pastaj i erdhi rradha briskut. Pubisi i saj leshator në periudhën e fundit ka marrë forma nga më të ndryshmet. Formë zemre, formë lepurushi të playboit, formën e gërmës së parë të emrit tim ( e cila për dreq edhe pse koinçidonte me gërmën e parë të emrit të një ish të dashurës sime përsëri nuk arriti të krijonte mjaftueshem vibrime adrenalinoide të kalldrëmta në ato 17 cm rranishte…), pastaj provoi edhe formën e një oazi, por as në atë rast unë nuk u ndjeva udhëtar në shkretëtirë dhe për pasojë nuk tentova të lagia buzët në atë që më servirej si ujë i freskët. Përkundrazi, isha ngritur nga shtrati dhe nga frigoriferi kisha rrëkëllyer eturazi një shishe me ujë mineral San Benedeto.E dëshpëruar një ditë prej ditësh ajo e rruajti fare dhe ndërsa po më priste në shtrat në një pozë të ngjashme me atë të pikturës së Egon Schiele “Gruaja që pret” më pyeti: “Si të duket?”“Kujtova se kishe vënë hamsterin aty”, iu përgjigja. Hamsteri është brejtësi ynë i shëmtuar shtëpiak që e ka rrjepur pothuajse tërësisht gëzofin e tij nëpër shufrat e hekurta të kafazit. Edhe hamsteri bën pjesë te dhuratat që ajo ia ka bërë vetes së saj në një periudhë kur mendonte se unë akoma impresionohesha nga përkushtimi që gratë tregojnë për kafshët e vogla.
Një ditë mjetet laboratorike u sofistikuan dhe u bënë më bashkëkohorë: një duzinë kasetash porno mbushi dhomën tonë të gjumit, ndërsa një ekran gjigand tv 60 inçësh zuri të na bënte shoqëri nonstop , madje edhe kur gërrhitjet e mia arrinin kulmin nga ai ekran vazhdonin renkimet dhe ofshamat mjaullitëse të ca silikonfemrave bjonde.Por as ekrani nuk arriti të bëhej katalizatori me të cilin gruaja ime shpresonte të ndihmonte sadopak zhvillimin me sukses të reaksioneve bashkëshortore deri në atë çast mbi atë shtrat eksperimental
Në një rast, e nxitur nga fryma e Sartrit dhe gruas së tij, provoi edhe flirtin në sytë e mi, por pa dobi: një cift i sapomartuar të huajsh që rastisi fqinj me kabinën tonë në një kruazierë nëpër Mesdhe gjatë një jave darkoi pothuajse cdo mbrëmje me ne. Rioshja lozonjare u afrua që në fillim me mua , ndërsa ime shoqe nën zulmin e shtysave të mohuara nga 25 vjet martesë mendoi se nuk do ishte ide e keqe zgjimi i xhelozisë sime të dikurshme dhe keshtu nisi të hargalisej me gjysmën mashkullore të ciftit në fjalë. Por ndërsa një mëngjez mbi shtratin tonë po sillnim ndërmend natën e kaluar kur unë dhe rioshja ishim zhdukur pa lënë gjurmë në pretendimin se kishim qenë në diskon e anijes,dhe ata të dy thjeshtë kishin bërë blah blah blah edhe pse ime shoqe kish pritur që flirtin ta gatuante sa me ndershmërisht të mundej në sytë e mi, unë i kisha kumtuar një detaj asgjësues të planeve të vonuara flirtuese të saj: “Grua e dashur, ai cuni eshte gay.”“Po ti ku e di, ë?”“Më tha ajo mbrëmë në dehje e sipër, ndërsa po kërcenim”
Kështu…erdhi momenti kur eksperimentet devijuan qëllimin. Nga vëzhgimet e saj të pasmesnatës gruaja kish mësuar se një fuqi magjike dhe e panjohur bënte lehtësisht atë që nuk kishin arritur ta bënin dot një vit eksperimente të shumta të saja: ai ngrihej çdo natë! Tek e shihte ashtu të fortë dhe kryeneç ajo kish ndjerë çdo herë tundimin vrastar për ta prekur dhe përkëdhelur si dikur, por një dallgë xhelozie e kish ndaluar ta bënte atë gjë. Edhe pse epshet i drithëronin majat e gjinjve të mëdhenj përsëri ajo i kish rrezistuar tundimit. Ish mjaftuar veç me një të shtyrë mua duke më thënë ”Boll gërhite!” dhe sapo kish parë që unë kisha vazhduar i qetë gjumin tim kish vazhduar observimin e vet të rradhës…
Pastaj erdhi ajo ditë kur, ndërsa po hanim mëngjez, ajo ma kish përplasur në fytyrë:“Ty burrë të ngrihet veç kur je në gjumë! Dhe jo vetëm kaq, por sigurisht ajo që ta ngreh nuk jam unë!”
Konkluzioni i eksperimentit ishte pasuruar me një fakt të ri tashmë.Sytë i shkrepëtinin, por jo me atë dritën iluministe të një alkimisteje të suksesshme, por me atë feksjen verbuese të nje magjistrice që gjithnjë pretendon se di diçka më shume…E kisha parë në sy gjatë, por nuk i kisha folur. Më vinte keq për të. Kish qenë vërtetë një femër shumë seksi dikur dhe kjo “dikur” dikur do mbaronte natyrisht…
Pse vallë një grua e ka të vështirë të pranojë që te mashkulli ca gjëra funksionojnë ndryshe në kohë të ndryshme? Kaq të vështirë e ka ajo të kuptojë që ai nuk ngrihet nga asnjëra, por thjeshtë ngrihet vetë kur e sheh të arësyeshme…? Diçka e pavullnetshme e ngjajshme me zemrën te femra. Rreh pa asnjë urdhër…
Ndërkohë ngrihem nga shtrati, bëj një dush dhe vishem e parfumosem. Ora po i afrohet nëntës dhe Megi duhet të jetë duke më pritur në zyrë me buzëqeshjen e saj..te pavullnetshme…


