2.2.16

TORONTO - ORA ZERO PLUS DICKA


i rremë si iluzioni i ndrrimit të orës vjen mëngjesi
ne qytetin pa male ku sizifët gjerbin vetmi…
do dalë dhe dielli…
do dalim dhe ne nga shtretërit e ngrohtë…
do nisemi për në punë hypur mbi toyotat tona,
golfet , benzat, bmw-të, shevroletët,
pontiakët, kiat, hondat,
autobuzët, trenat, motorrët, biçikletat
dhe të armatosur me credit cards, debit cards,
credit lines, visa, master cards,
ëndrra gjumëvrara,
si dhe me ca të holla për kafenë tonë “Tim Hortons”
do arrijmë aty ku na pret menazheri
që ndërkohë po flet në telefon me një tjetër të pagjumë…
“hi”
“hi”
do varim në qafë badge-in ku shënohet
emri, profesioni, numri ynë
dhe do fillojmë punën…
më pas mesdita…
do bëjmë pak pushim që në gjuhën e tyre i thonë lunch…
do përtypemi në tasat plastikë
dhe do ndjehemi pa shije si ushqimet e tyre…
do hapim zemrat me pakistanezë, kinezë, gajanezë
kolumbianë, portugezë, italianë, rusë
ukrainas, azerë, afganë, arabë,
zezakë, të bardhë, indianë aborigjenë, eskimezë
flasim anglisht, por kuptojmë edhe spanjisht
spanglisht
punjabi
natyrisht edhe ca mandarin
të mësuar nga kinezja me emrin Roberta…
do flasim për faturat e papaguara te dritave,
telefoneve, celularëve, kabllove,
siguracioneve, taksat,
për pushimet gjithnjë të ardhshme në Kubë
Santo Domingo
Meksikë
Xhamajkë…
për uraganet dhe shtëpitë e lira në Floridë
dhe ndonjëherë
edhe për llojin e badge-s që nesër do varin në qafë
fëmijët tanë…
pasditja vjen mbi kurrize gjarpërinjsh të asfaltë
që na çojnë në vendin e duhur…
në kohën e duhur kur s’ka trafik...
dhe do mbrrijmë në strofullat bashkëkohore...
bashkëshortore...
me rentë,
mortgage…
condo...
house...
semi-attached…
single…
sipas rastit…
muzike trans nga dhoma e djalit
zhurmë enësh nga kuzhina e gruas
përplasje e këpucëve në korridor...
duhet t'i hiqja te dera...
“erdhe, burrë?"
“erdha…”
pastaj muzgu që gjithnjë më fshihet pas pemëve…
telekomanda…
lajmet…
“40 gra dhe fëmijë të vrarë sot në Afganistan”
“Tërmet në Kili përsëri”
“Zjarrfikësit heroikë të Torontos shpëtojnë jetën e një maceje”
“ Paris Hilton me dashnor të ri”
do vijë mbrëmja…
e nëse jemi me fat edhe hëna…
pas saj,
më në fund,
pas gjithckaje që ka ardhur dhe ka ikur kësaj dite,
nga rrugë të fshehta tastierash do vish dhe ti…
do më pyesësh “c’kemi?”
“hiç…të zakonshmet…”, do të të përgjigjem
“c’kemi?”, do të të pyes,
të zakonshmet dhe ti…
“natën”
“natën”
vjen mëngjesi përsëri…
©Artan Gjyzel Hasani