27.5.09

Vështrim pa kënd…

Në tempuj mendjesh rrënjëdala ku ligësia mbi biblë të nderit betohet...
në pellgje vesesh të pathëna ku dlirësia në gjethe kujtimesh harrohet…
në qiej të lartë ku zvarranikët kërkojnë renë e tyre të shpiket…
në eklipse shpirtërash të ronitur ku njeruci hijes së tij i bindet
pashë të ZEZËN…

Dhe ata më thanë:
“Është e bardhë...por ti s’e sheh dot…
take it easy, my friend,
është thjesht çështje këndvështrimesh…”

Ia hapa shalët këndit tim të vështrimit
Ia hapa sa e shqeva…
ia mbylla sa e humba…
0 grade
15…
30…
45…
60…
72…
90…
180…
360 gradë
e përsëri në zanafillë…
i Arjanes fill
priste të gjëndej…

Dhe ata më thanë:
“Është e bardhë...por ti s’e sheh dot…
take it easy, my friend,
është thjesht çështje këndvështrimesh…”


E bëra trekëndësh…
romb...
kub..
prizëm…
piramidë…
e bëra thyesë
zbritje
pjestim…
Një ditë e çbëra vështrimin tim.

E bëra shkurre…
dredhëz…
ferrë…
e bëra kometë
zar
ruletë
e bëra lot…
edhe det…
pikë e bëra
dhe drejtëz
me një pingule në mes…
rrëke...
katarakt...
dhe ajo ishte përsëri atje...
si gjithnjë
e pandryshueshme
zeznajë e ZEZË…

Dhe ata përsëri më thanë:
“Është e bardhë..por ti s’e sheh dot…
take it easy, my friend,
është thjesht çështje këndvështrimesh…”

E kështu një mëngjes
me të ZEZËN në njërën dorë...
vështrimin pa kënd
e këndin pa vështrim
në tjetrën…
nxirrosur dhe vete
si para stuhisë retë
udhën përtej qiellit mora
dhe Perëndinë pyeta:
"Krijuese e gjithshkaje,
cfarë ngjyrë ka kjo?
“Është pa ngjyrë, robi im,
merr ngjyrën e syve që e shohin…
syzinjve u duket e bardhë...
sybardhëve u duket e zezë...
diçka e ngjashme me shpirtin
e sytë pasqyrë e tij janë…
"Po ky kënd në dorë?”
"Është i vështrimit tim…
Ndoshta duhet ndrruar…”
“Oh… këndet ?
Harroji…
Sot këndet janë të harkuar
e vështrimi i rrumbullaktë…
Këte duhet ta kishe kuptuar…”
__________________