©artangjyzelhasani

13.2.08

Gjurmë në rërë… (fragmente)

Me atë që mbeti… me lëkurën time mbështjellë.
rinisem për në udhën e gjatë pafund...
në vitin e brishtë të jetës sime…
me javët që m'i dhuruan pa të shtunë…

.....................................................................

Pas meje edhe ca rërë të lagur...
për amatorë kështjellash po lë…
(në u rrëzoftë mos fajësoni vec rërën:
mes saj gjurma ime fle …)

....................................................................

Thërrimet që pyllit më ranë
të shtunave të tyre le t'i ndajnë
minj të arratisur nga gjirizet
rreth zjarrit që nis e ndizet...
kur pishës degëthyer t'i hiqen si ketra
............................................
Brigjeve të së nesërmes thyhet
një shishe pa mesazhin brenda…

Femije te rritur...

Trokita përsëri te derë e mbyllur
e vizatimit që im bir bëri në fëmijëri...
(s'e mbani mend? një shtëpizë me të mbyllurën derë...)
dhe nuk munda ta hap përsëri...

Nuk e di nëse nesër im bir do arrijë...
atë portë të mbyllur ta hapë i gëzuar...
në shtëpizën e vizatimit të tij
shoh që edhe brava mungon...harruar...

Të dinë fëmijët dicka më shumë?
Dicka që ne e mësojmë në pleqërinë e heshtur…
(Por nëse është kështu, përse vallë
Diellin gjithnjë ata e vizatojnë të qeshur…? )

(shtator, 2007)

Keqkuptim i ëmbël...

Sonte paskam nevojë për dicka të re...
qoftë edhe për gënjeshtrën tënde...
Më thuaj "të dua"
dhe bëju keqkuptimi im i ëmbël deri në mëngjez...
Jo gjithmonë të kuptuarit ka kuptim
..................................................... .......
Buzëqeshja e Mona Lizës vret adhuruesit e saj...

The last subway

Trenin e fundit e lë gjithnjë të më ikë...
Eshtë i juaji njerëz...
i gjithi i juaji...
Nxitoni... hipni në të...
Eshtë i fundit...
Dhuratë nga unë
............................
Trenin e fundit e lë gjithnjë të më ikë...
Jam vetmia juaj.

Portret

Ca pika puthjesh spërkat mbi mua...
pastaj përqafohesh me erën
dhe të humbas deri në mengjezin tjeter
................................
Parfumi im në shishen e huaj...

10.2.08

Vargje jashtë mode për femra në modë...

Njoha femra që dinin vec fillimin...
njoha të tjera që dinin vec fundin...
pak njoha që dinin vazhdimin....
dhe asnjë që t'ia vlente mundin....

Një ditë të njoha edhe ty...
aq ndryshe nga të tjera
.......................................
por gjethen që ma solli një stuhi...
shkujdesur ma rrëmbeu era...

Vargje pa mbathje

Vargu im ishte i fortë dhe i tendosur
si llastiku i mbathjeve të saj
..............................
Sa herë që e zbusja
ato të shkretat i binin përdhe....

Askush s'e pa...

