31.7.11

Prushi i fundit


me  shumë mundim e  ndezëm  dhe qymyrin
barbekjuja  është gati…jemi në piknik…
do  piqen gjërat dhe pas pak do hamë
do bëjmë shaka
do shkrihemi  së qeshuri
do pimë  dhe birrë nganjëçik…

 e pastaj do më rrëfesh  kur ishe  e  vogël
që  zjarre te  ndizje  te  pëlqente…
sypërlotur  tymit  i fryje…
flakës  i gëzoheshe… lumturoheshe
teksa  krande  mblidhje  zabeleve
hareja  bubulake   përflakte
netët  plot yje pranvere…

e unë buzën do  vë në gaz
do ndez një cigare…edhe një tjetër…
e në mendime  do bie më pas
dhe  nuk  do të  të them se
sa shumë më trishton ndezja e zjarrit…
vdekja e flakëve në përcëllim
…………………………………..
çdo zjarr  që  dikur ndizja   shkujdesur,
shuante  diçka në shpirtin tim…

dhe nuk do të të them se
s’më dëshpëron hiri i zjarreve  të shkuar
por prushi që  dimrit digjet  në mangall
teksa  e shoh  të shuhet…të shuhet
e  flakën të gëlltisë  ngadalë
zvogëlohet…plaket…rrudhet…
ashtu… dritëmekur jep shpirt…
ashtu…në heshtje…pa fjalë…
e  nxitoj të shuhem para tij…
e të shkoj  i ngrohtë në atë botë...
a ndoshta të shuhem bashkë me të…
ta  rindez  më  s'mundem dot…


(27 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

Një poezi e kotë si përtesa…


është verë e nxehtë  dhe kotësi e madhe sot
dhe
ndërsa moshataret e tua  në bikini
pozojnë  në ajër
me këmbë e krahë  hapur
dhe  fotografojnë
sandalet e tyre
thonjtë…
unazat…
hijet …
ti vajzë e panjohur
mbështetur  pas shezlongut  tim
diku buzë  liqenit
kërkon ta bëjmë aty…
në mes të rërës…
në zheg  të  vapës...
në pikë të diellit…

është verë e nxehtë…
mesditë
vapë
dhe kotësi e madhe
e  për seks  nuk paskam oreks…
e panjohur  që  adhuron poezitë e mia,
poetët  takohen veç në mbrëmje…

(por ka qenë një kohë
kur  isha rreth të pesëdhjetave
pushimet  i bëja  në  Meksikë
jetoja në  Toronto…
tymosja puro kubaneze
cigare të forta  “Camel”
pija  konjak të  lirë  francez...
si gjithnjë me Gabrielën i dashuruar
gra të dëshpëruara  flirtoja
në shi dhe në vapë…
rënkoja  poezi në shqip
dhe nuk isha  si sot  kaq  dembel…)

e sot ti  kërkon të  zhytesh te unë
ashtu… tradhëtisht…
si  kujtesa kur  dëshiron të  harrojë…
e  unë përtoj të të them
“është  thellë  aty
do humbësh mes vargjesh…
do mbytesh, vajzë,
e s’do ketë kush të të shpëtojë…”

është verë e nxehtë
dhe kotësi e madhe sot, vogëlushe,
shumë vapë  për  pasione  të forta
shumë  djersë  për  ndjesi delikate
por ti më puth…
më thith…
më kafshon…
eturazi më  puth prapë
…………………………..
të dorëzohem  dhe  përtoj  të të them
që një poet  nuk mund të jetë kurrsesi
më i  bukur se poezitë e tij…
sidomos në mesditë…
sidomos në vapë….


(12 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

17.7.11

Ndryshe nga ty, miku im...


ndryshe nga ty, miku im,
i pasur nuk u bëra kurrë…
në majë  të  piramidës
s’u ngjita dot
se nuk isha shqiponjë
e as kërmill natyrisht…
dhe nuk arrita shumë në këtë jetë
që nganjëherë  pothuajse miqësisht
për pak sa nuk më mbyti…
……………………………………..
ndryshe nga  ty, miku im,
nuk arita  shume në këtë jetë…
me vargjet e mia kam bërë   poezi
dhe  ndonjë grua  të dashurojë  për së dyti…


(3 Korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

12.7.11

Dashuri acide


duhet të  ishim dashur më pak,
por nuk mund të bënim dot ndryshe…

të   thërmova me pasionin tim…
rërë  të  bëra…
dhe pastaj
si deti  bregun
plot  dallgë e shkumë
baticave  të mia të  fajsova
për  kështjellën  që s’ngrihej kurrë…


(1 korrik, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

4.7.11

Nuk ditën të shkruajnë për ty, femër...


