14.6.09

CIGARENGRËNJA IME

Lërmëni ta thith deri në fund cigaren time ,
se nuk e tymos për ju,
Krijesa të Kotësisë…
Nuk ua shkund hirin
në veshët e shurdhër,
Nuk e fik dritën e saj
mbi sytë tuaj të verbër…
Tymi i saj kurrë nuk do t’jua bëjë
gri
ëndërrat tuaja pa ngjyrë…
Lermëni ta thith deri në fund cigaren time,
të vetmen gjë të kësaj bote
që digjet vec për mua ,
të vetmen që ju kurrë s’mund
Të m’a dhunoni,
përdhunoni,
tjetërsoni
në pamundësinë tuaj mjerane
për ta bërë atë
cigaren e fundit
të një të dëshpëruari…
Lermëni ta thith deri në fund cigaren time…!
Nëse hiri i saj është më i pavlerë
se dylli i veshëve tuaj -
do ta gëlltis…
Nëse drita e saj ju errëson-
do ta fik diku brenda meje…
aty ku takohet
trupi me shpirtin…
Nëse tymi i saj ua turbullon
ëndërrat mendjelehta
do ta thith të tërin
Genin e Lumturisë të më shkatërrojë…
Dhe …do të pres ,do të pres
jashtëqitjen e cigarengrënjes sime
të plehërojë
Shkretëtirën e Virgjër të Shqisave Tuaja
dhe
Oazin Tuaj të Tharrë të Ëndërrimit
ku skeletët tuaj infantilë
një ditë do të përpiqen
të lajnë,
të shplajnë,
të riaktivizojnë
Gropat Bosh të Syve Tuaj –
përpjekja e Fundit
për t’i shpëtuar
Ëndërrzgjimit Tuaj të Llahtarshëm…

(1988)