28.6.09

Zgjimet e një gruaje të jashtëzakonshme dhe të dashnorit të saj...

Ty të del gjumi gjithmonë para meje, grua e jashtëzakonshme…

pas shpinës ndjej ngrohtësinë që veç ti di ta japësh…
gjinjtë e tu të vegjël e të ngrohtë…
duart e tua delikate nën sqetullat e mia…
gishtërinjtë e tyre mes gjoksit tim leshator ku digjen
rrufepritëse
rrëzë veshit puthja e butë mërmëritëse…
prangë e kofshëzës tënde mbi timen keqazi përdredhur…
Bibl’ e Kur’an në zjarr të ferrit hedhur…
oh ekstazë kapitulluese...
medet…falmë o Zot
ç’ rrënqethje kapitëse...
rënkim…


goja jote…
e avullt…
e ngrohtë…
e nxehta goja jote…
(hënë që lëpin honet e plagë greminash diku mbi qafen time drakulon,
aty ku sipas grekërve të lashtë kalojnë të gjithë pasionet)
më bën prenë më të dëshirueshme të dhëmbëve të mprehtë
kafshim që më bën të ndjehem çdo ditë i porsalindur…
demonët e mi të tundimit -skllevërit e tu…
skllevërit e tu të bindur;

pas meje puthitur ti kafshëz e zjarrtë
me gulçet epshore lëkurën më rrënqeth
spazmat e barkut mesit tim lëshuar,
Venusi yt dritëhijesh pyllëzuar
pas kofshëve të mia rënkueshëm ngjitur,
njëra dorë -
fallxhore mbi fallus fallin hedh,
tjetra …
me ndihmën e thonjve-kthetra
pasi shëtit fytyrën
gushën,
hundën,
sytë e mi të mbyllur,
lehtë...lehtë ndalon te mjekra
e parruara mjekra ime…
e paharruara… dhe… me një lëvizje energjike
e kthen nga vetja
dhe pastaj
ah pastaj…
ventuza e llahtarshme e gruas në zgjim
etshëm, papërballueshmërisht ëmbël,
ëmbëlsisht pa kthim…
lëshon në trajtën e një gjuhe
të butë...
të lagët...
të thellë...
tërë magjinë në gojën time gjysëm të hapur
në gojën time që veç arrin të lëshojë një rënkim
dhe
t'ia falë pafundësisht tërë hapësirën e saj
zjarreve të tua, grua e jashtëzakonshme,
syve të tu që në atë orë tunduese më ngjasojnë me dy liqene jeshile
kaltërsisht jeshilë
ku dy rrathë të zjarrtë ngjyrë portokalli
mbrojnë besnikërisht dy rubinë të zinj
në të cilët pasqyrohet prej kohësh
oh sa vendosmërisht
përgjumja,
zgjimi
dhe
imazhi im.

Pastaj… kthehem nga ty…

pastaj…dreq o punë…
zilja e orës dhe unë…
vazhdimisht unë dhe i njëjti unë
nga gjumi i gabuar zgjuar
diçka nëpër dhëmbë mërmëris
tërë orëndreqësit e kësaj bote duke mallkuar,
Zvicrën,
akrepat
të madhin
të voglin
dymbëdhjetë numrat
gjashtëdhjetë vizat
dhe veçanërisht atë gjënë e vockël që orët kurdis…

21.6.09

Mosrastesi e rastesishme

Gjithshka është çështje Rastësie, miku im
çështje Mosrastësie…
Rastësisht ti nuk je fëmija që u vra sot nga predha
Rastësisht ti nuk je sot në karrigen elektrike
Rastësisht ti nuk je sot piloti bombardues
Rastësisht sot ti nuk je aty ku vriten dhe vrasin
Rastësisht sot unë po shkruaj këtë poemë e jo nekrologjinë tënde
Rastësisht ai
Rastësisht ajo
Rastësisht ata…ato…
Rastësisht te gjithë ne
që mburremi se
AKOMA
nuk jemi vrasës,
hajdutë,
dhunues,
përdhunues,
zjarrvënës,
helmues
në kurriz të Mosrastit.

Por nëse jo rastësisht
të vjen për të mos vrarë,
për të mos vjedhur,
për të mos dhunuar,
për të mos përdhunuar,
për të mos helmuar,
për të mos djegur,
atëhere shko në një lëndinë, miku im,
këput një manushaqe
dhe mbille aty ku nesër do të jetë varri yt,
i shkrumbuari,
i vjedhuri
i dhunuari
i djeguri
i helmuari
varri yt.
Dhe mos harro:
Jo gjithnjë lulja është syri i virtytit.
Më shpesh është perçja e vesit.