Kur dashuria iku lart...fluturoi...humbi...
jo si zog...por si tollumbace fijekëputur...
atje poshtë mizantropët dhe lolitat
mbi pellgje narcistësh shartonin vetmitë e tyre...
dhe përsëri në heshtje mallkonin penjtë...

All the same...

Sonte do të shkoj me një putanë të panjohur
dhe me të vërtetat e saj
do të shenjtëroj gënjeshtrën tënde, zonjë...
Eja edhe ti me ne...
Në gjysëmerrësirë do më dukeni njësoj...
Po në gjysëmdritë i ngjasoj ndopak atij?
Eja...dehmi eklipset!

?

E c'kuptim ka dashuria nëse nuk është e fshehtë...e ndaluar?
.................................................. ..............................
Nëse nuk ia di akoma shijen përvjedhjes vetmitare nën strehët që pikojnë vjeshtë...
nëse nuk ndjen thellimin e frikës të të skuqë faqet kur rrugën kryqëzon një lagjeje të huaj...
nëse nuk kupton që edhe gjëja më e ndërlikuar është në thelb aq e thjeshtë...
nëse nuk lexon dot "jetoj" aty ku është shkruar "vuaj"
...................................................... ...............................
nëse kur fustanin zgjedh në garderobë pranë këmishës së tët shoqi nuk ndjehesh fajtore...
nëse shikimit të tij mbi syzet e lodhura s'i shmangesh turbulluar...
nëse faji i përndritur brenda teje nuk të ngroh me flokë dëbore...
nëse pyetjes "është vonë...ku shkon?" s'i përgjigjesh me një mërmërimë të pakuptuar
..................................................... ...............
nëse në cdo fytyrë të rrugës nuk të shfaqen sytë e tjetrit...
nëse e tija nuk ndjehesh edhe kur ai s'ekziston...
nëse vështrimi i tij nuk të shplodh më shumë se jastëkët dhe shtretërit...
nëse para një manekineje me fustan nuseje veshur vetvetja s'të tradhëton
..................................................... ...............................
nëse puthja e paprovuar në mijëra ankthe nuk të copëtohet...
nëse pritjen në subway një violinë ruse nuk ta lëndon...
nëse përkëdhelja ndër petale lulesh "mos më prek" s'tundohet...
më thuaj ti... femra ime...vallë dashuron?

Ajo

Ajo ishte si fëmijë...
Ngazëllehej nga vetëtimë e rrufeve
dhe me dritën e tyre vishej....
Nga bubullimat arratisej tërë frikë pa rikthim...
dhe rrugën humbiste
.............................
Ajo është si fëmijë...
dhe unë shiu i ngrohtë pas shtërngatës...

9.2.08

Pa fund…pa fillim…

Ngecur e shtrembëruar…
kokë e këmbë ngatërruar…
e imja “të dua”
ndryshuar...tjetërsuar…
mes euforive të tua
si gjuha shqipe nëpër vargjet e poetëve katundarë
………………………………………
Në c'dialekt ndjen ti,
ish e dashura ime e ardhëshme ?

Gjethe në erë...

Në pranverë të përkëdhel me stuhi...
në vjeshtë të mbroj nga puhiza...

Ditë e vrenjtur...

Një re e brishtë mori formën
e profilit tënd
dhe qielli m'u duk
si një keqkuptim i ri
...............................
Ah ti erë ngatërrestare...
bastarde stuhish...
Eja fry këtu poshtë!
Shumë-shumë do më rrëzosh si të tjera herë...

nga cikli "Banquet-hall stories" nr 2

Në një hotel të lirë
One-night-stand-esh pagëzuar
vështrimet fajtore përkëdhelin liqenin
harruar…harruar…
mbi një shtrat gjarpërojmë...
të dy të martuar,
por jo me njëri tjetrin…

Vonë…vonë…nga dhoma dalim
tërë ankth…tërë siklet…
mendojmë…mendojmë…
asnjë fjalë nuk flasim…
hapat kanë frikë nga gjurma e vet….
një unazë na pret
atje ku përkasim…

“Kjo është herë e fundit…”
premtim i pëshpëritur...
por fundi s’paska fund,
por vetëm fillim…
prej shekujsh digjemi
epshesh përzhitur…
premtimet gjithnjë
mbarojnë me një rënkim…

Por në fund të korridorit ndjehemi më mirë
ashtu sic iku…
qetësia prapë vjen…
kur mbi derë të banjës lexojmë të lehtësuar
dy fjalët e harruara
“LADIES”… “GENTLEMEN”…

7.2.08

nga cikli: “Banquet-hall stories”

