Shpirti kurvërues
papritur bëhet re,
reja e nxirrosur
kthehet në shi
dhe shiun e merr era
dhe e hedh
te ti...
Shpirti kurvërues
bëhet edhe lule
që çdokush nuhati
me kënaqësi,
vjeshta pastaj e thau,
e vyshku,
e hodhi
mbi faqen e ditarit
që mban mbrëmjeve
ti...
Shpirti kurvërues
nganjëherë bëhet lot
dhe loti sa shpejt
fjalën e bën dhimbje,
dhimbja thikë përsëri
ngulet mbi ëndrrën
që netëve pret
ti...