7.2.08

Ti nuk e di…

Ti nuk e di c’do të thotë të fshehësh lotin
që një mbrëmjeje rrokulliset faqes tënde të fishkur
ta strukësh mes rrudhave që vec vetmia t’i përkëdhel
e kokën mënjanë të kthesh kur të gjithë kanë ikur…

Ta fshija mundja, por vallë a kishte vlerë?
Kujtimet kush tej i flaku dhe i harroi?
Loti i derdhur i njëjtë s’është dy herë…
por përdhe kur ra, vështrimin s’ma mjegulloi…

Mes muzgjesh sa herë ia fsheha lotin birit tim…
sa herë ia fsheha sime mëje kur të sajat u derdhën…
sa herë ia fsheha asaj që iku pakthim…
dhe kurrë nuk ua tregova atyre që më pas erdhën…

Ti nuk e di c’do të thotë të fshehësh lotin
kur as qerpikët e shpirtit më nuk e mbajnë dot
……………………………………..
Një ditë edhe vetvetes ia fsheha,
por veten kurrë s’ia fsheha të rëndit lot…