Mbrëmë për në shtëpi më përcolli një e huaj
e brishtë dhe seksi si makinë e saj
“Ku banon?”
“Dy cigare më larg…”
“Aha…e kuptova…qënkemi afër shume…
E sheh atë hirin që akoma nxjerr tym?
Dy puthje më tutje banoj e vetme unë…”
Mbrëmë për në shtëpi më përcolli një e huaj
tunduese dhe seksi si makinë e saj
“Zotëri, a ke emër ? “
"Unë…unë…?
S’e di…Vallë ka rëndësi?
Po ty si të pëlqen të të quaj?”
“Më quaj frymë…nëse ajër quhesh ti…”
Mbrëmë për në shtëpi më përcolli një e huaj
me gjinjtë kabriole si makinë e saj
era që frynte flokët e gjatë ia hidhte
mbi fytyrën time…
dhe ah…pastaj…pastaj…
asgjë pastaj…pastaj…
“Arritëm?”
“Arritëm…”
“Natën…”
“Natën…”
“Ah…E di pse të përcolla?
M’u duke fytyrë e parë…
Më fal…
Ndoshta ndër ëndrra…
ndoshta ndër vegime…”
“Oh s’ka gjë vogëlushe…
gjëra që ndodhin…
Tashmë fytyrë e parë i dukem edhe gruas sime “

Njerëz të lirë dhe njerëz të cliruar...

Pak janë njerëz të lirë në këtë botë pa skllevër....
Shumica janë të cliruar...
Ua dalloj shenjat e prangave në kycet thatanike...
E dëgjoj zhurmën metalike të zinxhirëve që lënë pas në zvarritjen e tyre...

* * *

Ata nuk ecin, por zvarriten...
Nuk dinë të ecin.
I pengon ajri më shumë se hekurat
...........................
Mikja ime,
jam ajër
ndaj druaj se mos bëhem pranga jote...

Toronto... Toronto ...

Mes parqeve të pafund të këtij qyteti
zonja Përditshmëri i mbjell pranverat dhe vjeshtat në të njëjtën pemë...
Turma i gëzohet hijes së saj
..............................................
Sa më shumë rralloj cigaren
aq më shumë ndjej mungesën e aromës së luleve...

Ora zero

Tashmë është vonë…
Arrita kaq shpejt.

Natyrë e qetë në ap. 342

Një foshnjë qan një kat më lart…
Një cift rënkueshëm pallohet një kat më poshtë…
E shtrirë mbi shtrat ti shkul një thinjë nga seksi yt
dhe i buzëqesh një pranvere imagjinare
…………………………………………..
Pritja, një monalizë larg teje,
flirton kalendarët….

Ti nuk e di…

Ti nuk e di c’do të thotë të fshehësh lotin
që një mbrëmjeje rrokulliset faqes tënde të fishkur
ta strukësh mes rrudhave që vec vetmia t’i përkëdhel
e kokën mënjanë të kthesh kur të gjithë kanë ikur…

Ta fshija mundja, por vallë a kishte vlerë?
Kujtimet kush tej i flaku dhe i harroi?
Loti i derdhur i njëjtë s’është dy herë…
por përdhe kur ra, vështrimin s’ma mjegulloi…

Mes muzgjesh sa herë ia fsheha lotin birit tim…
sa herë ia fsheha sime mëje kur të sajat u derdhën…
sa herë ia fsheha asaj që iku pakthim…
dhe kurrë nuk ua tregova atyre që më pas erdhën…

Ti nuk e di c’do të thotë të fshehësh lotin
kur as qerpikët e shpirtit më nuk e mbajnë dot
……………………………………..
Një ditë edhe vetvetes ia fsheha,
por veten kurrë s’ia fsheha të rëndit lot…

Ditë shiu…

Bie shi, por nuk shoh pikat e tij…
Qerpikët e tu paskan etje…

Një mikes sime në prag të përvjetorit të dyzetë…

Të bëhesh dyzetëvjeçare nuk është fundi i botës, mikja ime...
Notarja do kthehet në breg përsëri
dhe do u tregojë kurreshtarëve të rastit
se çfarë kishte në anën tjetër të lumit…

Veneciat…

Kanë kaluar shumë vite që atëherë…
Koha ka përmbytur katet e para të kujtimeve…
Pëllumbat kanë mbetur po të njëjtët…
veçse…një kat më lart…
Qielli pikon re të bardha aty ku mungon shëmbëllimi yt…
I vetëm lundroj në Venecien e mallit tim
……………………………………………..
Kanë kaluar shumë vite që atëherë…
Koha ka përmbytur katet e para të kujtimeve
dhe lopatat e gondolës sime…