14.6.09

IKJA

Rend,rend në udhën tënde
pa patur frikë se dikush
mes lotësh do të të kërkojë
e mes gulcesh emrin tënd do pëshpërisë!

Rend,rend sa më larg kësaj bote,
sa më larg kësaj turme pa vlerë,
sa më larg kësaj gostie shekullore
ku prej kohësh dolli për ty
s’kujtohet askush të ngrejë…!

Arratisu, or mik...larg...oh... shumë larg,
atje ku s’do të të arrijë më asgjë,
as malli e as kujtimet,
as urrejtjet e as mallkimet!

Dhe kurrë mos u kthe,
kurrë vështrimi yt të mos bjerë
mbi pluhurin që lë pas…

Përndryshe,
në u kthefsh,
do të të kujtojnë aq shumë
sa pluhur do të bëhesh
nga kujtesa e tyre
vrastare.

(1988)

CIGARENGRËNJA IME

Lërmëni ta thith deri në fund cigaren time ,
se nuk e tymos për ju,
Krijesa të Kotësisë…
Nuk ua shkund hirin
në veshët e shurdhër,
Nuk e fik dritën e saj
mbi sytë tuaj të verbër…
Tymi i saj kurrë nuk do t’jua bëjë
gri
ëndërrat tuaja pa ngjyrë…
Lermëni ta thith deri në fund cigaren time,
të vetmen gjë të kësaj bote
që digjet vec për mua ,
të vetmen që ju kurrë s’mund
Të m’a dhunoni,
përdhunoni,
tjetërsoni
në pamundësinë tuaj mjerane
për ta bërë atë
cigaren e fundit
të një të dëshpëruari…
Lermëni ta thith deri në fund cigaren time…!
Nëse hiri i saj është më i pavlerë
se dylli i veshëve tuaj -
do ta gëlltis…
Nëse drita e saj ju errëson-
do ta fik diku brenda meje…
aty ku takohet
trupi me shpirtin…
Nëse tymi i saj ua turbullon
ëndërrat mendjelehta
do ta thith të tërin
Genin e Lumturisë të më shkatërrojë…
Dhe …do të pres ,do të pres
jashtëqitjen e cigarengrënjes sime
të plehërojë
Shkretëtirën e Virgjër të Shqisave Tuaja
dhe
Oazin Tuaj të Tharrë të Ëndërrimit
ku skeletët tuaj infantilë
një ditë do të përpiqen
të lajnë,
të shplajnë,
të riaktivizojnë
Gropat Bosh të Syve Tuaj –
përpjekja e Fundit
për t’i shpëtuar
Ëndërrzgjimit Tuaj të Llahtarshëm…

(1988)

ËNDRRA LYPSARE

Një ëndërr plakë,
një ëndërr lypsare,
më zë pritë cdo natë
në të dhomës dritare…

Dicka më kërkon,
dicka i kërkoj,
dikë më kujton,
dikë i kujtoj…

Herë më kërkon ajo,
herë i kërkoj unë,
të dy të natës lypsarë,
unë ndoshta më shumë…

Lypsarë të përjetshëm,
ushqim ëndërrimin,
sa herë i fala gjumin,
aq herë më fali zgjimin…

(1996)

E SOTMJA IME

E sotmja ime...e sotmja ime
që kurrë s’dita ku të të lë,
tek ëndrra e vjetër që u bë thërrime
apo tek e reja që natën në gjumë më vë…

E sotmja ime...e sotmja ime,
e vetmja që më plak...e vetmja që më rinon,
e vetmja që marrëzisë më hedh në fluturime,
e vetmja që kotësisë të pavlerë më lëshon…

E sotmja ime...mikesha ime e mirë,
sa herë më buzëqeshe, sa herë më thinje,
sa herë të ishe ndryshe...sa herë...kisha dëshirë
e kurrë s’të lëshova, e vetmja mikja ime…

(1996)

CAST

"Këtu ku jetoj
lulet janë të bukura,
por pa aromë...", më the
dhe ndërmend më erdhën
dashuritë e shkuara...

SHPIRTI KURVËRUES

Shpirti kurvërues
papritur bëhet re,
reja e nxirrosur
kthehet në shi
dhe shiun e merr era
dhe e hedh
te ti...

Shpirti kurvërues
bëhet edhe lule
që çdokush nuhati
me kënaqësi,
vjeshta pastaj e thau,
e vyshku,
e hodhi
mbi faqen e ditarit
që mban mbrëmjeve
ti...

