14.6.09

IKJA

Rend,rend në udhën tënde
pa patur frikë se dikush
mes lotësh do të të kërkojë
e mes gulcesh emrin tënd do pëshpërisë!

Rend,rend sa më larg kësaj bote,
sa më larg kësaj turme pa vlerë,
sa më larg kësaj gostie shekullore
ku prej kohësh dolli për ty
s’kujtohet askush të ngrejë…!

Arratisu, or mik...larg...oh... shumë larg,
atje ku s’do të të arrijë më asgjë,
as malli e as kujtimet,
as urrejtjet e as mallkimet!

Dhe kurrë mos u kthe,
kurrë vështrimi yt të mos bjerë
mbi pluhurin që lë pas…

Përndryshe,
në u kthefsh,
do të të kujtojnë aq shumë
sa pluhur do të bëhesh
nga kujtesa e tyre
vrastare.

(1988)