Bota juaj…

Më vret mirësjellja juaj dinake teksa përtypni cimcakëz të markës “Mea culpa”…
Më trishton mungesa hipnotike e xhelozive …
Më tret kalkulimi juaj aq i përpiktë i të dashuruarit në castin e duhur…
Më tmerrojnë pasionet që një makinë llogaritëse
i tërheq zvarrë si Akili kufomën e Hektorit…
Më shembin… më dërmojnë fytyrat tuaja në formë portofoli...
vështrimet e qelqta të syve të bërë synet
dhe duart tuaja të bardha ku dielli kurrë s’ndalon
…………………………………..
Po gjaku…gjaku c’pësoi vallë?
Dhe gjakut i keni vënë silikon?
………………………………….
Mallkuar…mallkuar delikatja bota juaj…
dhe skërmitja që ju e quani dashuri…
I harruar tymos dhe në heshtje vuaj
si cigan që i kanë vjedhur Danubin e tij……

6.2.08

Natyrë e qetë…

Tashme gjithcka shkon mire
dhe njerezia jeton e lumtur...
parajsat klonohen ne tregun e zi...
sketerra serviret pa djallin...
.........................................................
Nje polici e padukshme ndertimore prish
Rrathet e Dantes.

Zjarri...

Jam zjarr...
Nuk me shuajne dot...
Me vjedhin...
Prometejte e mi digjen rruges
pa arritur te me falin askund...

Deheroizëm...

Heronjtë lindin të plagosur...
kthehen në mite të damkosur
........................................
Turma ua mjekon plagët
për t'i rivrarë më pas...
pa plagë.

KUSH NGA NE E DI…?

Cfarë do të jetë casti tjetër
askush nuk e di
e s’do ta dijë kurrë,
një pikturë anonime
që e varim apo e heqim
në të njëjtin... të vjetrin mur…
puthje e ëmbël
dhe një dorë e vockël
që abazhurin fik me delikatesë
apo psherëtima e të ftuarit të fundit të një kortezhi
që duke u larguar
një qiri ndez me përtesë…

Rutinë

…në qerpikët e kësaj bote ngecur jam
dhe lot më duket pështymë e saj…

Epitafi i dikujt që kërkoi perfeksionin në dy gisht gjë…

(kujtimit të M. SH. )

Vite me rradhë për të deshifruar dashuritë e paqarta…
humnerave në litarë dyshimesh kacavjerrë...
stuhi pasigurish duke përballuar...
greminave lule ëndrrash duke mbjellë...
në dete përgjimesh një jetë të tërë lundruar…
Të jetë kështu apo ashtu?
Pse dhe Si e Qysh duhet të ishte?
Castet përhumbur në Kur e Ku …
Deri në ditën kur jetë më s’kishte…
Kjo s’bën kurse ajo s’është për mua
dikë tjetër ka pasur…
duket që nga sytë
kjo nuk është e bukur dhe ajo eshtë e shëmtuar…
kjo tjetra shpirtkatran...ashtu do i kete edhe gjinjtë”
Gjithnjë i koklavitur…gjithnjë i ngatërruar
i luhaturi i përjetshëm…gjithnje i gabuar
te zonja pa putanën e padëshiruar
te putana kërkoi dikë për t’u martuar…
…………………………………………..
Tërë jetës e ëndërroi veten e tij dhëndër
dhe tërë jetën femra i mbeti vec ëndërr…
Një ditë iku nga kjo botë dhe miku im,
mes ëndërrave shterpe brune dhe bionde
iku dhe dëshirat i mbetën mbi mermer
“Ti e panjohur që kalon para varrit tim
do vish të pallohemi sonte?”

Më thua…

Më thua që do të më falësh gjithshka, vogëlushe,
Më thua që lotin tënd vesë të mëngjezeve të mia do e bësh
dhe margaritat e gjinjve të tu margaritarë të zgjimit tim do bëhen…
Më thua që altari i fundit i mëkateve të mia do të jesh
dhe epshi yt herezia e fundit e një pendestari…
Më thua që për ty unë do të jem ëndërra…gjumi …zgjimi…
ethja…magjia…tundimi…
Më thua që për mua do të jesh dallgë…
e kur të dua…edhe fije bari …
Më thua e cfarë nuk më thua…
më thua që e imja do të jesh përherë
Më thua që për ty vec unë do të jem ai…
………………………………………………..
I plakur nga rinia jote unë hesht dhe nuk të them:
“ Kush ish i lumtur njëherë, nuk lumturohet dot përsëri…”