4.2.16

WAYSIDE CHAPEL

LEXOJENI DHE NDAJENI TE MIQTE TUAJ:
Anglezët njihen gjerësisht për sensin e tyre të humorit. Por historia që do lexoni më poshtë do t’ju bindë përfundimisht për këtë aftësi të lindur të tyre. Kur isha student, nja 30 vjet më parë, rastësisht në një gazetë “The Guardian” ( që një miku im kish sjellë me vetë nga një rrugë jashtë shtetit) lexova një anekdotë të cilën e përktheva me një frymë dhe e botova te gazeta e dikurshme “Studenti” dhe vite më vonë e degjova rastësisht edhe të transmetuar në radio Tirana në një program humoristik të saj me rastin e vitit të ri. Sot u kujtova për atë histori dhe pas disa kërkimesh në google ndesha disa versione të ndryshme të të njëjtës anekdotë, njëri më me humor se tjetri. Kështu vendosa t’i përmbledh të gjithë versionet që gjeta në një të vetëm dhe t’i ofroj për lexuesin tim për të qeshur së bashku. Lexim të këndshëm:
Një vizitore angleze në Zvicër po kërkonte një dhomë me qira për verën e ardshme dhe, pyeti drejtorin e shkollës nëse ai mund t’i rekomandonte ndonjë . Ai i tregoi disa dhoma zonjës angleze dhe pasi ajo ra dakort për njërën prej tyre , u largua për në atdhe për të nisur përgatitjet .
Ndërkohë zonja u kujtua që nuk kish parë ndonjë WC pranë dhomës që kish porositur, ndaj I shkruajti një letër drejtorit të shkollës në Zvicër për ta pyetur. Drejtori zvicerian kishte dobësi në gjuhën angleze dhe nuk e kish kuptuar domethënien e inicialeve WC, ndaj edhe pyeti priftin e krahinës. Pasi u menduan gjatë konkluduan se inicialet WC qëndronin për kishën Wayside Chapel.
Kështu drejtori i shkollës i shkruajti këtë përgjigje sqaruese anglezes plakë:
E dashur zonjë
Lokali për te cilin bëni fjalë ndodhet rreth 9 milje larg dhomës që keni prenotuar, në qendër të një pylli halor të rrethuar me lëndina të mrekullueshme.
Ka një kapacitet 299 vetësh ulur dhe 500 në këmbë dhe është hapur vec të dielave dhe të enjteve.
Për të shmangur ërërat e këqija lokali është i pajisur me kondicioner.
Salla ka një akustikë të shkelqyer që ju mundëson juve të dëgjoni krejt qartë edhe tingujt më delikatë në sallë.
Meqenëse një numër i madh njerëzish pritet të vijnë këtë verë , ju rekomandoj të vini pak më herët dhe të shkëmbeni përvojën me ata që e kanë ardhur para jush.
Një numër i madh prej tyre marrin edhe drekën me vete dhe e ndajnë mes tyre gjatë kohës që kryejnë procedurën për të cilën kanë ardhur.
Une ju sugjeroj të vini ditë të enjte meqë ky akt humanitar shoqërohet me bandë muzikore dhe hymne të gëzueshme.
Me lejoni t’ju them se goca ime është martuar pikërisht atje, ku është edhe vendi ku ajo takoi për herë të parë bashkëshortin e ardhshëm.
Është interesant të shohësh shprehjet e fytyrave të njerëzve gjatë kësaj ceremonie të pashmangshme.
Kohët e fundit lokali është pajisur edhe me një zile të fortë e cila njofton publikun e pranishëm për cdo vizitor të ri që hyn aty.
Sherbimet kryhen vetëm ose të shoqëruar.
Në hyrje shpërndahet një copë letër e cila duhet dorëzuar e pazhubrosur në fund të ceremonisë.
Nëse humbisni letrën tuaj mund të përdorni letrën e atij që keni pranë.
Jeni të lutur të këndoni solo ose në kor gjatë tërë kohës së qëndrimit aty.
Fëmijët lejohen vec të shoqëruar nga prinderit.
Gruaja ime është shumë delikate për ceremonI kaq të ndjeshme, por nëse dëshironi ajo mund të shkojë atje para jush e të zërë një vend për ju, një vend të mirë nga i cili ju mund t’ju shohë dhe mund të shihni cilndo aty brenda.
Ju sugjeroj të sillni edhe një kamera me vete në mënyrë që të rregjistroni kujtime të pashlyeshme nga bashkëvizitorët tuaj dhe nga ujëvarat e dritëhijve të tyre mbi muret në dritë të qirinjve. Disa vinë për kënaqësi, disa për bamirësi, por një gjë është e sigurtë: të gjithë largohen të kënaqur.
Me bindje të plotë se u shpjegova qartë
Drejtori
(perktheu dhe pergatiti: Artan Gjyzel Hasani)