nuk ditën të shkruajnë për ty, femër…

ata pak që  dinin i mbyti morali
etika
mirësjellja
syri i tjetrit
hipokrizia
frika…

shpikën për ty  fjalë të reja
dhe stisën  vargje që nuk i kuptonin as vetë…
kurse të tjerët  s’mund të shkruanin për ty
se s’të njohën dot kurrë edhe pse  njëri tjetrin
shanin e mallkonin në emrin tënd…

i kënduan dashurisë tënde
por jo dëshirës …
i kënduan pasionit  tënd
por jo epshit…
i kënduan puthjes,
por kurrë orgazmës…
i kënduan marramendjes,
por jo ekstazës...

u kënduan  syve të tu
e vështrimit tënd  të paharruar…
buzëve
duarve
flokëve
supeve
gjinjve
por kurrë  piçkës hyjnore
që mes kofshëve  të tua  rrotullon një botë  të tërë
vetëmohimesh  të  dyshimta  turbulluar…


i kënduan gruas  në ty
të  dashurës
motrës
bijës
shoqes
mikeshës
nënës… monumentales…
por kurrë  femrës…
asaj…
të padukshmes
të  panjohurës…
spontanes…
hormonales…

* * *

por le  t’i harrojmë  ata
në  moralin e tyre të bujshëm…
në etikën e tyre sqimatare…
të vonuar si  shtojcë  “korrigjim gabimesh”
në faqen e fundit  të librave të dikurshëm…
bezdisës  si era e squfurit ne stacionet balneare...

dhe lejomë të të rrëfej se
mua ma ka qejfi me ty

por  dua të ta them
jo edhe aq poetikisht mes vargjesh
dhe për të  të impresionuar sadopak
në këtë botë lustrafine  plot  varak
mund të kërkoja ndihmën  e fjalëve të  ndërlikuara
të fjalorëve
enciklopedive
të  filozofëve dhe të  perëndive
e te te mahnisja
të të  godisja
të të hutoja
me   gjerdane metaforash
karmogjeobioteknopsikoagrofilozofike,
por jo...

mund të ta thoja me  gjuhën plot  etiketë
i ndrojtur si ngjyra  rozë e lehtë
me rrokjet e kollarisura  rrokullisur
mbi gravata fjalësh
por jo…

mund të  ta  thoja me varg  hermetik
ku nënkuptimet të pashpresa
të lodhura si gratë e revolucionarëve
përgjojnë  orëve të vona  të papriturën
dhe hapjen e derës,
por jo….

jo

sepse ti e di që unë…
që unë gjithnjë jam aq çmendak sa të kuptoj
se  në  të vërtetë gjërat janë shumë më të thjeshta
për aq kohë sa  ne  të dy
jemi ti dhe unë  e asgjë më shumë
ndaj dua  të  të them  atë që ke  qejf  të shijosh…
ashtu siç  dëshiron ta  dëgjosh…
pa zbukurime patetike
pa metafora  idioteske ndërplanetare
pa aliteracione  teknologjike …
apo ekuacione erotike   ku ti  je gjithnjë X-i  fajtor
që herë  gjendet  kollaj…
e herë  s’ia vlen të  gjëndet…

me gjashtë  fjalë të zakonshme…
gjashtë
si  gërmat në fjalën dashuri
dua  të të them  thjeshtë e saktë :
“ma ka ënda  të qihemi bashkë …”
pa le  të brengoset etika globale  paskëtaj
bashkë me  ata që  s’ditën kurrë  të shkruajnë  për  ty
ata që  s’mundnin…
e ata që u përpoqën sadopak…


(19 Qershor, 2011)
©Artan Gjyzel Hasani

Gravitacionale


 do vijë një ditë
kur nga mungesa e peshës
shpirti do më  rëndohet
dhe asnjëra nga gratë
që në shtratin tim fjetën...
për mua s'do të ketë më rëndësi…
të ligjshme
të paligjshme...
vejusha...
virgjëresha...
të dashura
dashnore...
perëndesha...
kurva...
karakurva...
të një nate…
bashkëshorte...
të miat
të tjetrit...
të egra…
të urta...
zonja...
mantenuta...
putana...
prostituta...
që  prehjen torturuese në krahët e mi gjenin...

do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
ti GRUA  që të femërova me hijen time mbuluar...
do mbetet   mendje e cmëndur që s'mban mënd asgjë
dhe rafteve  të  harresës  kujtimesh gdhendur
vargjet  mëkatare që për ty   kam shkruar…
……………………………………
do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
dhe po atë ditë kam për të vdekur...


©Artan Gjyzel Hasani