4.2.16

MOS QAJ …(nga libri "Mekatari")


në shtratin tim mund të të jap veç seks,
por ti me ngulm kërkon dashuri…
dhe s’e kupton që unë nuk mundem të të fal
magjinë që deri dje ta jepte ai…
…………………………………
oh…perëndi…kjo histori e vjetër...
sa shpesh zhgënjimi nga dashuria
e bën një grua të shkojë me një tjetër…
pra nuk është gjak lëkurës sime derdhur
ajo që thithin buzët e tua,
është mirazh i kafshimeve të dikurshme
në syte e tu të skuqur...
është dhimbje...
gërryerje...
thonjgërvishtje...
epsh mollëkafshuar evash
padrejtësisht të adamizuara...
……………………….
s’është prush, por hi…
ështe plaga ime pa gjak
sa herë më afrohet një femër si ti…
kam qenë edhe unë këtu ku je ti tani
kur veten e përhumba jetëve të të tjerëve
e ajo çdo ditë e më shumë më harronte…
në hieroglife kineze ngatërruar
besime dhe premtime
fjalë të pathëna kurrë
dhe unë i verberi që donte t’i deshifronte
mes turmës hokatare
që shpallte vetmine time…
……………………………
ka qenë një kohë kur qiej të panjohur
fluturimet shkujdesur m’i tradhëtuan…
si gruaja kur braktis një burrë…
njësoj të braktisur, por në kohë të ndryshme…
prandaj kaq të ndryshëm…
dhe ja ku jemi sot
ti me të fresktën të lagurën plagë…
unë burri që asgjë s’e plagos dot……
e ti tashmë je e vdekur për atë?
nuk të do më? për ty s’ka mall?
mos qaj!
që të shkosh në parajsë më parë duhet të vdesësh…
por ti vdis e re sa më vonë të jetë e mundur…
në ferr shkohet edhe i gjallë…
nuk të do më? për ty s’ka mall?
të paska harruar? të gënjen?
hej vajzë
dashuria nuk prenotohet si në një hotel me parapagim:
"ju lutem më mbani një vend DASHURI bosh për korrikun që vjen!"....
dashuria thjeshtë NDODH ,
pavarësisht kohës apo njeriut të gabuar...
dje dashuria e bënte të mos e ndjente kohën...
sot koha e bën të mos ndjejë dashurinë…
por ti mos derdh lotë të rinj
mbi brenga të vjetra…
brenga të tjera më pas do të vinë…
eja pra vogëlushe…të lutem mos qaj…
kujto vullkanin që të harrosh tërmetin…
që të blesh lumturi duhet të shesësh shpirt…
jo gjithnjë dashuria është ajër...
nganjëherë frymëmarrja eshtë e dëmshme për shëndetin…
©Artan Gjyzel Hasani