31.5.09

Histori e padukshme rozafash...

Natën...kur s'jemi unë e ti...
dashuria fshehurazi heq gurë
nga muri që zhgënjimi ngre mes nesh.
Ditën ai ringrihet...
por kurrë aq sa të na pengojë
kryqëzimin e vështrimeve...
.....................................
Legjendat shkruhen brenda murit...
por lexohen përtej tij...

Nën zë…

Cfarë ishte nuk do jetë më këtu
bosh nuk mbetet asgjë…as vetë asgjëja
Diana i humbi drurët e saj…
gjahtare pa pyll…. por preja
tashmë fshihet pas qerpikëve të dimrit …
horizont i një loti blu…
përmjerja që Dhimbja e derdhi
në zgavrën pa sy të Zemërimit…

Cfarë ishte nuk do të jetë më as atje
asgjëja e mbushur pjell cmendurinë…
kush digjet nga hiri nuk është i marrë…
njeriu është hija që hija pas lë…
dje ishte nesër…e sotmja gjithnjë pret…
demoni është foshnja që harrojmë ta vëmë në gjumë…
flutura nuk është budallaqe
kur i afrohet një zjarri që nuk djeg…

Cfarë ishte nuk ka qenë ndonjëherë…
Ndonjëherë është gjithmonë…tani…dikur…
pellgjet thahen...por jo narcisti...
qielli s'është ajër...por është lëkurë...
Destini është balona që nga duart e fëmijës u shkeput
kur melodinë e vrane mbi dëborë…
Në altarin bosh vec pianoja…
tingujt ikën…
edhe Pianisti....
Nuk kishte spektatorë…

Mos qaj…

Ti tashmë je e vdekur për atë?
Nuk të do më? Për ty s’ka mall?
Që të shkosh në parajsë më parë duhet të vdesësh…
(vdis e re sa më vonë të jetë e mundur…)
në ferr shkohet edhe i gjallë…

Dje dashuria e bënte të mos e ndjente kohën...
sot koha e bën të mos ndjejë dashurinë…
por ti mos derdh lotë të rinj mbi brenga të vjetra…
brenga të tjera më pas do të vinë…

Hej vogëlushe…mos qaj…
kujto vullkanin që të harrosh tërmetin…
që të blesh lumturi duhet të shesësh shpirt…
jo gjithnjë dashuria është ajër...
nganjëherë frymëmarrja eshtë e dëmshme për shëndetin…

Do vijë një ditë...

Do vijë një ditë kur për mua s'do të ketë më rëndësi
asnjëra nga gratë që në shtratin tim fjetën...
të ligjshme e të paligjshme...
të miat apo të tjetrit...
vejusha...virgjëresha...
të dashura apo dashnore...
mëkatare... perëndesha...
kurva...karakurva...
të një nate apo bashkëshorte...
të egra apo të urta...
zonja...mantenuta...
putana...prostituta...
që prehjen torturuese
në krahët e mi gjetën...

Do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
ti GRUA që të femërova me hijen time mbuluar...
do mbetet vec kujtesa e cmëndur që s'mban mënd asgjë
dhe vargjet që për ty kam shkruar...
.................................................. ....
Do vijë një ditë kur për mua s'do të kesh më rëndësi
dhe po atë ditë kam për të vdekur...

Ftesë...



Hej ti grua e panjohur e tjetrit e mbetur peng
në pozicionin e misionarit atij shtrati të stërlashtë
eja te unë...nuk kam shtrat...
por falja veten një casti të ri
le ta ndezim zjarrin që t'u fik...
nuk te premtoj shume
do të të fal seks kur të jesh e veshur deri në grykë...
e kur të jesh lakuriq do të të bëj thjesht dashuri...
__________________

27.5.09

Jetoj

e shkruajta emrin tënd në qiell
e fshiu era..
e shkruajta në rërë
e fshiu dallga...
e shkruajta në zemër
e fshiu gjaku...