Shpirti kurvërues
nganjëherë bëhet lot
dhe loti sa shpejt
fjalën e bën dhimbje,
dhimbja thikë përsëri
ngulet mbi ëndrrën
që netëve pret
ti...

MAGJISTARI

Të prek nga shumë larg
dhe bëhesh...qelq
me vargjet e mia brenda...
Të prek edhe pak
dhe behesh…flakë
ku digjesh ti dhe shpirti yt binjak...
O Zot ç'magji! Të prek përsëri
dhe ti s'je me ti.
.............................
Fjalët rrugën e heshtjes nisin...
ca thyhen si qelqe....
të tjera si qelqe ndrisin...

DASHURIA

Dashuria është një
aksident,
përplasje,
devijim,
greminë,
rrëshqitje,
viktima,
njerëz që kërkojnë provat
nga vendngjarje,
kurreshtarë ngatërestarë,
dëshmitarë okularë të verbër,
gjithmonë të verbër.
Dashuria është një
aksident,
pasojë e rrugës së keqe,
e rrugës së lagur,
e shpejtësisë,
e ngadalësisë,
e parkimit në vend të gabuar,
e krahut të gabuar,
pasojë
e motit të keq,
e shiut a stuhisë,
mjegullës a verbërisë
apo
pasojë e një gote më shume
në një dëshirë
për t'u dehur një natë të ftohtë...
Dashuria është aksident...
një autombulancë gjithmonë
e vonuar
transporton viktimat
ca për në martesë
e ca për në
reanimacionin
apo morgun
e saj.

ATILA...

Romat e mia shkaterrohen lehtesisht
nga mengjezet zhgenjyes
te pasdehjes...
Romat e tua rindertohen gabimisht
per t'u rishkaterruar
oh sa gabimisht
muzgjeve te nje perendimi
te dyshimte
te horizonteve pa emer...

RRJEDHJE…

Derdhem drejt teje…rrjedh
po përse…vallë përse
përmbytur mes ujrave te mia
akoma për ujë etje ke…?

Derdhesh drejt meje…rrjedh
po përse…ma thuaj ti…
ujërat e tua të kristalta
te unë arrijnë ngjyrë gri…?

Në ç’baltë kalon lumi yt,
Kush dhjet dhe urinon në të?
Aty ku kaq kohë shuajta etjen
të pi ujë tani s’guxoj më…

Të çpërbaltja ujërat e tua
përzjeva me to lumin tim,
por..ah…më kot shkoi kthjelltësia e tij…
duhet të derdhesha mbi burim…

Dhe një ditë ashtu si pa kuptuar
dy lumenjtë tanë u bënë njësoj,
fajin që dikur hodha brigjeve të panjohur
tashmë mes ujrave tona e kërkoj…

Lumin TONE…tashmë aq të turbullt
kundër rrjedhjes notojmë dëshpëruar
drejt burimit të dikurshëm do arrijmë
apo jemi notarë të vonuar…?
……………………………………………..
Tashmë rrjedhim të DY drejt NESH…
drejt NESH derdhemi të DY
në lumin TONË notojmë,
por edhe mund të mbytemi…e di ?

(2005)

Det i vdekur...

Çdo ditë vdes nga pak në këtë shtëpi
dhe ndjehem hmmm…ndjehem hmmm
pa ty…
kaq kohë pa qarë…kaq kohë pa marrë
kaq kohë pa dhënë...kaq kohë pa prekur…
dallga bëhet valë e vala bëhet shkumë
në sqep të pulëbardhës që ikën dhe si unë
edhe ajo ndjehet hmmm…ndjehet hmmm
……………………
Cdo ditë vdes nga pak në këtë shtëpi...
fëmija ynë është rritur...të ngjason shumë ty...
dhe pyetja e tij “Kush e vrau Detin e Vdekur?”
si dikur, edhe sot pa përgjigje ka mbetur...

1.6.09

Makabre?

Mbi nje varr te ftohte...
te akullt...
te mermerte
te nje Qytetari te Panjohur
do doja te merrja virgjerine tende, vajze...
dhimbshem...
trendafil i pergjakur...
perpelitshem...
petal i pahapur...
nen hije qiparisash
epshperflakur...

Mbi vdekjen te vdisnim vdekjen tone
te neserme...
eja vajza ime gjimermer...
jepi jete varrezes...
beje te harreshme...

Eja...m'i zgjo enderrimet...
qetesine nates t'ia prishnin
trokitjet e mia mbi ty
dhe varreve
renkimet.

Eja...
mos ki frike...
eshte varri im.