Ty të del gjumi gjithmonë para meje, grua e jashtëzakonshme…
pas shpinës ndjej ngrohtësinë që veç ti di ta japësh…
gjinjtë e tu të vegjël e të ngrohtë…
duart e tua delikate nën sqetullat e mia…
gishtërinjtë e tyre mes gjoksit tim leshator ku digjen
rrufepritëse
rrëzë veshit puthja e butë mërmëritëse…
prangë e kofshëzës tënde mbi timen keqazi përdredhur…
Bibl’ e Kur’an në zjarr të ferrit hedhur…
oh ekstazë kapitulluese...
medet…falmë o Zot
ç’ rrënqethje kapitëse...
rënkim…
goja jote…
e avullt…
e ngrohtë…
e nxehta goja jote…
(hënë që lëpin honet e plagë greminash diku mbi qafen time drakulon,
aty ku sipas grekërve të lashtë kalojnë të gjithë pasionet)
më bën prenë më të dëshirueshme të dhëmbëve të mprehtë
kafshim që më bën të ndjehem çdo ditë i porsalindur…
demonët e mi të tundimit -skllevërit e tu…
skllevërit e tu të bindur;
pas meje puthitur ti kafshëz e zjarrtë
me gulçet epshore lëkurën më rrënqeth
spazmat e barkut mesit tim lëshuar,
Venusi yt dritëhijesh pyllëzuar
pas kofshëve të mia rënkueshëm ngjitur,
njëra dorë -
fallxhore mbi fallus fallin hedh,
tjetra …
me ndihmën e thonjve-kthetra
pasi shëtit fytyrën
gushën,
hundën,
sytë e mi të mbyllur,
lehtë...lehtë ndalon te mjekra
e parruara mjekra ime…
e paharruara… dhe… me një lëvizje energjike
e kthen nga vetja
dhe pastaj
ah pastaj…
ventuza e llahtarshme e gruas në zgjim
etshëm, papërballueshmërisht ëmbël,
ëmbëlsisht pa kthim…
lëshon në trajtën e një gjuhe
të butë...
të lagët...
të thellë...
tërë magjinë në gojën time gjysëm të hapur
në gojën time që veç arrin të lëshojë një rënkim
dhe
t'ia falë pafundësisht tërë hapësirën e saj
zjarreve të tua, grua e jashtëzakonshme,
syve të tu që në atë orë tunduese më ngjasojnë me dy liqene jeshile
kaltërsisht jeshilë
ku dy rrathë të zjarrtë ngjyrë portokalli
mbrojnë besnikërisht dy rubinë të zinj
në të cilët pasqyrohet prej kohësh
oh sa vendosmërisht
përgjumja,
zgjimi
dhe
imazhi im.
Pastaj… kthehem nga ty…
pastaj…dreq o punë…
zilja e orës dhe unë…
vazhdimisht unë dhe i njëjti unë
nga gjumi i gabuar zgjuar
diçka nëpër dhëmbë mërmëris
tërë orëndreqësit e kësaj bote duke mallkuar,
Zvicrën,
akrepat
të madhin
të voglin
dymbëdhjetë numrat
gjashtëdhjetë vizat
dhe veçanërisht atë gjënë e vockël që orët kurdis…