24 orë

Vdekje e qetë është gjumi i ëmbël…
Muzgu më zhvesh…
mbrëmja më lan…
Qefini i ëndrrës mbulon atë çka dita harroi mbi mua
(e që ti kurrë s’e sheh)…
Shtrati - arkivoli pa gozhdë
me kapakun që rihapet çdo të nesërme
ku altarësh të rremë arratisur
ia dorëzoj veten krimbave të dëshirës
çdo natë...
(Kush tha që e nesërmja është e re?)
……………………………..
Si dhè i shkriftuar pres mëngjesin
të mbjellë lulen e tij nën vështrimin tallës të mesditës
dhe ti
gjurmën tënde…

Kortezh

Koha është e bukur...
moti i kthjellët...
qielli i pastër...
asgjë s'pipëtin...
paqe...
qetësi...
mirëkuptim...
harmoni...
njerëzit shëtisin të kënaqur...
të vetëkënaqur...
të qeshur...
të buzeqeshur...
të sigurtë ...
të urtë ...
të butë...
të lumtur...
duke shijuar mungesën e rrufeve.
............................
Nuk është shëtitje.
As zvarritje.
Eshtë kortezhi vdekatar i stuhisë ...
__________________

Vështrim pa kënd…

Në tempuj mendjesh rrënjëdala ku ligësia mbi biblë të nderit betohet...
në pellgje vesesh të pathëna ku dlirësia në gjethe kujtimesh harrohet…
në qiej të lartë ku zvarranikët kërkojnë renë e tyre të shpiket…
në eklipse shpirtërash të ronitur ku njeruci hijes së tij i bindet
pashë të ZEZËN…

Dhe ata më thanë:
“Është e bardhë...por ti s’e sheh dot…
take it easy, my friend,
është thjesht çështje këndvështrimesh…”

Ia hapa shalët këndit tim të vështrimit
Ia hapa sa e shqeva…
ia mbylla sa e humba…
0 grade
15…
30…
45…
60…
72…
90…
180…
360 gradë
e përsëri në zanafillë…
i Arjanes fill
priste të gjëndej…

Dhe ata më thanë:
“Është e bardhë...por ti s’e sheh dot…
take it easy, my friend,
është thjesht çështje këndvështrimesh…”


E bëra trekëndësh…
romb...
kub..
prizëm…
piramidë…
e bëra thyesë
zbritje
pjestim…
Një ditë e çbëra vështrimin tim.

E bëra shkurre…
dredhëz…
ferrë…
e bëra kometë
zar
ruletë
e bëra lot…
edhe det…
pikë e bëra
dhe drejtëz
me një pingule në mes…
rrëke...
katarakt...
dhe ajo ishte përsëri atje...
si gjithnjë
e pandryshueshme
zeznajë e ZEZË…

Dhe ata përsëri më thanë:
“Është e bardhë..por ti s’e sheh dot…
take it easy, my friend,
është thjesht çështje këndvështrimesh…”

E kështu një mëngjes
me të ZEZËN në njërën dorë...
vështrimin pa kënd
e këndin pa vështrim
në tjetrën…
nxirrosur dhe vete
si para stuhisë retë
udhën përtej qiellit mora
dhe Perëndinë pyeta:
"Krijuese e gjithshkaje,
cfarë ngjyrë ka kjo?
“Është pa ngjyrë, robi im,
merr ngjyrën e syve që e shohin…
syzinjve u duket e bardhë...
sybardhëve u duket e zezë...
diçka e ngjashme me shpirtin
e sytë pasqyrë e tij janë…
"Po ky kënd në dorë?”
"Është i vështrimit tim…
Ndoshta duhet ndrruar…”
“Oh… këndet ?
Harroji…
Sot këndet janë të harkuar
e vështrimi i rrumbullaktë…
Këte duhet ta kishe kuptuar…”
__________________

2.5.09

Gërmadhë madhështore

Lejlekët e kujtimeve askush s’i gjuan më,
në vetmi pasqyrash tretemi çdo ditë,
qytetërime antike që nuk vdesin kurrë,
nën blice turistësh krenarisht japin shpirt…